Veshkat dhe Shëndeti i Grave
- This event has passed.
Description
Veshkat dhe Shëndeti i Grave
“Përfshi, Vlerëso, Fuqizo”
Sëmundjet kronike të veshkave (SKV) janë një problem i shëndetit publik në mbarë botën, me rezultate të cilat çojnë në insuficiencë renale dhe vdekje të parakohshme. SKV-të prekin afërsisht 195 milionë gra në mbarë botën, dhe aktualisht janë shkaku i tetë i vdekjeve te gratë, me përafërsisht 600.000 vdekje çdo vit.
Rreziku për zhvillim të SKV-ve është i njëjtë, si te burrat ashtu dhe te gratë, por këto të fundit mund ta kenë pak më të lartë. Sipas disa studimeve, SKV-të kanë më tepër gjasa të ndodhin te femrat krahasuar me meshkujt, me një prevalencë mesatare 14 % te femrat dhe 12 % te meshkujt. Megjithatë, numri i femrave që bëjnë dializë apo janë në dializë është më i ulët se numri i meshkujve. Deri më sot njihen tri arsye kryesore për këto sëmundje: progresi apo përparimi i SKV-ve është më i ngadaltë te femrat krahasuar me meshkujt; barrierat
psiko-socio-ekonomike si ndërgjegjësimi i ulët ndaj sëmundjes, çojnë në vonimin ose mosfillimin e dializës te femrat; aksesi i pabarabartë në kujdesin shëndetësor është një prej çështjeve kryesore në vendet të cilat nuk kanë akses për kujdesin shëndetësor universal.
Gjithashtu, transplanti i veshkave është i përhapur në mënyrë të pabarabartë, kryesisht si pasojë e aspekteve sociale, kulturore dhe psikologjike. Madje, në disa vende të cilat sigurojnë transplantim dhe trajtim të veshkave në mënyrë të barabartë për meshkujt dhe femrat, femrat zakonisht tentojnë të bëjnë më tepër dhurime dhe kanë më pak gjasë të marrin dhurime. Aktualisht ekziston një nevojë e qartë për të adresuar çështjet e një aksesi të barabartë për kujdes shëndetësor te gratë, pasi aktualisht mungon, si dhe për të rritur ndërgjegjësimin dhe edukimin e femrave për të lehtësuar qasjen e tyre në trajtimin dhe në rezultate më të mira shëndetësore.
Infeksioni i veshkave dhe Nefropatia e shkaktuar nga Lupusi
Disa sëmundje të veshkave si p.sh. dëmtimi i veshkave i shkaktuar nga Lupusi, apo infeksionet e veshkave (pielonefriti akut ose kronik) prekin më shumë femrat. Dëmtimi i veshkave nga Lupusi është një sëmundje e veshkave e shkaktuar nga një sëmundje autoimune, e cila është një çrregullim në të cilin sistemi imunitar i trupit sulmon apo dëmton vetveten duke prekur qelizat dhe organet e trupit. Pielonefriti është një sëmundje që mund të prekë një ose edhe të dy veshkat. Infeksionet e veshkave (si infeksioni më i shpeshtë i traktit urinar) janë më të shpeshta te femrat dhe rreziku për këto infeksione rritet gjatë shtatzënisë. Për të patur rezultate sa më të mira ndaj këtyre infeksioneve, ashtu si për shumë sëmundje renale, diagnoza dhe trajtimi duhet të bëhen në kohë.
Sëmundjet e veshkave dhe shtatzënia
Sëmundjet kronike të veshkave konsiderohen gjithashtu një faktor rreziku për ecurinë sa më të mirë të një shtatzënie dhe për uljen e fertilitetit (lindshmërisë). Femrat me SKV kanë rrezik në ecurinë e shtatzënisë, si për vete ashtu edhe për bebin. Shtatzënia te femrat me SKV të avancuar ka një rrezik të lartë për zhvillimin e çrregullimeve të tensionit arterial dhe për lindje të parakohshme. Edhe pse është e rrallë, femrat që janë në dializë kanë një ulje të lindshmërisë por konceptimi është i mundur. Kur femrat shtatzëna janë në dializë rezultatet përmirësohen me një trajtim intensiv të dializës (ditor ose gati ditor).
Femrat që kanë kryer me sukses një transplant të veshkave kanë më shumë mundësi për të mbetur shtatzënë dhe për të patur një lindje të suksesshme. Megjithatë, meqënëse ndërlikimet janë vënë re më shumë te këto femra sesa në popullatën e përgjithshme, një këshillim mjekësor përpara konceptimit duhet të kërkohet gjithmonë. Ekziston një nevojë e dukshme e rritjes së ndërgjegjësimit për SKV-të në shtatzëni, për identifikimin sa më herët të tyre gjatë shtatzënisë, si dhe për ndjekjen në vazhdimësi të grave me SKV gjatë dhe pas shtatzënisë. Nga ky këndvështrim, shtatzënia mund të jetë një rast i vlefshëm për një diagnostikim sa më të hershëm të SKV-ve dhe planifikimin e ndërhyrjeve terapeutike.
Nga ana tjetër, ndërlikimet në lidhje me shtatzëninë rrisin rrezikun për sëmundje të veshkave. Pre-eklamsia, e cila është një sindromë ku një defekt në implantimin e placentës ndikon te veshkat duke dhënë hipertension dhe proteinuri, dhe është një nga tre shkaqet kryesore të vdekshmërisë amtare. Pre-eklamsia, aborti septik (infeksion i placentës) dhe hemorragjia pas lindjes janë shkaqet kryesore të dëmtimeve akute të veshkave te femrat e reja, si dhe foshnjat e lindura mund të vuajnë në të ardhmen nga SKV.
Barra e këtyre ndërlikimeve amtare është veçanërisht e lartë te gratë që jetojnë në vendet në zhvillim, si pasojë e mungesës së kujdesit universal dhe atij prenatal në kohën e duhur, e menaxhimit të gabuar të femrave me pre-eklamsi, dhe si pasojë e mungesës së dializës në rastet e rënda të dëmtimeve akute të veshkave.
Mesazhi ynë
Ekziston nevoja e qartë për ndërgjegjësim më të lartë, për diagnostikim në kohën e duhur dhe për ndjekje në vazhdimësi të SKV-ve gjatë shtatzënisë. Nga ana tjetër shtatzënia mund të jetë një rast i mirë për një diagnostikim sa më të hershëm të SKV-ve, duke bërë të mundur planifikimin e ndërhyrjeve terapeutike.
Në Ditën Botërore të Veshkave dhe Ditën Botërore të Femrës 2018, të cilat organizohen në të njëjtën ditë, jepet mundësia për të reflektuar mbi rëndësinë e shëndetit të femrave dhe më specifikisht për shëndetin e veshkave. Në përvjetorin e 13-të, Dita Botërore e Veshkave promovon qasje të barabartë e të përballueshme për edukim shëndetësor, kujdes shëndetësor dhe parandalim për sëmundjet e veshkave për të gjitha gratë dhe vajzat në botë.