Dita Botërore e Shëndetit Mendor 10 Tetor 2018

Loading Events
  • This event has passed.
Description

10 Tetor 2018

Dita Botërore e Shëndetit Mendor

“Shëndeti mendor i të rinjve në një botë në ndryshim”

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar 10 tetorin e çdo viti si Ditën Botërore të Shëndetit Mendor. Në këtë ditë jepet mundësia për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e shëndetit mendor, si dhe përpjekjet në mbështetje të shëndetit mendor. Në mbarë botën, 10-20% e fëmijëve dhe adoleshentëve përjetojnë probleme të shëndetit mendor. Gjysma e problemeve të shëndetit mendor fillon në moshën 14-vjeçare. Nëse nuk trajtohen, këto probleme ndikojnë në zhvillimin fizik dhe mendor, në arritjet dhe mundësitë për të përmbushur të gjithë potencialin individual.

Slogani i këtij viti “Shëndeti mendor për të rinjtë në një botë në ndryshim” synon:

  • Të përforcojë advokacinë, udhëheqjen efektive lidhur me aspekte të ndryshme të shëndetit mendor të fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve.
  • Të përqendrojë vëmendjen te shërbimet efektive, te diagnostikimet e hershme dhe te parandalimi lidhur me shëndetin mendor të fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve.
  • Të implementojë strategji për promovimin e mirëqenies psikosociale, për parandalimin e problemeve të shëndetit mendor dhe të drejtave të njeriut, të fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve me probleme të shëndetit mendor.

Të rinjtë shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të kohës së tyre në internet duke u përballur me krime kibernetike, bullizëm kibernetik dhe video-lojëra të dhunshme. Po ashtu po rriten shifrat e të rinjve që kryejnë vetëvrasje, që abuzojnë me substanca apo që paragjykohen për shkak të orientimit të ndryshëm seksual. Mosha e re përbën moshën ku mund shfaqen probleme serioze të shëndetit mendor, dhe në jo pak raste mungon informacioni lidhur me shëndetin mendor.

Pikërisht për këtë arsye, slogani i vendosur këtë vit synon të theksojë nevojën e të rinjve për të folur dhe ndarë problemet e tyre, në mënyrë që të jenë të shëndetshëm.

 

Është koha të mbështesim më shumë të rinjtë – e ardhmja është në dorën e tyre

Adoleshenca dhe vitet e para të moshës së rritur janë një periudhë e jetës në të cilën ndodhin shumë ndryshime, si për shembull ndryshimi i shkollës, largimi nga familja, fillimi i një shkolle të lartë apo i një pune të re.

Për shumicën e të rinjve kjo periudhë është e mbushur me emocione. Por mund të jetë edhe një periudhë e mbushur me stres e pikëpyetje. Në disa raste, nëse nuk kuptohen dhe menaxhohen, këto ndjenja mund të shkaktojnë probleme të shëndetit mendor.

Përdorimi i tepruar i teknologjisë dhe internetit, përveçse mund të sjellë përfitime, në të njëjtën kohë mund të shkaktojë probleme, p.sh. lidhja me rrjete virtuale në çdo orë të ditës apo natës.

Gjithashtu, ka shumë adoleshentë që jetojnë në zona emergjence humanitare që kanë konflikte, fatkeqësi natyrore, epidemi, etj.

Të rinjtë që jetojnë situata të tilla janë më vulnerabël ndaj problemeve të shëndetit mendor.

Gjysma e problemeve të shëndetit mendor fillojnë në moshën 14-vjeçare

Gjysma e problemeve të shëndetit mendor fillojnë në moshën 14-vjeçare, por shumica e rasteve mbeten të padiagnostikuara dhe të patrajtuara. Tek adoleshentët depresioni renditet në vend të tretë. Vetëvrasja përbën shkakun e dytë të vdekjes në moshën 15-29 vjeç. Përdorimi problematik i alkoolit dhe i drogave të paligjshme tek adoleshentët, në shumë vende përbën shkakun kryesor të sjelljeve të rrezikshme, të tilla si seksi i pambrojtur apo drejtimi i pasigurt i mjeteve motorike.

Rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit mendor

Për fat të mirë, ka një rritje të ndërgjegjësimit lidhur me rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit mendor që në moshë të vogël, me qëllim përgatitjen për sfidat e kohës së sotme. Ka plot të dhëna se promovimi dhe mbrojtja e shëndetit mendor të adoleshentëve sjell përfitime jo vetëm për shëndetin e adoleshentëve por edhe për shoqërinë në përgjithësi, e cila duke patur të rinj të shëndetshëm ka mundësi më të mëdha për të kontribuar në punë, në familje e komunitete.

Gjithsesi, mund të bëhet ende shumë më tepër për kujdesin ndaj shëndetit mendor që në moshë të vogël, në mënyrë që të parandalohen probleme të tilla tek adoleshentët dhe të rinjtë.

Parandalimi fillon me ndërgjegjësimin lidhur me kuptimin e shenjave dhe simptomave të para të problemeve të shëndetit mendor. Prindërit dhe mësuesit mund të ndihmojnë në krijimin e aftësive të fëmijëve dhe adoleshentëve për jetën, për përballimin e sfidave të përditshme në shkollë apo familje. Mbështetja psikosociale mund të ofrohet në shkollë ose në komunitet.

Investimi për përfshirjen e programeve të informimit lidhur me shëndetin mendor dhe rritjen e ndërgjegjësimit për këto aspekte është shumë i rëndësishëm. Këto programe duhet të synojnë rritjen e ndërgjegjësimit tek adoleshentët dhe të rinjtë, për mënyrat se si mund të kujdesen për shëndetin mendor, se si të ndihmojnë bashkëmoshatarët, prindërit e mësuesit, dhe se si të ofrojnë mbështetjen e duhur për ata që kanë nevojë.

 

 

 

 

 

Start Date - End Date

Oct 09, 2018 - Oct 10, 2018

Start Time - End Time

10:00 pm - 9:59 pm

Share This