Aktivitet sensibilizues në Pedonalen e Tiranës në kuadër të Javës së

Katërt Botërore të Sigurisë Rrugore

 

Në kuadër të Javës së Katërt Botërore të Sigurisë Rrugore, në datë 11 Maj 2017, në Pedonalen e Tiranës, Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me Sektorin e Promocionit

Shëndetësor në ASHR, organizuan një aktivitet sensibilizues me pjesëmarrjen e të rinjve të shkollave të mesme te qytetit. Në mjediset e Pedonales u ekspozuan punime të vizatuara nga gjimnazistë, me sloganin e Javës: “Shpëto jetën – ngadalëso shpejtësinë”.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të Drejtorisë së Policisë Rrugore, Kryqit të Kuq Shqiptar, Shoqata për Mbrojtjen nga Aksidentet Automobilistike, Këshilli Shqiptar i Sigurisë

Rrugore si dhe nga zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tiranë, e cila mbështeti edhe aktivitetin. Aktiviteti u hap nga Drejtori i Policisë Rrugore, Z. Skënder Ismaili, i cili i bëri thirrje të rinjve që të tregohen më të kujdesshëm gjatë përdorimit të rrugës. Duke qenë se fokusi i Javës është ulja e shpejtësisë, ai e përqendroi fjalën e tij në evidentimin e rreziqeve dhe pasojave që vijnë nga përdorimi mjeteve me shpejtësi të lartë.

Në vijim, shefja e Departamentit të Promocionit Shëndetësor, Dr. Gentiana Qirjako, dha mesazhin e Javës, duke i ftuar të rinjtë të bëhen pjesë e aktiviteteve ndërgjegjësuese për sigurinë rrugore. Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen nga Aksidentet Automobilistike, Z. Demir Osmani, inkurajoi të rinjtë që do të marrin lejen e drejtimit për herë të parë, që të jenë të kujdesshëm dhe të zbatojnë me përpikmëri të gjitha rregullat e qarkullimit rrugor që do të mësojnë gjatë kursit të trajnimit.

Në fund të aktivitetit, të rinjtë lëshuan disa balona me mesazhe, me synimin e sensibilizimit të sa më shumë qytetarëve të Tiranës për të kontrolluar shpejtësinë gjatë drejtimit të mjetit. Zhvillimi i këtij aktiviteti u realizua në sajë të një bashkëpunimi shumë të mirë të

Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Rrugore, ISHP, ASHR, dhe shoqërisë civile. Aktiviteti u mbulua edhe nga media.