Dita Botërore e Kancerit

Kanceri është shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në botë. Në botë në vitin 2022 kishte rreth 20 milion raste te reja të diagnostikuar me kancer (përfshi atë të lëkurës) dhe rreth 10 milion vdekje nga disa lloje të kancerit. Bazuar mbi këto shifra mund të vlerësohet se afërsisht 1 në 5 persona në botë do të preken nga kanceri një herë gjatë jetës, ndërkohë që 1 në 9 burra dhe 1 ne 12 gra do te vdesin nga kanceri.

‘Kanceri’ është një term i përgjithshëm që përdoret për një grup me më shume se 100 sëmundje, të cilat mund të prekin çdo pjesë të organizmit. Kanceret e ndryshme te njeriu janë sëmundje në të cilat një nga qelizat e shumta nga të cilat është ndërtuar organizmi, ndryshon në një mënyrë të tillë që riprodhon vetveten duke prodhuar miliona qeliza të ndryshuara vetë riprodhuese, disa prej të cilave mund të transferohen në pjesë të tjera të trupit dhe mund ta shkatërrojnë atë. Qelizat e kancerizuara humbasin specializimin e indit që i përkasin dhe nuk i përgjigjen mekanizmave të kontrollit që normalisht kufizojnë ndaljen e qelizave.

Llojet më të zakonshme të kancerit tek meshkujt janë: kanceri i mushkërive, prostatës, kolorektal, stomakut dhe mëlçisë, ndërsa tek femrat format e kancerit më të zakonshme janë: kanceri i gjirit, kolorektali, i mushkërive, i qafës së mitrës dhe tiroides.

Barra e kancerit vazhdon të rritet globalisht, duke çuar/nxitur përpjekje të jashtëzakonshme fizike, emocionale dhe financiare te individët, familjet, komunitetet dhe sistemet shëndetësore. Sistemet shëndetësore në vendet me të ardhura të ulëta – dhe mesatare janë më pak të përgatitur për të menaxhuar këtë barrë, dhe në nivel botëror një numër i madh i pacientëve me kancer nuk kanë qasje në kohë në diagnostikimin dhe trajtimin cilësor. Në vendet ku sistemet shëndetësore janë të forta, shkalla e mbijetesës së shumë llojeve të kancerit po përmirësohet falë aksesit për zbulimin e hershëm, trajtimit cilësor dhe kujdesit për mbijetesën.

Rreth një e treta e vdekjeve nga kanceri janë për shkak të përdorimit të duhanit, indeksit të lartë të masës trupore, konsumit të alkoolit, konsumit të pakët të frutave dhe perimeve dhe mungesës së aktivitetit fizik. Përveç kësaj, ndotja e ajrit është një faktor i rëndësishëm rreziku për kancerin e mushkërive.

Infeksionet që shkaktojnë kancer, si papillomavirusi i njeriut (HPV) dhe hepatiti, janë përgjegjës për afërsisht 30% të rasteve të kancerit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Shumë kancere mund të kurohen nëse zbulohen herët dhe trajtohen në mënyrë efektive.

Çdo vit, rreth 400 000 fëmijë dhe adoleshentë të moshës 0-19 vjeç zhvillojnë kancer ku më të zakonshme janë leuçemitë, kanceret e trurit, limfomat dhe tumoret e ngurta, si neuroblastoma.

Në vitin 2022 kanceri i gjirit shkaktoi 670 000 vdekje në nivel botëror.

Kanceri i qafës së mitrës është kanceri i katërt më i zakonshëm tek gratë në nivel botëror me rreth 660 000 raste të reja dhe rreth 350 000 vdekje në vitin 2022.

Normat më të larta të incidencës dhe vdekshmërisë nga kanceri i qafës së mitrës janë në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Kjo pasqyron pabarazitë e mëdha të nxitura nga mungesa e aksesit në vaksinimin kombëtar të HPV-së, shërbimet e depistimit dhe trajtimit të qafës së mitrës dhe përcaktuesit social dhe ekonomikë.

Vaksinimi profilaktik kundër HPV-së, depistimi dhe trajtimi i lezioneve para-kanceroze janë strategji efektive për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës dhe janë kosto efektive.

Situata e rasteve me kancer në Shqipëri

Shqipëria është një ndër vendet me incidencën dhe vdekshmërinë më të ulët nga kanceri në rajonin Europian. Megjithatë, kanceri i stomakut, rezulton të ketë prej vitesh një incidencë më të lartë se sa shumica e vendeve të tjera të rajonit. Në të kundërt, kanceret e zorrës së trashë dhe të prostatës, megjithëse po rriten në mënyrë të dukshme gjatë dekadës së fundit në vendin tonë, kanë incidencën dhe vdekshmërinë më të ulët në Rajonin Europian.

Gjatë vitit 2023 në vendin tonë u diagnostikuan 6691 raste te reja me kancer dhe llojet më të shpeshta ishin kanceri i lëkurës (1183 raste), kanceri i gjirit (744 raste) dhe kanceri i mushkërive me (717 raste). Këto 3 kategori të neoplazive malinje përbëjnë së bashku rreth pothuaj 40% të të gjitha rasteve te reja me kancer te raportuara çdo vit nga sistemi shëndetësor.

Rastet e reja me kancer te diagnostikuar gjate vitit 2023

Tema e re e ditës botërore të kancerit 2025-2027 “Eksperienca të ndryshme, por të bashkuar kundër kancerit!” i vendos njerëzit në qendër të kujdesit shëndetësor dhe historitë e tyre në qendër të bisedës.

Kanceri nuk është thjesht një diagnozë mjekësore – ai prek jetën e çdo personi në mënyra unike. Pas çdo rasti ka një histori të veçantë plot sfida, dhimbje, shpresë dhe forcë.

Pikërisht për këtë arsye, trajtimi i kancerit duhet të përqendrohet tek njeriu, duke marrë parasysh nevojat e tij me dhembshuri dhe kujdes. Kjo qasje ndihmon në përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së pacientëve.

Në Ditën Botërore të Kancerit, le të bashkohemi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për kujdesin ndaj kancerit, ku njerëzit dhe komunitetet janë në qendër të vëmendjes.

#Unikë,porBashkë