7 Maj 2019 Dita Botërore e Astmës
- This event has passed.
Description
7 Maj 2019
Dita Botërore e Astmës
Qëllimi i kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit lidhur me astmën dhe ndikimin që ajo ka te pacientët. Në këtë ditë synohet të rritet numri i diagnostikimeve dhe kujdesi për këtë sëmundje.
Dita Botërore e Astmës është vendosur në vitin 1998 dhe organizohet të martën e parë të muajit maj; këtë vit organizohet më 7 maj.
Astma është një sëmundje inflamatore kronike e rrugëve të frymëmarrjes e karakterizuar nga kriza periodike që shfaqen kryesisht me probleme në frymëmarrje dhe spazma bronkiale, të cilat variojnë në ashpërsi dhe frekuencë nga një person tek tjetri.
Simptomat e astmës përfshijnë teshtima, kollë, dhimbje gjoksi dhe frymëmarrje të shpeshtë. Këto simptoma mund të shfaqen disa herë brenda ditës apo javës, dhe mund të përkeqësohen gjatë aktivitetit fizik, natën, etj. Pra variojnë te pacientë të ndryshëm.
Përsëritja e vazhdueshme e simptomave të astmës mund të shkaktojë pagjumësi, ndjesi lodhjeje, ulje të nivelit të aktivitetit fizik, mungesa në punë/shkollë, etj.
Astma shkaktohet nga faktorë gjenetikë dhe mjedisorë. Këta faktorë ndikojnë në ashpërsinë e astmës dhe mënyrën se si reagon ndaj medikamenteve. Kjo marrëdhënie është shpesh komplekse dhe e vështirë të kuptohet.
Kontrolli i gjendjes aktuale të astmës është një hap i domosdoshëm dhe është në përgjegjësinë e profesionistëve shëndetësorë më shumë se sa të pacientëve. Menaxhimi i astmës nga ana tjetër kërkon bashkëpunimin e pacientit me stafin mjekësor.
Fakte nga Organizata Botërore e Shëndetësisë
- Sipas OBSH-së, 235 milionë njerëz vuajnë nga astma në rang global.
- Astma është sëmundja kronike më e përhapur te fëmijët.
- Astma është e pranishme në të gjitha vendet e botës, pavarësisht nivelit të zhvillimit (80% e vdekjeve për shkak të astmës ndodh në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme).
- Astma në shumë raste është e padiagnostikuar dhe e patrajtuar, duke krijuar një barrë domethënëse për individin dhe familjen, si dhe duke kufizuar aktivitetin individual në kontekste të ndryshme të jetës.
Hapa ndihmës për përballimin e astmës
- Me ndihmën e mjekut duhet të përgatitet një plan personal i trajtimit.
- Pacienti duhet të njohë faktorët e rrezikut që lidhen me astmën.
- Të merren ilaçet e përshkruara nga mjeku, të cilat mundësojnë lehtësimin e simptomave dhe mbajnë nën kontroll përkeqësimin e mëtejshëm.
- Pacienti duhet të kuptojë kur simptomat përkeqësohen
- Pacienti duhet të jetë i përgatitur për krizat astmatike dhe për hapat që duhet të ndërmarrë.