Dita Botërore e Shëndetit Mendor organizohet çdo 10 tetor, me objektiv të përgjithshëm rritjen e ndërgjegjësimit lidhur me problemet e shëndetit mendor dhe mobilizimin e përpjekjeve në mbështetje të një shëndeti mendor më të mirë. Slogani këtij viti ishte Shëndeti mendor në punë. Shëndeti mendor është shumë i rëndësishëm për punën. Në kohët tona shëndeti mendor dhe mirëqenia e punonjësve janë thelbësore për mbarëvajtjen e ecurisë së punës, në biznes, kompani, institucion, etj. Kjo ditë, me anë të sloganit të vendosur këtë vit që është “Shëndeti mendor në punë”, ka si qëllim të rritë ndërgjegjësimin lidhur me shëndetin mendor si tek punëdhënësit ashtu edhe tek punonjësit. Ajo synon të: • Promovojë shëndetin mendor në punë; • Të kuptojë dhe parandalojë çështje që shkaktojnë stres dhe probleme të shëndetit mendor; • Mbështesë punonjësit që kanë probleme të shëndetit mendor ; • Zhvillimi i programeve efektive për të ririntegruar ata punonjës që përjetojnë stres dhe probleme të shëndetit mendor.

 

Aktivitet senibilizues tek Reja në bashkëpunim me APRA

 

Sektori i Shëndetit Mendor në Departamentin e Promocionit të Shëndetit, Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me APRA (Albanian Psychosocial Rehabilitation Asociation), organizoi një takim sensibilizues. Në takim morën pjesë, punonjës, të punësuar në sektorin publik edhe privat, specialistë të fushës, studentë të psikologjisë, etj.

U dhanë mesazhe lidhur me shëndetin mendor, promovimin e shëndetit mendor pozitiv, parandalimin e problemeve të shëndetit mendor, duke u përqëndruar sidomos në sloganin e këtij viti që është “Shëndeti mendor në punë”. .  Shëndeti mendor pozitiv përkufizohet si një gjendje në të cilën çdo individ realizon potencialin e tij vetjak, mund të përballet me streset normale të jetës, mund të punojë në mënyrë produktive dhe frytdhënëse dhe është në gjendje të kontribuojë për komunitetin. Punonjësit me një  shëndet të mirë  mendor, do të përformojnë më mirë në punë.  Nga ana tjetër, problemet e shëndetit mendor mund të prekin këdo, në çfarëdo moshe apo nga secili backround. Gjithësesi, me mbështetjen e duhur, shumica e njerëzve mund ta kalojnë.

Një pjesë e konsiderueshme e këtij takimi ishte në ndarjen e eksperiencave nga disa prej pjesëmarrësit lidhur me problematikat e lidhura me shëndetin mendor në punë si dhe mënyrat praktike për zgjidhjen e tyre.

 

Aktivitet sensibilizues me temë: “Të flasim për shëndetin mendor dhe përdorimin e drogave”, në bashkëpunim me AGSH dhe ACPPS

 

Më datë 10 Tetor në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me Shoqatën ”Analiza e Grupit në Shqipëri” (AGSH) dhe Qendrën Shqiptare për Shërbime Psikologjike dhe Psikoterapeutike (ACPPS), organizuan një aktivitet sensibilizues me temë ”Të flasim për shëndetin mendor dhe përdorimin e drogave.  Ky aktivitet u konceptua si një dikutim i hapur në grup, ku të pranishmit u ftuan që të flisnin për përjetimet, njohuritë, opinionet si dhe eksperiecat  e tyre personale për çështjet që kanë të bëjnë me shëndetin mendor dhe përdorimin dhe abuzimin e substancave kryesisht nga adoleshentët dhe të rinjtë. Ky format që u huazua nga modeli i Analizës së Grupit, e cila është një modalitet e psikoterapisë në grup,  u moderua nga disa facilitues të AGSH-së, të trajnuar në drejtimin e grupeve të tilla, mundësoi ballafaqimin e opinioneve, njohurive dhe eksperiencave jetësore të pjesëmarrësve me njëri-tjetrin.

Gjatë diskutmit u sollën eksperienca konkrete, u diskutua mbi vështirësit dhe pengesat që hasin të rinjtë në komunikim me njëri-tjetrin, me mësuesit dhe me prindërit. Mbi përdorimin e substancave të ndryshme, varësinë ndaj telefonit dhe internetit si dhe ndikimin që këto kanë në shëndetin e tyre mendor. Pjesëmarrës të tjerë si mësues, prindër, profesionist të shëndetit mendor dhe njerëz të thjeshtë ndanë  me grupin eksperencat dhe mendimet e tyre në lidhje me vështirësitë dhe sfidat që ata hasin me të afërmit e tyre ose që ata vetë kanë në komunikimin e problemeve dhe shqetësimeve psikoemocionale si dhe pritshmëritë dhe qëndrimet që ata kanë ndaj këtyre çështjeve.

Në fund të aktivitetit, të pranishmit ndanë ndjesitë dhe mendimet e tyre në lidhje me këtë eksperiencë të re të diskutimit në grup të tematikave kaq delikate por që janë mjaft të prekshme për të gjithë. Pjesëmarrësit dhanë vlerësime mjaft pozitive dhe sugjeruan që aktivitet të ngjashme të ofrohen në vijmësi si një mënyrë alternative për të trajtuar problemet e shëndetit mendor dhe përdorimit të drogave.

Ky aktivitet u zhvillua në ambjentet e Qëndrës Rinore të Tiranës.