3 Dhjetor 2017, Dita Botërore e Personave me Aftësi Ndryshe
- This event has passed.
Description
“Transformimi drejt një shoqërie të qëndrueshme dhe reziliente për të gjithë”
- Dita Botërore e Personave me Aftësi Ndryshe
3 Dhjetori përkujtohet çdo vit nga vendet e OKB-së si Dita e Personave me Aftësi Ndryshe (PAN). Kjo datë u caktua nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në nder të PAN, për të promovuar të drejtat e PAN në të gjitha sferat e shoqërisë, si dhe zhvillimin e tyre duke rritur ndërgjegjësimin mbi situatën e PAN në aspekte të tilla si politike, ekonomike, sociale, shëndetësore dhe kulturore.
Tema e sivjetme e Ditës Botërore për Aftësinë Ndryshe është:
“Transformimi drejt një shoqërie të qëndrueshme dhe reziliente për të gjithë”
Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi Ndryshe, e miratuar në vitin 2006, është zhvilluar më tej në të drejtat dhe mirëqenien e PAN nëpërmjet implementimit të Objektivave Globale të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030, si dhe kornizave ndërkombëtare të zhvillimit.
- Çfarë është aftësia ndryshe?
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, personat me aftësi ndryshe janë individët që kanë dëmtime afatgjata fizike, mendore, intelektuale ose shqisore, të cilat në ndërveprim me pengesa të ndryshme mund të pengojnë pjesëmarrjen e plotë dhe efikase të këtyre personave në shoqëri, në kushte të barabarta me të tjerët.
Kufizimi i aktivitetit është një vështirësi që haset nga një individ në kryerjen e një detyre apo veprimi. Kufizimet e pjesëmarrjes, nënkuptojnë vështirësitë që një individ mund të ndeshë gjatë përfshirjes në situata të jetesës së përditshme.
Paafësia nuk është vetëm një problem shëndetësor, por është një fenomen kompleks që pasqyron ndërveprimin midis veçorive të trupit të një personi dhe karakteristikave të shoqërisë në mjediset ku jeton. Vështirësitë që hasin personat me aftësi ndryshe kërkojnë ndërhyrje për të hequr pengesat mjedisore dhe sociale.
- Të dhëna epidemiologjike për personat me aftësi ndryshe në Shqipëri
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se në nivel botëror, personat me aftësi ndryshe përbëjnë 15% të popullsisë.
1 në 10 europianë ka ndonjë dëmtim fizik, ndijor ose mendor.
Personat me aftësi ndryshe kanë të njëjtat nevoja shëndetësore si personat jo me aftësi ndryshe. Këta persona kanë të drejta të barabarata për kujdes shëndetësor ashtu si dhe pjesa tjetër e popullsisë.
Ata gëzojnë të drejtën për rimbursim të barnave dhe për kujdes shëndetësor.
Personat me aftësi ndryshe në Shqipëri
- 6.2 % e popullësisë në moshë madhore në Shqipëri është me aftësi ndryshe.
- Personat madhorë me aftësi ndryshe në moshë për punë kanë 2 herë më shumë gjasa të jenë jashtë fuqisë punëtore sesa personat jo me aftësi ndryshe.
- 1-5 të rinj (15-24 vjeç) me kufizime në shikim janë në kërkim të punës, por nuk mund të gjejnë një të tillë.
- Aspekte të kujdesit shëndetësor të personave me aftësi ndryshe
Mbi 1 miliard njerëz në të gjithë globin përjetojnë një formë të caktuar të aftësisë ndryshe Personat me aftësi ndryshe kanë të njëjtat nevoja për përkujdesje shëndetësore si dhe njerëzit e tjerë
Por ata kanë:
- 2 herë më shumë mundësi të gjejnë profesionistë dhe shërbime shëndetësore të papërshtatshme.
- 3 herë më shumë mundësi t’u mohohet kujdesi shëndetësor.
- 4 herë më shumë mundësi të trajtohen keq nga sistemi i kujdesit shëndetësor.
Gjithashtu:
- Gjysma e personave me aftësi ndryshe nuk kanë mundësi ekonomike të mbulojnë shpenzimet shëndetësore.
- 50% e tyre vuajnë nga pasojat e shpenzimeve shëndetësore katastrofike.
- Pagesat në dorë të shpenzimeve shëndetësore që nuk janë të mbuluara mund ta shpien një familje drejt varfërisë.
- Rehabilitimi dhe përdorimi i aparaturave që ofrojnë asistencë u mundëson personave me aftësi ndryshe të jenë të pavarur.
- 200 milionë njerëz kanë nevojë për syze ose pajisje të tjera optike dhe nuk kanë akses ndaj tyre.
- 70 milionë njerëz kanë nevojë për karrige me rrota. Vetëm 5-15% kanë akses ndaj tyre.
- 360 milionë njerëz në gjithë globin kanë probleme me dëgjimin, nga format më të lehta në ato më të rënda.
- Prodhimi i pajisjeve për dëgjimin mbulon vetëm:
-10% të nevojave në rang global
-3% të nevojave në vendet e zhvilluara.
- Ofrimi i aksesit të shërbimeve shëndetësore ndaj personave me aftësi ndryshe është i mundur, si dhe do të reduktonte pabarazinë e papranueshme të dhënies së shërbimeve shëndetësore.
Prandaj duhet:
- Heqja e barrierave fizike në qendrat shëndetësore.
- Ofrimi i shërbimeve shëndetësore të mundshme.
- Trajnimi i gjithë personelit shëndetësor mbi çështjet dhe nevojat e personave me aftësi ndryshe.
- Investimi në shërbime specifike si rehabilitimi.
- Objektivat Globale të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Aftësia Ndryshe
“Personat me Aftësi Ndryshe” ose “aftësia ndryshe” përmenden në mënyrë specifike në Axhendën e Objektivave Globale të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030.
Personat në situata vulnerabël janë të përfshirë në mënyrë specifike në Axhendën e Objektivave Globale të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030.
Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm që lidhen me aftësitë ndryshe janë:
Objektivi Nr. 4 – Garantimi i aksesit dhe edukimit të barabartë duke krijuar ambiente edukuese gjithëpërfshirëse, si dhe duke siguruar asistencë për personat me aftësi ndryshe.
Objektivi Nr. 8 – Promovimi i një zhvillimi ekonomik përfshirës, punësimi i plotë dhe dhënia e mundësisë personave me aftësi ndryshe për të patur akses të plotë në tregun e punës.
Objektivi Nr. 10 – Vënia e theksit në përfshirjen sociale, ekonomike dhe politike e personave me aftësi ndryshe.
Objektivi Nr. 11– Krijimi i qyteteve të aksesuesshme dhe me burime ujore, ofrimi i një sistemi transporti publik të përballueshëm, të aksesueshëm dhe të qëndrueshëm, si dhe mundësimi i aksesit universal ndaj burimeve të sigurta dhe hapësirave të gjelbërta.
Objektivi Nr. 17 – Vënia e theksit në rëndësinë e mbledhjes së të dhënave dhe në monitorimin e OZHQ-së, si dhe mbi të dhënat e disagregua.