Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS

Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it organizohet çdo vit më 1 Dhjetor për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV/AIDS-in, dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie.

Kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi progresin e bërë deri më sot, për të rritur ndërgjegjësimin për sfidat që mbeten në vazhdimësi, për të mobilizuar të gjithë aktorët që së bashku të dyfishojnë përpjekjet për të siguruar suksesin në përmbushje të qëllimit të përfundimit të HIV/AIDS-it deri në vitin 2030.

 

E themeluar në vitin 1988, Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it ishte dita e parë shëndetësore globale. Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it u propozua fillimisht në muajin gusht të vitit 1987 nga Thomas Netter dhe James Ë. Bunn, të dy zyrtarë të informimit publik për Programin Global të HIV/AIDS-it në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, në Gjenevë. Ata kishin ndarë idenë e tyre për ditën e HIV/AIDS-it me Dr. Jonathan Mann (Drejtor i Programit Global të HIV/AIDSit), i cili e kishte miratuar idenë dhe rekomandoi respektimin e Ditës Botërore të Luftës Kundër HIV/AIDS-it më 1 dhjetor të vitit 1988. Kombet e Bashkuara kanë ngritur një Program të Përbashkët për HIV/AIDS-in, i njohur si UNAIDS. Programi filloi veprimtarinë në vitin 1996 duke promovuar në mbarë botën aktivitete të lidhura me HIV/AIDS-in. Në vitet e para, temat e Ditës Botërore të Luftës Kundër HIV/AIDS-it ishin fokusuar vetëm te fëmijët dhe të rinjtë. Nga viti 1998 e deri më sot, Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it organizohet nën slogane të ndryshme.

Ndërkohë që janë bërë përparime të mëdha që kur u raportuan rastet e para të njohura te HIV/AIDS-it të në vitin 1981, sëmundja mbetet një sfidë për shëndetin publik. Dita Botërore e HIV/AIDS-it është një mundësi për individët dhe komunitetet për të nderuar më shumë se 32 milionë njerëz në mbarë botën që kanë vdekur nga sëmundjet e lidhura me SIDA-n.

 

 

Cila është tema e Ditës Botërore të Luftës Kundër HIV/AIDS?

 

Tema e Ditës Botërore të Luftës Kundër HIV/AIDS është:

“Zgjidh rrugën e duhur: Shëndeti im, e drejta ime!”.

OBSH u bën thirrje udhëheqësve dhe qytetarëve globalë që të mbrojnë të drejtën  për shëndet duke trajtuar pabarazitë që pengojnë përparimin në dhënien fund të HIV/AIDS-it.

 Bota mund t’i japë fund HIV/AIDS-it nëse të drejtat e të gjithëve mbrohen.

Me të drejtat e njeriut në qendër, me komunitetet në krye, bota mund t’i japë fund HIV/AIDS si një kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030.

Përparimi thelbësor që është bërë në reagimin ndaj HIV është i lidhur drejtpërdrejtë me përparimin në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Por boshllëqet në realizimin e të drejtave të njeriut për të gjithë po e pengojnë botën të hyjë në rrugën që i jep fund HIV/AIDS  dhe po dëmton shëndetin publik.

 

Shenja dhe simptoma

Simptomat e HIV-it ndryshojnë në varësi të fazës së infeksionit.

Sëmundja përhapet më lehtë në muajt e parë pasi një person është infektuar, por shumë prej tyre nuk janë në dijeni të statusit të tyre deri në fazat e mëvonshme. Në javët e para pas infektimit, njerëzit mund të mos përjetojnë simptoma. Të tjerët mund të kenë një sëmundje të ngjashme me gripin duke përfshirë:

 

  • ethe
  • dhimbje koke
  • skuqje
  • dhimbje të fytit.

Infeksioni në mënyrë progresive dobëson sistemin imunitar. Kjo mund të shkaktojë shenja dhe simptoma të tjera:

  •  
  • nyjet limfatike të fryra
  • humbje peshe
  • ethe
  • diarre
  • kollë.

Pa trajtim, njerëzit me infeksionin HIV mund të zhvillojnë gjithashtu sëmundje të rënda:

 

tuberkulozi (TB)

meningjiti kriptokoksik

infeksione të rënda bakteriale

kancere

HIV-i bën që infeksionet e tjera të përkeqësohen, si: hepatiti C, hepatiti B dhe mpox.

Transmetimi

HIV-i mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të një sërë lëngjesh trupore nga njerëzit që bashkëjetojnë me të, si: gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale. HIV-i gjithashtu, mund të transmetohet gjatë shtatzënisë dhe lindjes tek fëmija. Njerëzit nuk mund të infektohen përmes kontaktit të zakonshëm të përditshëm, si: puthja, përqafimi, shtrëngimi i duarve ose ndarja e sendeve personale, ushqimit ose ujit.

Faktorët e rrezikut

Sjelljet dhe kushtet që i vënë njerëzit në rrezik më të madh të kontraktimit të HIV-it përfshijnë:

  •  
  • kryerja e seksit anal ose vaginal pa prezervativ;
  • pasja e një infeksioni tjetër seksualisht të transmetueshëm (IST) si: sifilizi, herpesi, klamidia, gonorrea dhe vaginoza bakteriale;
  • përfshirja në përdorimin e dëmshëm të alkoolit dhe drogës në kontekstin e sjelljes seksuale;
  • ndarja e gjilpërave, shiringave dhe pajisjeve të tjera të injektimit dhe solucioneve të kontaminuara gjatë injektimit të drogës;
  • marrjen e injeksioneve të pasigurta, transfuzionet e gjakut dhe transplantimin e indeve, dhe procedurat mjekësore që përfshijnë prerje ose shpime josterile;
  • të përjetuarit e lëndimeve aksidentale me gjilpërë, përfshirë edhe midis punonjësve shëndetësorë.

 

Parandalimi

HIV-i është një sëmundje e parandalueshme.

  • Zvogëloni rrezikun e infektimit me HIV duke:
  • Përdorur një prezervativ mashkullor ose femëror gjatë seksit
  • Duke u testuar për HIV dhe infeksione seksualisht të transmetueshme
  • Kryer një rrethprerjeje mjekësore vullnetare tek meshkujt
  • Përdorur shërbime të reduktimit të dëmit për njerëzit që injektojnë dhe përdorin drogë.