Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut, 14 Qershor 2022
Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut 2022: “Dhurimi i gjakut është një akt solidariteti. Bashkoni përpjekjet dhe shpëtoni jetë!”
Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut mbahet çdo vit, më 14 Qershor.
Dita u krijua për të:
– rritur ndërgjegjësimin global për nevojën për gjak të sigurt dhe produkte gjaku për transfuzion;
– nxjerr në pah kontributin e pazëvendësueshëm të dhuruesve vullnetarë (të papaguar) të gjakut në sistemet kombëtare shëndetësore;
– mbështetur shërbimet kombëtare të transfuzionit të gjakut, organizatat e dhuruesve të gjakut dhe organizatat e tjera joqeveritare në forcimin dhe zgjerimin e programeve të tyre të dhurimit vullnetar të gjakut duke përforcuar fushatat kombëtare dhe lokale.
Dita ofron gjithashtu një mundësi për të thirrur në veprim qeveritë dhe autoritetet kombëtare shëndetësore për të siguruar burime të përshtatshme në përputhje me nevojat e shtuara për gjak, nga dhuruesit vullnetarë ( pa pagesë), si dhe për miradministrimin e gjakut me fokus personat që kanë nevojë për transfuzion.
Gjaku dhe produktet e tij janë burime thelbësore për menaxhimin efektiv të grave që vuajnë nga gjakderdhja e lidhur me shtatzëninë dhe lindjen e fëmijëve; fëmijët që vuajnë nga anemia e rëndë për shkak të malaries dhe kequshqyerjes; pacientët me çrregullime të gjakut dhe palcës kockore, çrregullime të trashëguara të hemoglobinës dhe kushte të mungesës së imunitetit; viktimave të traumave, emergjencave, fatkeqësive dhe aksidenteve; si dhe pacientët që i nënshtrohen procedurave të avancuara mjekësore dhe kirurgjikale. Nevoja për gjak është universale, por qasja në gjak nuk korrespondon për të gjithë ata që kanë nevojë për të. Mungesa e gjakut është veçanërisht e mprehtë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Për të siguruar që të gjithë ata që kanë nevojë për transfuzion të kenë akses në gjak të sigurt, të gjitha vendet kanë nevojë për dhurues gjaku vullnetar, sistematik. Një program efektiv i dhurimit të gjakut, i karakterizuar nga një pjesëmarrje e gjerë dhe aktive e popullatës, është thelbësor për plotësimin e nevojës për transfuzion gjaku në kohë paqeje, si dhe gjatë emergjencave apo fatkeqësive, kur ka një rritje të kërkesës për gjak ose kur funksionimi normal i shërbimeve të gjakut është prekur.
Fokusi i fushatës së këtij viti…
Slogani i Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut 2022, “Dhurimi i gjakut është një akt solidariteti. Bashkoni përpjekjet dhe shpëtoni jetë!” synon të tërheqë vëmendjen te rolet që luajnë dhurimet vullnetare të gjakut në shpëtimin e jetëve dhe rritjen e solidaritetit brenda komuniteteve.
Objektivat specifike të fushatës së këtij viti janë:
-Falenderimi i dhuruesve të gjakut në botë dhe krijimi i një ndërgjegjësimi më të gjerë të publikut për nevojën e dhurimit të rregullt dhe të papaguar të gjakut;
-Theksimi i nevojës për dhurim të përkushtuar gjaku gjatë gjithë vitit, për të mbajtur furnizime të përshtatshme, për arritjen e aksesit universal dhe në kohë në transfuzion të sigurt të gjakut;
-Njohja dhe promovimi i vlerave të dhurimit vullnetar pa pagesë të gjakut në rritjen e solidaritetit të komunitetit dhe kohezionit social;
-Rritja e ndërgjegjësimit për nevojën për investime të shtuara nga qeveritë për të ndërtuar një sistem kombëtar gjaku të qëndrueshëm dhe elastik dhe për të rritur grumbullimin nga dhuruesit vullnetarë të gjakut pa pagesë.
Një aktivitet i veçantë që vendet në botë inkurajohen të zbatojnë për fushatën e këtij viti është shpërndarja në media të ndryshme të historive të njerëzve, jetët e të cilëve janë shpëtuar përmes dhurimit të gjakut, si një mënyrë për të motivuar dhuruesit e rregullt të gjakut që të vazhdojnë të kontribuojnë dhe të motivojnë njerëz me shëndet të mirë që nuk kanë dhënë kurrë gjak për të ndjekur shembullin e tyre.
Aktivitete të tjera që do të ndihmonin në promovimin e sloganit të Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut të këtij viti mund të përfshijnë ceremonitë e vlerësimit të dhuruesve, fushatat e rrjeteve sociale, transmetimet e posaçme në media, postimet në media sociale që paraqesin dhurues individualë gjaku (shoqëruar me sloganin), takime dhe seminare, ngjarje muzikore dhe artistike për të falënderuar dhuruesit e gjakut dhe përcjellë frymën e solidaritetit, si dhe ngjyrosja me të kuqe e detajeve apo momenteve ikonë.
Përfshirja dhe mbështetja juaj do të ndihmojë për të siguruar ndikim më të madh për Ditën Botërore të Dhuruesve të Gjakut 2022, si një akt solidariteti shpëtimtar dhe se shërbimet që ofrojnë gjak të sigurt dhe produkte të gjakut janë një element thelbësor i çdo sistemi të kujdesit shëndetësor. Pjesëmarrja e partnerëve të interesuar është e mirëpritur në të gjitha nivelet për ta bërë Ditën Botërore të Dhuruesve të Gjakut 2022 një sukses global.