Departamenti i Promocionit të Shëndetit Publik

 

D.Promocionit

Misioni i Departamentit të Edukimit dhe Promocionit Shëndetësor (DEPSH) është të përmirësojë
shëndetin e njerëzve nëpërmjet rritjes së kontrollit mbi shëndetin. Nëpërmjet edukimit shëndetësor, njerëzve u jepet mundësia që të mësojnë rreth shëndetit të tyre dhe të ndryshojnë sjelljen e tyre. Për të realizuar misionin e tij, DEPSH-ja punon në fushat e mëposhtme si:
– Rritja e ndërgjegjësimit të njerëzve për çështjet që lidhen me shëndetin dhe faktorët që
kontribuojnë në shëndet.
– Ofrimi i informacionit.
– Motivimi dhe bindja e njerëzve për të ndryshuar stilin e tyre të jetës për të përmirësuar
shëndetin e tyre.
– Pajisja e njerëzve me aftësi dhe besim për t’i bërë këto ndryshime.

Departamenti i Edukimit dhe Promocionit Shëndetësor nuk përqendrohet në punën e tij vetëm tek individi, por merr në konsideratë edhe faktorët e tjerë social, ekonomik dhe politik, të cilët përcaktojnë shëndetin. Kjo sepse shëndeti është një përgjegjësi e përbashkët e gjithë shoqërisë.
Mjedisi dhe veprimtaria politike është gjithashtu në fokus të këtij departamenti.

Promovimi i shëndetit kryhet nëpërmjet:
Advokacisë- Ky departament kryen advokaci duke paraqitur interesat e grupeve të disavantazhuara të popullatës, duke folur në interes të tyre ose duke lobuar për të influencuar politikat e ndryshme qeveritare në mbrojtje të shëndetit të këtyre grupeve.

Mundësimit- Departamenti ka për qëllim të reduktojë diferencat në statusin e shëndetit dhe të sigurojë mundësi të barabarta për të gjithë njerëzit që të arrijnë plotësisht potencialin e tyre për shëndet.

Ndërmjetësimit-Detyrë e departamentit është edhe koordinimi dhe bashkëpunimi ndërmjet agjencive dhe sektorëve të ndryshëm qeveritar dhe joqeveritar për të përmirësuar shëndetin e popullatës.