20 Tetor Dita Botërore e Osteoporozës
- This event has passed.
Description
20 Tetor
Dita Botërore e Osteoporozës
Dita Botërore e Osteoporozës është organizuar për herë të parë në 20 tetor të vitit 1996 nga Shoqata Kombëtare e Osteoporozës në Mbretërinë e Bashkuar, me mbështetjen e Komisionit Europian.
Prej vitit 1997, Dita Botërore e Osteoporozës organizohet çdo vit në 20 tetor dhe udhëhiqet nga Federata Ndërkombëtare e Osteoporozës.
Dita Botërore e Osteoporozës është një fushatë sensibilizuese mbarëbotërore, e cila ka si qëllim të rrisë informimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin, diagnozën e hershme dhe trajtimin e osteoporozës.
Që nga fillimi i saj, Dita Botërore e Osteoporozës ka luajtur një rol të rëndësishëm në ngritjen e vetëdijes publike për shëndetin e kockave, për parandalimin e osteoporozës dhe thyerjeve të kockave prej saj. Fushatat vjetore kanë qenë gjithashtu të suksesshme në rritjen e ndërgjegjësimit publik edhe për çështje të tjera specifike si: osteoporoza te meshkujt, osteoporoza mbas menopauzës, ushqimi për kocka të shëndetshme, ndikimi i frakturave në cilësinë e jetës, roli i aktivitetit fizik në shëndetin e kockave, thyerjet vertebrore, faktorët e rrezikut, parandalimi i thyerjeve sekondare etj.
Çfarë është osteoporoza?
Osteoporoza është një sëmundje gjatë së cilës densiteti i kockës dhe cilësia e saj reduktohet gradualisht duke e bërë atë më të thyeshme. Humbja e masës kockore ndodh në mënyrë të heshtur dhe graduale, shpesh pa simptoma derisa ndodh fraktura e parë. Në shumë raste është ajo që evidenton osteoporozën, prandaj dhe është quajtur “epidemi e heshtur”.
Vlerësohet se mbi 200 milionë njerëz në mbarë botën janë prekur nga osteoporoza. Në mbarë botën, 1 në 3 gra dhe 1 në 5 meshkuj mbi moshën 50 vjeç pësojnë një thyerje kocke prej osteoporozës. Osteoporoza shkakton më tepër se 8.9 milionë fraktura në vit. Çdo tri sekonda ndodh një frakturë nga osteoporoza.
Kush mund të preket nga osteoporoza?
Osteoporoza prek si femrat ashtu edhe meshkujt. Keqkuptimi më i zakonshëm është se osteoporoza prek vetëm femrat. Është e vërtetë se gratë në menopauzë janë më të rrezikuara për osteoporozë, por ajo prek miliona meshkuj anembanë botës. Rreziku i frakturave te meshkujt është më i madh se rreziku i zhvillimit të kancerit të prostatës. Disa faktorë rreziku duket se shtojnë rrezikun për osteoporozë. Këta faktorë mund të jenë 1) të pandryshueshëm ose 2) të ndryshueshëm/të modifikueshëm
Faktorë të pandryshueshëm janë:mosha, gjinia (gratë, sidomos mbas menopauzës, janë më të rrezikuara), historia familjare (familjarë të afërt sidomos prindërit me osteoporozë paraqesin rrezik për osteoporozë), menopauza, hypogonadizmi te meshkujt, përdorimi për një kohë të gjatë i disa ilaçeve (kortizonikë, hormone të tiroides, antiepileptikë, citostatikë), artriti reumatoid si dhe disa sëmundje kronike (keqpërthithja, sëmundjet e mëlçisë, hyperthyroidismi, etj.).
Megjithëse faktorët e mësipërm nuk mund të ndryshohen, është e rëndësishme që njerëzit të njohin faktorët e rrezikut individual apo të ndryshueshëm/të modifikueshëm, të cilët mund të mbahen nën kontroll. Këta faktorë përfshijnë: konsumin e lartë të alkoolit, pirjen e duhanit, indeksin e ulët të masës trupore (nëse është < 19-20kg/m2, kjo rrit rrezikun për fraktura), ushqyerjen e varfër me kalcium dhe proteina, marrjen e paktë/deficiti në vitaminë D, aktivitetin e paktë fizik, etj.
Cilat janë shenjat e osteoporozës?
Duke qenë se humbja e masës kockore gjatë osteoporozës ndodh gradualisht dhe është e padhimbshme, ajo nuk ka simptoma të dukshme që tregojnë se një person është duke zhvilluar osteoporozën. Për këtë arsye osteoporoza quhet “epidemi apo sëmundje e heshtur”. Megjithatë, disa shenja si dhimbja e lehtë, reduktimi i gjatësisë trupore me disa cm apo frakturat mund të jenë të lidhura me osteoporozën. Një pjesë e mirë e rasteve janë fare pa shenja dhe osteoporoza konstatohet rastësisht mbas kryerjes së një testi të matjes së densitetit kockor.
Si diagnostikohet osteoporoza?
Për vendosjen e diagnozës rekomandohet kryerja e testit të matjes së densitetit kockor
(BMD-test). Të gjithë individët mbi 50 vjeç, veçanërisht gratë në menopauzë dhe ata të cilët kanë një faktor rreziku, duhet të bëjnë matjen e densitetit kockor.
Si mund të parandalohet osteoporoza?
Pas moshës 20 vjeç, hollimi i kockave është një proces natyral që nuk mund të ndalet plotësisht, prandaj ndërgjegjësimi për osteoporozën duhet të fillojë që në moshë të re.
Mënyra më e mirë për të parandaluar dobësimin e kockave është fillimi i aktivitetit fizik dhe ushqyerja e shëndetshme që në fëmijëri, dhe ruajtja e këtyre zakoneve dhe në moshë të rritur.
Kryerja e ushtrimeve të rregullta fizike luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe mbajtjen e masës kockore. Ushtrimet janë individuale, por përgjithësisht shumica e njerëzve kanë nevojë për 30-40 minuta aktivitet fizik, 3 deri 4 herë në javë.
Sasia e kalciumit që duhet të marrim ndryshon në stade të ndryshme të jetës. Kërkesat për kalcium janë të larta në vitet e adoleshencës. Me kalimin e moshës aftësia e trupit për të përthithur kalcium ulet. Ushqimet e pasura me kalcium janë: qumështi e produktet e tij; perimet jeshile si brokoli, lakra jeshile; disa fruta si portokalli, kajsia, fiqtë e thatë; peshku i konservuar, sardelet; arrat, bajamet; drithërat; lëngjet e frutave, etj.
Vitamina D është gjithashtu esencilale për përthithjen e kalciumit. Ekspozimi për 15 minuta në ditë në diell i duarve, i krahëve dhe fytyrës, është zakonisht i mjaftueshëm për prodhimin e vitaminës D për shumicën e njerëzve. Vitamina D mund të sigurohet edhe nga ushqimet dhe suplementët. Ushqime të pasura me vitaminë D janë vaji i peshkut, veza, mëlçia, drithërat, etj.
Ndjekja e një stili të shëndetshëm jetese është pjesë e kujdesit për kocka të shëndetshme.
Mospirja e duhanit, pirja e moderuar e alkoolit dhe mbajtja e peshës trupore brenda kufijve të normës, janë disa faktorë të rëndësishëm. Kafeina dhe kripa mund të rrisin humbjen e kalciumit nga trupi, prandaj nuk duhet të merren në sasi të tepërta. Megjithëse nuk ka të dhëna bindëse që tregojnë se pijet e gazuara joalkoolike dobësojnë kockat, nuk duhet tepruar me to.
Çdo person duhet të jetë i vetëdijshëm për faktorët e rrezikut personal që mund të ndikojnë në shëndetin e kockave, dhe të konsultohet me mjekun nëse është në rrezik.
Cilat janë trajtimet për osteoporozën?
Në varësi nga rezultatet e testit të densitetit kockor, mjeku mund të japë ilaçe dhe suplementë për të parandaluar humbjen e masës kockore. Një mjekim i përshtatshëm i kombinuar me ndryshime të stilit të jetesës mund të shmangë shumë nga frakturat. Trajtimi i osteoporozës është efektiv vetëm nëse merret sipas rekomandimeve të mjekut.
Trajtimi i osteoporozës zgjat për periudha të gjata kohore, prandaj për shumë njerëz nuk është i këndshëm. Por kjo nuk duhet të jetë arsye për ta ndërprerë mjekimin.
Krahas mjekimit, marrja e mjaftueshme e kalciumit dhe vitaminës D është e domosdoshme mbasi ndihmon për të siguruar efektivitetin maksimal të mjekimit me medikamente.