Seksioni i Ujit dhe Sanitetit

Seksioni i Ujit dhe Sanitetit, si qendër reference shkencore në fushën e ujit dhe sanitetit, kryen studime dhe hulumtime në lidhje me vlerësimin e rrisqeve mjedisore, impaktin në shëndet, nëpërmjet kryerjes së ekspertizave.

Propozon dhe punon në vazhdimësi në lidhje me përmirësimin e legjislacionit, standardeve dhe normave duke patur parasysh përafrimin e tij me legjislacionin e BE-së.
Ofron ndihmë tekniko-profesionale për specialistët e shëndetit publik, shërbimit të higjienës dhe Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, ofron trajnimin dhe kualifikimin e specialistëve të shëndetit mjedisor me anë të seminareve, si dhe trajnimin dhe edukimin universitar në Shëndetin Publik.

Ndjek dhe mban nën kontroll të vazhdueshëm, nëpërmjet analizës së të dhënave nga strukturat shëndetësore, situatën e furnizimit me ujë të pijshëm dhe cilësinë e tij në nivel kombëtar, jep rekomandime dhe detyra për zbatim duke vlerësuar faktorët e rriskut.

Përgatit Raportin Vjetor mbi cilësinë e ujit të pijshëm në nivel Kombëtar, bazuar në Raportet Vjetore të strukturave rajonale të Shëndetit Publik, DSHP/DRSH.

Përgatit në vazhdimësi informacione shkencore në fushën e ujit dhe sanitetit, me qëllim ndikimin në politikat shëndetësore kombëtare.

Organizon, studion dhe merr masa për zbatimin e Programit Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit, mbi monitorimin e ujit të pijshëm dhe ujërave sipërfaqësore.

Organizon dhe kontrollon punën për gadishmërinë në situata emergjente, me qellim parandalimin e epidemive me origjinë hidrike.

Harton treguesit analitik për secilin laborator, bashkëpunon dhe konsultohet me specialistë mikrobiologë dhe kimistë, për probleme të ndryshme në lidhje me rezultatet analitike.

Përgatit Raport Analizat bazuar në rezultatet e laboratorëve përkatës për të gjithë elementët e përshkruar në kërkesat e subjekteve, si dhe pjesë e studimeve të miratuara.

Për vlerësimin e cilësisë së ujit të pijshëm (ujëra nëntokësorë/ujëra sipërfaqësorë me destinacion për ujë të pijshëm/vepra të trajtimit të ujit) pranë Departamentit Shëndeti dhe Mjedisi janë atashuar laboratorët për analizimin mikrobiologjik, fiziko-kimik, toksikologjik (metalet e rënda, vajra & graso, PAH-et dhe pesticide). Ujërat e analizuara në këto laboratorë, përfaqësojnë burimin e ujit, veprën e marrjes së ujit, depon apo rrjetin ujësjellës në të cilin është marrë mostra e ujit (bazuar në kërkesën e të interesuarit).

Institucioni apo subjekti i interesuar, paraqitet pranë sekretarisë së ISHP-së dhe dorëzon një kërkesë, në të cilën duhet të jetë e shkruar qartë emri apo subjekti që bën kërkesën, me adresë të saktë, qëllimin për të cilin kërkon të kryhet analiza, parametrat që do të analizohen, adresa e saktë e vendit ku do të merret uji për analizë dhe një numër telefoni kontakti apo adresë poste elektronike. Institucioni apo pala e interesuar për analiza, që sjell kërkesën, duhet të ketë me vete një mjet identifikimi dhe në raste të bizneseve edhe numrin e licencës së biznesit (NIPT-in). Kjo kërkesë i kalon titullarit të institucionit për vlerësim (miratim).

Mostrat transportohen në kushtet e temperaturës jo më shumë se 4°C, në termobokse. Mostra/t e sjellë/a për analizë regjistrohen në regjistrat e pranimit të mostrave të ujërave pranë Seksionit Uji dhe Saniteti, të cilat kodohen dhe dërgohen për analizim në laboratorët përkatës. Raport – Analiza është e vlefshme vetëm për mostrën/at e sjellë/a dhe të analizuar/a në laboratorë, e cila përmban treguesin e analizuar, rezultatet, vlerën parametrike, normën dhe metodën e analizimit. Për përmbushjen e kërkesës së subjektit dhe konkluzionet përfundimtare, referuar VKM 379 datë 25.05.2016 Nenit 9 dhe 16 të saj, subjekti duhet ti drejtohet ISHSH.

Gjithashtu kryhet edhe analizimi i lëndëve kimike për trajtimin e ujit të pijshëm të lejuara për tregtim dhe përdorim në Republikën e Shqipërisë (përditësuar në prill 2014 sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Rregullores 528/2012 të BE “Për produktet biocide”) dhe VKM 379 datë 25.05.2016. Këto kërkesa për mendim vijnë nga të tretët (subjekte) dhe/ose Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Lëndët denzifektante të cilat analizohen pranë laboratorëve të departamentit janë: Hipoklorit Ca kokrrizor, Hipoklorit Na, Tretësirë hipokloriti prodhuar in situ, Acid sulfurik, Acid klorhidrik, Karbon aktiv pluhur / kokrrizor, Poliklorur alumini tretësirë të cilat analizohen për përqindjen e klorit aktiv dhe vlerësimin toksikologjik (metalet e rënda).

Pranë laboratorëve të këtij departamenti bëhet edhe analizimi i ujërave të shkarkimeve industriale të lëngëta, për zbatim nga ana e subjekteve të VKM 177 datë 31.3.2005 “Për normat e lejuara të shkarkimeve të lëngëta dhe kriteret e zonimit të mjediseve ujore pritëse”, të ardhura me kërkesë pranë Seksionit.

 

Adresa dhe kontakte:

e_mail: uji_saniteti@yahoo.com

 

Orari i pritjes së mostrave:

E Hënë – E Enjte: ora 900 – 1200