Në kuadër të Ditës Botërore të Hepatitit, Instituti i Shëndetit Publik, organizoi aktivitete për të përmirësuar njohuritë e publikut për rrezikun e hepatitit, dhe për të përmirësuar qasjen ndaj shërbimeve të testimit dhe trajtimit ndaj tij.
Një nga aktivitetet ishte dhe mbështetja e Kabineteve të Promocionit në Drejtoritë e Shëndetit Publik në dy rrethe bregdetare Vlorë e Sarandë (trajnim gjatë punës) për të organizuar një fushatë sensibilizuese në plazhe duke qënë se në këtë periudhë aty ka më tepër grumbullime njerëzish.
Në vendet më tepër të frekuentuara nga publiku u vendosen tavolina me materiale informative (si volante, fletëpalosje dhe postera) ku specialistë të ndryshëm jepnin mesazhe kyçe për parandalimin e hepatitit. Nëpërmjet një megafoni gjithashtu specialistët shpërndanin mesazhe parandaluese tek publiku.
Po ashtu specialistët shkonin nëpër çadra duke dhënë informacion dhe duke ju përgjigjur pyetjeve të publikut.
Mediat lokale pasqyruan këto aktivitete duke kontribuar në shpërndarjen edhe më të gjerë të informacionit.
Kjo fushatë u organizua në bashkëpunim dhe me pjesëmarrjen e specialistëve nga sektorët të tjerë në DShP- Sektori i Epidemiologjisë, QKTV, mjekë infeksionist, si dhe organizata të ndryshme. Të dy rrethet patën mbështetjen dhe bashkëpunimin e Bashkive te rretheve respektive.
Në rrethin e Sarandës ekipit ju bashkua edhe stafi i Kabinetit të Promocionit të rrethit Delvinë, me qëllim shpërndarjen e eksperiencave dhe modelit të bashkëpunimit.
Gjthashtu, u inkurajuan të gjithë Kabinetet e Promocionit të rretheve për të zhvilluar aktivitete në rrethet e tyre në kuadër të kësaj dite.