31 Maj

Dita Botërore e Luftës Kundër Duhanit

 

Çdo vit në 31 maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët organizojnë Ditën Botërore të Luftës Kundër Duhanit. Qëllimi i kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit lidhur me rreziqet që sjell konsumi i duhanit, si dhe advokatimi për ndërmarjen e politikave efektive me qëllim uljen e konsumit të tij. Kjo ditë është shpallur në vitin 1987 nga vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilat u përpoqën të ndërgjegjësojnë opinionin mbi dëmet dhe rreziqet e duhanit, si dhe të inkurajojnë reduktimin e prodhimit dhe konsumit të duhanit.

Tema e këtij viti për Ditën Botërore të Luftës kundër Duhanit është:

“Duhani, një kërcënim për zhvillimin”

 

Fushata ndërgjegjësuese e këtij viti ka për qëllim:

-Të theksojë lidhjet midis përdorimit të produkteve të duhanit, kontrollit të tij dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

-Të inkurajojë vendet që të përfshijnë kontrollin e duhanit në Axhendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të vitit 2030.

-Të mbështesë shtetet dhe shoqërinë civile për të luftuar ndërhyrjen e industrisë së duhanit në proceset politike, duke ndërmarrë masa të rrepta kombëtare të kontrollit të duhanit.

-Të inkurajojë një pjesëmarrje më të gjerë të publikut dhe partnerëve në përpjekjet kombëtare, rajonale dhe globale me qëllim zhvillimin dhe zbatimin e strategjive të cilat i japin përparësi veprimeve konkrete lidhur me kontrollin e duhanit.

-Të demostrojë sesi individët mund të kontribuojnë në krijimin e një bote të qëndrueshme pa duhan, duke mos marrë kurrë produkte duhani ose duke hequr dorë nga duhanpirja.

 

Kontrolli i duhanit mbështet shëndetin dhe zhvillimin

OBSH-ja u bën thirrje shteteve të përshpejtojnë nismat lidhur me kontrollin e duhanit, si pjesë e përgjigjeve të tyre në Axhendën e vitit 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Qëllimi i Axhendës së Zhvillimit të Qëndrueshëm është që të sigurojë se askush nuk ka mbetur mbrapa. Kontrolli i duhanit është një nga mjetet më efektive që do të ndihmojë në reduktimin e një të tretës në nivel global, deri në vitin 2030, të vdekjeve të parakohshme nga sëmundjet jo të transmetueshme si sëmundjet kardiovaskulare, kanceri dhe sëmundjet pulmonare.

Forcimi i zbatimit të Konventës Kuadër të OBSH-së për duhanin në të gjitha vendet, është një objektiv shtesë që duhet të plotësohet nga qeveritë e këtyre vendeve.

 

Kontrolli i duhanit ndihmon në arritjen e qëllimeve të tjera globale

Kontrolli i duhanit mund të ulë varfërinë, të kontribuojë në dhënien fund të urisë, të promovojë një bujqësi të qëndrueshme, rritje ekonomike, si dhe të luftojë ndryshimin e klimës. Rritja e taksave për produktet e duhanit mund të përdoret për të financuar mbulim shëndetësor universal, si dhe për të mbështetur programet e tjera të zhvillimit të qeverisë.

Nuk janë vetëm qeveritë që mund të kontribuojnë lidhur me kontrollin ndaj duhanit, por edhe individët të cilët mund të kontribuojnë në nivel individual për të bërë një botë të qëndrueshme pa duhan. Një gjë e tillë mund arrihet nëpërmjet angazhimit për të mos marrë kurrë produkte duhani. Ndërsa ata që janë përdorues mund ta lënë duhanpirjen ose të kërkojnë ndihmë, në mënyrë që të mbrojnë shëndetin e tyre dhe të njerëzve të cilët janë të ekspozuar ndaj tymit të duhanit, duke përfshirë fëmijët, anëtarët e tjerë të familjes dhe miqtë. Paratë që nuk shpenzohen për duhanin mund të përdoren për nevoja të tjera të domosdoshme, si ushqimi i shëndetshëm, kujdesi shëndetësor dhe arsimi.

Disa fakte…

-Rreth 6 milionë njerëz vdesin çdo vit nga përdorimi i duhanit, një shifër e cila parashikohet të rritet në më shumë se 8 milionë në vit deri në vitin 2030 nëse nuk do të ndërmerren nisma konkrete. Përdorimi i duhanit është një kërcënim për çdo person, pavarësisht nga gjinia, mosha, raca, prejardhja kulturore ose arsimore. Konsumi i duhanit sjell vuajtje, sëmundje dhe vdekje. Ai varfëron familjet dhe ekonomitë kombëtare.

-Përdorimi i duhanit i kushton jashtëzakonisht shumë ekonomive kombëtare, nëpërmjet rritjes së shpenzimeve të kujdesit shëndetësor dhe zvogëlimit të produktivitetit.

-Konsumi i duhanit rrit varfërinë, pasi njerëzit e varfër shpenzojnë më pak në gjërat e domosdoshme si ushqimi, arsimi dhe kujdesi shëndetësor. Rreth 80% e vdekjeve të parakohshme nga duhani ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta ose të mesme.

-Rritja e duhanit kërkon sasi të mëdha të pesticideve dhe plehrave kimike, të cilat mund të jenë toksike dhe ndotëse të ujit. Çdo vit, për rritjen e duhanit përdoren 4.3 milionë hektarë tokë duke sjellë një shpyllëzim global midis 2% dhe 4 %.

-Konventa Kuadër e OBSH- së për Kontrollin e Duhanit (WHO FCTC) udhëheq luftën globale kundër epidemisë së duhanit. FCTC-ja e OBSH-së është një traktat ndërkombëtar me 179 vende dhe Bashkimin Europian.

 

Të dhëna nga Shqipëria

Sipas Raportit Shëndetësor të Popullatës Shqipare (2014), duhanpirja përfaqëson faktorin e tretë të rrezikut, përgjegjës për pjesën më të madhe të barrës së sëmundjeve në Shqipëri në vitin 2010, duke u renditur pas faktorëve të rrezikut të lidhur me dietën dhe presionin e lartë të gjakut. Duhanpirja ishte përgjegjëse për një rritje prej më shumë se dy herë të Nivelit të Vdekshmërisë Bruto nga kanceri i trakesë, bronkeve dhe mushkërive. Në vitin 2010, rreth 84% e vdekjeve nga këto kancere u shkaktuan nga duhanpirja[1].

 

Sipas studimit të bazuar në popullatë mbi përdorimin e substancave abuzive (2014), prevalenca e duhanpirjes aktuale rezultoi 27% (43% meshkuj kundrejt 11% në femra, P <0.001). Nga ana tjetër, prevalenca e duhanpirjes gjatë jetës ishte 41% (63% në meshkuj vs.20% në femra, P <0.001)[2].

Në studimin e kryer me fëmijë të moshës shkollore, 11, 13 dhe 15 vjeç (2014), rezultoi se

rreth 4% e fëmijëve të intervistuar raportonin konsum të rregullt të duhanit[3].

Nga ana tjetër, në Studimin Europian në Shkolla për Drogat (ESPAD, 2015)[4] të realizuar me nxënës të moshës 15-16 vjeç, rezultoi se rreth 345% e pjesëmarrësve kanë konsumuar duhan të paktën një herë në jetën e tyre. Prevalenca e konsumit të duhanit gjatë jetës ishte më e lartë te djemtë sesa te vajzat (47.1% vs. 24.8%, përkatësisht), në shkollat private (44.4%) sesa publike (33.6%), shkollat urbane sesa rurale (38.9% vs. 25.6%) dhe te shkollat tekniko-profesionale (61%). Krahasuar me vitin 2011, në vitin 2015 u vu re një ulje e prevalencës së duhanpirjes gjatë jetës në tërësi, me përjashtim të shkollave profesionale. Ulja midis vajzave ishte më e vogël sesa midis djemve.

[1] https://ishp.gov.al/wp-content/uploads/2015/04/Health-report-English-version.pdf

[2]http://www.emcdda.europa.eu/attachements.cfm/att_233186_EN_GPS_Albania_2014.pdf

[3] http://www.euro.who.int/en/publications/abstracts/growing-up-unequal-gender-and-socioeconomic-differences-in-young-peoples-health-and-well-being.-health-behaviour-in-school-aged-children-hbsc-study-international-report-from-the-20132014-survey

[4] www.ishp.gov.al, ESPAD, 2015