Vdekshmëria, barra në sistemin shëndetësor dhe zhvillime të reja në fushën e monitorimit të faktorëve rrezikues

 

Vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare janë frenuar, dhe dy vitet e fundit vërehet rënie e tyre. Numri i vdekjeve nga këto sëmundje ishte 11 500 në vitin 2015 dhe rreth 11 000 në vitin 2016 (INSTAT). Ulja e duhanpirjes te personat mbi 40 vjeç, zbatimi i ligjit për duhanpirjen në hapësirat publike, ndërgjegjësimi më i mirë i popullatës për kontrollin e faktorëve rrezikus, të tillë si hipertensioni, hiperkolesterolemia, hiperglicemia etj., konsiderohen faktorë që kanë ndikuar në këtë prirje.

Barra në sistemin shëndetësor gjithsesi vijon të jetë në rritje për arsye të rritjes së nevojës, por edhe të ofertës në sistem (ekzaminimet e ofruara nga programi check-up, klinikat e koronarografisë, etj.). Rritja e aksesit në shërbimet e kujdesit parësor gjatë viteve të fundit është një tregues pozitiv i përmirësimit të përdorimit të shërbimeve shëndetësore në Shqipëri, dhe i kontaktit mesatar për çdo banor me sistemin shëndetësor; numri i vizitave nga 6 300 000 në vitin 2013 ka arritur në 8 100 000 vizita në vitin 2016.

Gjithsej, pranë mjekëve të familjes në Shqipëri janë të regjistruar rreth 80 000 persona me sëmundje të zemrës. Këtu nuk llogariten rreth 250 000 persona me hipertension (ISKSH). Operacionet by-pass për rivendosjen e qarkullimit të gjakut në muskulin e zemrës, të kryera nga QSUT-ja, pothuaj janë 10-fishuar në 15 vitet e fundit. Numri i tyre nga rreth 30 në vitin 2000, sot është pothuaj 300 në vit (QSUT).

Strategjia e parë kombëtare e sapomiratuar e kontrollit të sëmundjeve kronike, ku sëmundjet e zemrës përbëjnë objektivin kryesor, do të japë një përgjigje afatgjatë për këtë problem. Fokusi do të vijojë të ngelet parandalimi dhe trajtimi më i mirë i faktorëve rrezikues me mbështetjen e shërbimeve të kujdesit parësor. Vijimi i luftës kundër duhanit, ushqyerja e shëndetshme (parashikohen për herë të parë aktivitete në drejtim të uljes së konsumit të kripës dhe monitorimit të saj në popullatë) dhe inkurajimi i aktivitetit fizik, janë disa prej tyre, ndërkohë që potencialet janë ende mjaft të mëdha për të kapur herët dhe menaxhuar më mirë hipertensionin dhe diabetin.

Studimi Demografik Shëndetësor 2017-2018, i cili është adaptuar në bazë të nevojave kombëtare të shprehuara në strategjinë e kontrollit të sëmundjeve kronike, është një ndërmarrje e madhe në drejtim të monitorimit të faktorëve rrezikues kardiovaskularë në popullatën e vendit, që do të lejojë vlerësimin e prirjeve në rajone të ndryshme të vendit dhe grupe të ndryshme të popullatës për të adaptuar më pas edhe ndërhyrjet përkatëse në këtë fushë