Informacion i përditësuar/ Situata e fruthit në Shqipëri
Tiranë, 16 Janar – Instituti i Shëndetit Publik informon qytetarët në lidhje me situatën e deritanishme të fruthit në vendin tonë dhe masat për të parandaluar përhapjen e tij.
Për periudhën 1-15 janar 2019 janë raportuar në total 15 raste (pozitive) të konfirmuara me fruth.
Nga rastet e konfirmuara në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik, pjesa më e madhe e rasteve i përkasin grupmoshës nën 2 vjeç. Për këtë arsye, ISHP ju bën thirrje të gjithë prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre, sipas Kalendarit Bazë të Vaksinimit, sepse është mbrojtja më e mirë për parandaluar fruthin si dhe për të ulur komplikacionet që vijnë prej tij. Për shkak se kjo periudhë e vitit sjell rritjen e rasteve të infeksioneve respiratore dhe gripit, bëhet akoma më i rëndësishëm vaksinimi i fëmijëve për të parandaluar përhapjen e fruthit.
Masat e ndërrmara nga ISHP për mbrojtjen nga epidemia e Fruthit:
– Izolimi në pavione të caktuara (në pediatri dhe tek të rriturit) dhe vetëizolimi për rastet ambulatore.
– Masa standarte të kontrollit të infeksionit dhe të transmetitmit ajror.
– Përdorim i maskave nga personeli dhe pacientët kur shkojnë në ekzaminime.
– Vaksinim i personelit.
– Monitorim i gjendjes mbrojtëse të personelit ndaj Fruthit.
– Vaksinim brenda 72 orëve i kontakteve.
– Vendosja e survejancës aktive në nivel kombëtar.
– Trajnime me pjesëmarrjen e mjekëve të institucioneve parashkollore dhe shkollore si dhe mjekëve të familjes.
Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon vaksinimin e të gjithë fëmijëve si dhe të rriturve që janë në rrezik për t’u infektuar, për të cilët kryerja e vaksinës së fruthit nuk është e kundërindikuar.