Dita Botërore e Diabetit

Faktet

  • Diabeti është një nga sëmundjet kronike më të zakonshme në Europë. Të paktën 64 milionë të rritur dhe rreth 300 000 fëmijë dhe adoleshentë vlerësohet të jetojnë me diabet në rajonin Europian.
  • Në vitin 2019 diabeti shkaktoi rreth 186 000 vdekje në rajon. Kjo shifër është rritur vitet e fundit dhe pritet të dyfishohet nga viti 2005 në 2030.
  • Rreth 1 në 3 persona që jetojnë me diabet mbetet i padiagnostikuar dhe gati gjysma mund të mos i përmbushin objektivat e tyre të trajtimit.
  • Rajoni ka barrën më të lartë të diabetit të tipit 1 në nivel botëror.
  • Ndërsa popullsia plaket dhe faktorët e rrezikut si obeziteti rriten, 1 në 10 europianë mund të kenë diabet deri në vitin 2045.
  • Disa lloje të diabetit mund të parandalohen, duke synuar faktorët e rrezikut me ndërhyrje të tilla si: përmirësimi i të ushqyerit, rritja e aktivitetit fizik, reduktimi i obezitetit, reduktimi i përdorimit të duhanit dhe sigurimi i mjediseve më të dobishme për shëndetin.
  • Shumë faktorë rreziku për diabetin lidhen me statusin socio-ekonomik dhe ndikimin e përcaktuesve socialë, ekonomikë dhe mjedisorë të shëndetit.
  • Pabarazitë në diabet ekzistojnë në të gjithë rajonin; për shembull, shkalla e diabetit tek gratë mund të jetë 5 herë më e madhe në disa vende të Europës se të tjerat.
  • Nëse diabeti nuk diagnostikohet dhe menaxhohet siç duhet, mund të ndodhin ngjarje akute kërcënuese për jetën si koma, si dhe paaftësi progresive nga komplikacionet e gjendjes.
  • Nivelet e larta të glukozës në gjak shkaktojnë dëmtime progresive të enëve të gjakut në të gjithë trupin, duke çuar në një sërë komplikacionesh. Komplikacionet e rëndësishme të diabetit përfshijnë humbjen e përhershme të shikimit dhe verbërinë nga dëmtimi i enëve të gjakut në sy, ulçerat dhe amputimet nga dëmtimi i nervave në këmbë dhe sëmundjet e veshkave.
  • Rreziku i atakut në zemër dhe goditjes në tru rritet deri në 4 herë për njerëzit që jetojnë me diabet.
  • Njerëzit me diabet mund të jetojnë mirë, por shpesh frenohen nga sistemet shëndetësore jombështetëse. Trajtimet për diabetin dhe komplikacionet e tij ekzistojnë, por nuk janë gjithmonë të disponueshme, të arritshme dhe të përballueshme në rajonin ku bëjmë pjesë.

 

Çfarë është diabeti?

  • Diabeti i tipit 1 karakterizohet nga prodhimi i pamjaftueshëm i insulinës – një hormon që rregullon glukozën (sheqerin) në gjak – nga pankreasi. Ky lloj diabeti është zakonisht gjenetik dhe trajtohet me insulinë të përditshme të dhënë nëpërmjet një pompe ose injeksionesh. Shpesh shfaqet krejt papritur tek të rinjtë, me simptoma të tilla si: urinimi i tepërt, etja dhe humbja e paqëllimshme e peshës.
  • Diabeti i tipit 2 karakterizohet nga përdorimi joefektiv i insulinës. Ai përbën rreth 90% të njerëzve me diabet dhe është kryesisht i parandalueshëm. Faktorët e rrezikut përfshijnë peshën e tepërt (veçanërisht rreth belit) dhe faktorë të tjerë që kontribuojnë në shtimin e peshës, siç janë nivelet e ulëta të aktivitetit fizik. Shpesh shfaqet në moshën e mesme, megjithëse prevalenca është në rritje tek fëmijët dhe adoleshentët. Simptomat mund të jenë të lehta dhe diagnoza shpesh mund të vonohet derisa të kenë ndodhur komplikacionet.
  • Diabeti gestacional karakterizohet nga nivele të larta të sheqerit në gjak gjatë shtatzënisë.

 

Si mund të reduktohet barra e diabetit?

Parandalimi

Meqenëse disa lloje të diabetit dhe sëmundjeve të tjera të mëdha jo të transmetueshme (NCD) ndajnë faktorë të përbashkët rreziku të modifikueshëm, parandalimi duhet të integrohet në qasjet e popullatës. Përqendrimi në parandalimin dhe menaxhimin efektiv, të përballueshëm të një kombinimi faktorësh rreziku për diabetin, mund të parandalojë paaftësinë dhe vdekjen, dhe të përmirësojë cilësinë e jetës.

Njerëzit me tolerancë të dëmtuar të glukozës (IGT) janë në një fazë të ndërmjetme midis glukozës normale në gjak dhe diabetit dhe janë në rrezik të lartë të zhvillimit të diabetit të tipit 2. Ky rrezik mund të reduktohet në mënyrë të dukshme nëpërmjet ndërhyrjeve intensive si përmirësimi i dietës dhe peshës, si dhe me medikamente.

Mjekimi

Diabeti mund të diagnostikohet përmes testeve relativisht të lira të glukozës në gjak. Megjithatë, rreth 1 në 3 persona në rajonin tonë mbetet i padiagnostikuar.

Diabeti i tipit 1 duhet të menaxhohet me insulinë, ndërsa diabeti i tipit 2 mund të trajtohet duke reduktuar faktorët e rrezikut – me ose pa medikamente për uljen e glukozës në gjak.

Nevojitet kujdes shtesë për të menaxhuar efektet dhe komplikacionet e diabetit, të tilla si: kujdesi për këmbët, për ulçerat, ekzaminimet e syve për të kontrolluar retinopatinë (dëmtimi i syve që shkakton verbëri), testimi dhe trajtimi për sëmundjet e veshkave dhe reduktimi i rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare përmes kontrollit të presionit të gjakut dhe kolesterolit. Rekomandohet, gjithashtu, vaksinimi për gripin sezonal dhe COVID-19.

Kontrolli efektiv i glukozës në gjak është thelbësor dhe monitorimi në shtëpi i glukozës për njerëzit që përdorin insulinë është një mënyrë me kosto efektive për të reduktuar komplikacionet. Megjithatë, këto medikamente dhe masa më të gjera nuk janë vazhdimisht të disponueshme, të aksesueshme dhe të përballueshme në të gjithë Rajonin.

Medikamentet, teknologjitë, ekzaminimi dhe kujdesi i komplikacioneve duhet të jenë të disponueshme dhe të përballueshme për ata që kanë diabet. Përfshirja e menaxhimit të diabetit në paketat e mbulimit shëndetësor universal është thelbësor për të kontrolluar në mënyrë efektive diabetin dhe për të zvogëluar dëmin.

Mbështetja për vetëmenaxhimin e gjendjeve kronike si diabeti, duke përfshirë edukimin terapeutik të pacientit, është efektive në uljen e kostove të kujdesit shëndetësor dhe përmirësimin e rezultateve shëndetësore.

Reagimi i OBSH-së në Europë

Vizioni i Zyrës Rajonale të OBSH-së për Europën është të zvogëlojë rrezikun e diabetit dhe të sigurojë që të gjithë të diagnostikuarit të kenë akses në kujdes cilësor dhe trajtim të barabartë, gjithëpërfshirës dhe të përballueshëm.

Ne synojmë të mbështesim vendet në implementimin e programeve të parandalimit dhe kontrollit me kosto efektive. Kjo përfshin reduktimin e faktorëve të rrezikut nëpërmjet politikave multisektoriale, të bazuara në popullatë dhe forcimit të kujdesit shëndetësor parësor duke i dhënë përparësi popullatave të cënueshme.