Dita Botërore e Dëgjimit
Motoja e këtij viti është: Ndryshoni mendësinë – Jini proaktivë për të bërë kujdesin për veshët dhe dëgjimin një realitet për të gjithë!
Ju mund të ndërmerrni hapa sot për të siguruar shëndetin e mirë të dëgjimit gjatë gjithë jetës.
Çdo vit, Dita Botërore e Dëgjimit kremtohet në ditën e tretë të muajit të tretë.
Kjo Ditë, është një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin mbi parandalimin e humbjes së dëgjimit dhe promovimin e kujdesit ndaj veshëve me fokus individin, në çdo moshë apo rrethanë.
OBSH-ja thekson nevojën për të ndryshuar mënyrën se si njerëzit mendojnë për kujdesin ndaj veshit dhe dëgjimit – duke inkurajuar secilin të jetë proaktivë për mbarëvajtjen e shëndetit të tij në këtë aspekt dhe të ndihmojnë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.
Në thelb, inkurajohen individët dhe gjithë shoqëria që të ndërmarrin hapa konkretë për të mbrojtur dëgjimin nga zhurmat e larta, për kontrollin sistematik të mirëfunksionimit të veshëve; për përdorimin e aparateve/pajisjeve dëgjimore, komunikuese – nëse është e nevojshme, dhe mbështjen e çdo individi të evidentuar me probleme.
Rëndësia e kujdesit ndaj veshit dhe dëgjimit
Deri në vitin 2030, mbi 500 milionë njerëz pritet të kenë nivele të ndryshme të humbjes së dëgjimit; ç’ka kërkon ndërhyrje rehabilituese.
Në mbarë botën rezulton se 1 në 5 persona bashkëjetojnë me çrregullime të dëgjimit dhe deri në 2050 vlerësohet se 1 në 4 persona parashikohet të shfaqin problematika të lidhura me dëgjimin.
Më shumë se një miliardë të rinj përballen sot me rrezikun e humbjes së përhershme të dëgjimit për shkak të ekspozimit të tejzgjatur ndaj zhurmave të larta gjatë aktiviteteve argëtuese, si dëgjimi i muzikës, videolojërat etj.
- Humbja e dёgjimit mund tё rezultojë nga shkaqe gjenetike, komplikacione gjatё lindjes, disa sëmundje infektive, infeksione kronike tё veshit, dëmtimet traumatike tё kokës dhe të veshit, përdorimit të disa mjekimeve specifike, moshimi, si dhe ekspozimi i vazhdueshëm nё ambiente tё zhurmshme.
Cilat janë shenjat e hershme të humbjes së dëgjimit të lidhura me moshën dhe kur duhet të kontrolloheni?
Dikush mund të përcaktohet me “humbje dëgjimi”, nëse:
- Shpesh kërkon nga njerëzit që të përsërisin atë që thanë.
- Ka vështirësi në ndjekjen e bisedave në vende të zhurmshme.
- Ka vështirësi në të kuptuarit e asaj që thuhet në telefon.
- Ka vështirësi në të kuptuarit e bisedave në grup.
- Rrit volumin e radios ose televizorit.
- Ka ndjesinë e zhurmës në vesh.
- Ka probleme në dëgjimin e tingujve, si: zile dere/telefoni, alarmi zgjimi.
- Ka tendencë të flasë me zë të lartë.
- Rregullisht humbisni pjesë të bisedave me kolegët, miqtë dhe të afërmit tuaj.
- Njerëzit ju thonë se gjatë bisedave me ta po flisni me zë të lartë.
A mund të ketë humbje dëgjimi fëmija im?
Fëmija juaj mund të ketë humbje dëgjimi nëse:
- Nuk i përgjigjet tingujve ose të folurit.
- Ka zhvillim të vonuar ose jo të saktë të të folurit dhe gjuhës për moshën e tij/saj.
- Nuk mund të kuptojë atë që thoni, ose shpesh kërkon nga njerëzit që të përsërisin atë që thanë.
- Përgjigjet gabimisht ndaj pyetjeve ose udhëzimeve.
- Rrit volumin e radios/televizorit ose ka vështirësi në dëgjimin e asaj që thuhet në telefon.
- Ka performancë të dobët në shkollë ose çështje të sjelljes.
- Shpesh ka sekrecione nga veshi.
- Ka episode të përsëritura dhimbjeje ose bllokimi në vesh.
- Kohët e fundit ka pësuar një sëmundje serioze, si meningjiti.
A mund të kthehet humbja e dëgjimit e lidhur me moshën? A mund të trajtohet?
Humbja e dëgjimit e lidhur me moshën nuk mund të kthehet, pasi shkaktohet nga degjenerimi i qelizave sensoriale. Megjithatë, ajo mund të menaxhohet në mënyrë efektive me përdorimin e aparateve të dëgjimit dhe pajisjeve të tjera të komunikimit.
Prindërit e mi kanë humbje dëgjimi. Çfarë kujdesi duhet të tregoj kur flas me ta?
Kur flisni me një person që ka humbje dëgjimi, sigurohuni që:
- Të qëndroni përballë tij gjatë komunikimit.
- Fytyra juaj të mos jetë e mbuluar apo në errësirë.
- Të mos flisni në momentet që jeni duke u mbllaçitur apo me gojën “plot”.
- Teksa detyroheni të flisni me zë të lartë dhe të qartë – mos bërtisni.
- Jini të kujdesshëm me shqiptimin e fjalëve.
- Minimizoni zhurmën e sfondit (p.sh., duke fikur televizorin ose radion.).
Çfarë masash mund të më ndihmojnë të parandaloj ose “vonoj” fillimin e humbjes së dëgjimit në moshën e pleqërisë?
Duke u kujdesur sistematikisht dhe ndjekur praktika të mira të kujdesit për veshët dhe dëgjimin tuaj, si:
- Mbrojtja e veshëve nga zhurmat e larta.
- Asnjëherë mos përdorni/ vendosni në veshët tuaj mjete rrethanore, mjekime ambulatore, përveç ilaçeve/trajtimeve të përshkruara nga Mjeku.
- Kërkoni trajtim mjekësor në rast të ndonjë problemi me veshët, si dhimbje apo sekrecione.
- Ushqehuni shëndetshëm dhe bëni ushtrime fizike për të shmangur sëmundje si hipertensioni dhe diabeti, që predispozojnë zhvillimin e humbjes së dëgjimit.
- Shmangni pirjen e duhanit.
Si do të dëgjojmë në të ardhmen, – varet nga kujdesi që tregojmë për veshët sot!
Shumë raste të humbjes së dëgjimit mund të shmangen përmes praktikave të kujdesit të duhur dhe dëgjimit të sigurt.
Për ata që jetojnë me humbje dëgjimi, identifikimi i hershëm dhe aksesi në rehabilitimin në kohë, është thelbësor për të arritur potencialin e tyre më të lartë.
Për çdo dyshim dhe shqetësim që mund të keni mbi veshët tuaj apo dëgjimin, paraqituni për vizitë dhe ekzaminime pranë specialistit apo Mjekut të Familjes.