Në kuadër të Ditës Botërore kundër Duhanit, Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me Sektorin e Promocionit Shëndetësor në ASHR, organizuan një aktivitet sensibilizues në ambientet e shkollës së Mesme Ekonomike në Tiranë.
Qëllimi i këtij aktiviteti, në të cilin morën pjesë nxënës, mësues dhe personel mjekësor, ishte rritja e ndërgjegjësimit lidhur me rreziqet që sjell konsumi i duhanit në organizëm te moshat e reja. Aktiviteti u hap me shfaqjen e një filmi, i cili tregonte sesi të rinjtë që nisin konsumin e duhanit në moshën 15-vjeçare, në moshën 24-vjeçare shfaqin një kapacitet të funksionimit të mushkërisë 10% më të ulët nga kapaciteti i mushkërisë të personave që nuk kanë konsumuar kurrë duhan. Në vijim, specialistja e Sektorit kundër Abuzimit me Substancat pranë Departamentit të Promocionit në ISHP, prezantoi një material i cili përcillte mesazhet kryesore të Ditës Botërore kundër Duhanit sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Tema e këtij viti ishte “Duhani, një kërcënim për zhvillimin”.
Gjatë prezantimit u tregua sesi duhani dëmton jo vetëm indet dhe organizmin tonë por edhe se përdorimi i tij është një kërcënim për çdo person, pavarësisht nga gjinia, mosha, raca, prejardhja kulturore ose arsimore. Duhanpirja dëmton jo vetëm shëndetin por edhe ekonominë. Në prezantim u treguan disa mënyra të cilat mund të ndihmojnë të rinjë për të lënë duhanin, si dhe u theksua se çdo njeri ka të drejtë të ketë ajër të pastër, pa tym duhani.
Në vijim, të rinjtë i drejtuan pyetje shefit të Sektorit kundër Abuzimit me Substancat në ISHP, z.Roland Shuperka lidhur me duhanpirjen pasive, zbatimin e ligjit antiduhan në vendin tonë, duhanpirjen gjatë shtatzënisë etj.
Në përfundim të aktivitetit, të rinjve iu shpërndanë materiale informative si fletëpalosje dhe broshura lidhur me ndikimin e duhanit në shëndet.