Java e Sigurisë Rrugore 7-13 Maj 2018
- This event has passed.
Description
Java e Sigurisë Rrugore 7-13 Maj 2018
Java e Sigurisë Rrugore përfshin qindra shkolla, organizata dhe komunitete çdo vit.
Ajo synon të frymëzojë komunitetet për të ndërmarrë veprime në sigurinë rrugore dhe për të promovuar mesazhe të shpëtimit të jetës.
Ajo gjithashtu siguron një pikë kontakti për profesionistët që punojnë në sigurinë rrugore për të rritur ndërgjegjësimin dhe angazhimin në punën e tyre.
Të gjitha grupet sociale përfshihen në aktivitetet e kësaj jave; nxënësit e shkollave, klubet e të rinjve, aktivistët e komunitetit, punëdhënësit, klubet sportive, zjarrfikësit, etj.
Tematika e javës është: “PO rripit të Sigurimit-JO përdorimit të celularit”
Një nga faktorët më të rrezikshëm që shkakton dëmtime të rënda dhe fatale gjatë aksidenteve rrugore, lidhet me mospërdorimin e rripit të Sigurimit. Grupmosha më e prirur për mospërdorimin e paisjeve mbrojtëse, janë të rinjtë.
Sipas të dhënave rezulton që përdorimi i rripave të sigurimit tek automjetet dhe i kaskave mbrojtëse tek motoçikletat, është ende në nivele të ulëta po t’a krahasojmë me vendet e tjera të Europës. Megjithse, nga viti në vit, kemi një rritje të përqindjes së përdoruesve të rripit të sigurimit dhe kaskave mbrojtëse, përsëri jemi shumë larg parashikimit të vitit 2020 që kërkon deri në 80% të përdorueseve të kësaj mase sigurie.
Përdorimi i mjeteve mbrojtëse gjatë udhëtimit, ul rrezikun e përfshirjes në aksidente vdekjeprurëse. Veçanërisht kjo konstatohet në dy vitet e fundit 2016-2017, ku vërehet që përqindja e viktimave që ka përdorur mjete mbrojtëse është shumë më e ulët krahasuar me ata që nuk kanë përdorur këto mjete gjatë udhëtimit.
Mungesa e rripit të sigurimit kur qarkulloni me makinë, përbën rrezik për jetën tuaj dhe është një model i keq për fëmijët. Të mos harrojmë se më shumë se gjysma e fëmijëve nuk tranportohen siç duhet gjatë udhëtimit me automjete. Tregoni kujdes në lëvizje, vendosini fëmijët në sedilen e pasme me rrip sigurie dhe në poltronin e posaçëm.
Përdorimi i telefonave celularë gjatë drejtimit të mjetit ndikon direkt në uljen e përqëndrimit të vëmendjes tuaj, duke ulur aftësinë e manovrimit në trafikun rrugor. Ai ndikon në drejtimin e mjetit sipas shënjave në rrugë, ndikon në kontrollin e shpejtësisë, në kontrollin e distancës ndërmjet dy mjeteve etj.
Sipas studimeve të kryera nga ekspertët e huaj, drejtuesit që përdorin telefonin celular gjatë drejtimit të mjetit, janë katër herë më të rrezikuar të përfshihen në aksidente se sa ata që nuk e përdorin telefonin celular.