Në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit, me temë “Le të flasim për depresionin”, Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Autoritetin Shëndetësor të Tiranës organizuan në datën 7 Prill 2017 një aktivitet ndërgjegjësues në Parkun Rinia të Tiranës. Në këtë aktivitet morën pjesë profesionistë të shëndetit publik, mjekë të shkollave të Tiranës, studentë të shëndetit publik dhe të moshuar aktivistë të rrjetit MOSHA.

Dr. Alban Ylli u dha përgjigje të gjitha pyetjeve të gazetarëve që lidheshin me situatën e depresionit në Shqipëri. Ai e vuri theksin në situatën problematike të depresionit tek të moshuarit tanë, pasi aktualisht një pjesë e konsiderueshme e të moshuarve në Shqipëri ndihen të vetmuar. Dr. Ylli, prezantoi disa nga gjetjet e një studimi mbi të moshuarit në Tiranë, duke e vënë theksin në faktorët social të rrezikut për depresion tek të moshuarit, të tillë si arsimimi më i ulët dhe të ardhurat e pamjaftueshme, ndërsa mes faktorëve biologjikë më të rëndësishmit janë prania e më shumë se dy sëmundjeve kronike. Rrjetet e dobëta sociale dhe familjare e rrisin gjithashtu rrezikun.

Gjithashtu në aktivitet u theksuan edhe mesazhet kyç të ditës botërore të shëndetit:

 Depresioni është një çrregullim mendor i zakonshëm që prek individë të të gjitha moshave, nga të gjitha nivelet social-ekonomike dhe të gjitha shtetet.

 Rreziqet për depresion ndikohen nga varfëria, papunësia, ndodhi jetësore të tilla si vdekja e personave të dashur ose ndërpreja e një marrëdhënieje romantike, sëmundje fizike, si dhe probleme që shkaktohen nga përdorimi i alkoolit dhe drogave.

 Depresioni shkakton shqetësime të konsiderueshme mendore dhe ndikon në aftësinë e individit për të kryer funksionet me të thjeshta ditore, nganjëherë të ndjekura me pasoja shkatërruese në marrëdhëniet familjare dhe shoqërore.

 Depresioni i patrajtuar mund të pengojë individët që të punojnë dhe që të përfshihen në jetën familjare dhe komunitare.

 Në gjendjen më të keqe të tij, depresioni mund të çojë në vetëvrasje.

 Depresioni mund të parandalohet dhe të trajtohet në mënyrë efektive. Trajtimi zakonisht përfshin psikoterapitë ose mjekimin nëpërmjet medikamenteve, ose kombinimin e tyre.

 Të kapërcyerit e stigmës që zakonisht lidhet me depresionin do të çonte shumë njerëz që të merrnin ndihmë.

 Komunikimi me njerëzit që ju i besoni, mund të jetë hapi i parë drejt shërimit nga depresioni.

I gjithë aktiviteti u pasqyrua në media.

DSC_7609

DSC_7599

DSC_7601
DSC_7612