Fakte mbi përhapjen e depresionit në popullatë dhe stigmën rreth tij

 

Depresioni është një problem shëndetësor shumë i shpeshtë në popullatë. Vlerësohet se rreth 1 në 4 persona vuajnë nga depresioni të paktën një herë në jetën e tyre. Për fat të keq, ky problem nuk trajtohet si sëmundjet e tjera por rrethohet nga stigma. Për një kohë të gjatë, depresioni në vendet komuniste është konsideruar gabimisht si shenjë e dobësisë së karakterit.

Gjithmonë e më shumë vërehet se depresioni rrit rrezikun për sëmundje të tjera të rëndësishme, si sëmundjet kardiovaskulare.

Në Shqipëri, përhapja e depresionit në popullatë është shumë më e madhe sesa mund të vlerësohej nga rastet e diagnostikuara në shërbimet shëndetësore. Kështu, Studimi Demografik dhe Shëndetësor në Shqipëri (ADHS) i vitit 2009 nuk identifikonte më shumë se 2% të popullatës 15-49 vjeç, si persona të cilët një mjek i kishte diagnostikuar me depresion. Në të vërtetë, prevalenca e problemit në popullatë është shumë herë më madhe dhe shumica dërrmuese e individëve, të rinj apo të moshuar, vuajnë më gjatë dhe më rëndë nga çdo të ndodhte nëse do të flisnin për të dhe do të merrnin trajtimin apo mbështetjen e duhur.

Ka dy studime të Institutit të Shëndetit Publik, që kanë mundur të matin përmasat e depresionit vitet e fundit në Tiranë, bazuar në metodologji të krahasueshme. Një studim me ndjekje 2012-2016 te një kampion (kohorte) të moshuarish dhe një studim transversal te një kampion të rinjsh të shkollave të mesme i vitit 2013.

Nga kohorti prej rreth 400 të moshuarish, të ndjekur gjatë 5 viteve lidhur me shenjat e depresionit*, vërehet se pavarësisht një rënieje në vite, ai ngelet shumë i lartë krahasuar me popullata të tjera në vende të zhvilluara, por në disa raste ngelet më i lartë edhe në vende me zhvillim të ngjashëm ekonomik. Në vitin 2016, 1 në 4 të moshuar kishte probleme me depresionin**. Femrat gjithmonë janë në rrezik më të lartë për të vuajtur nga depresioni. (figura1)

Faktorë rreziku socialë për depresionin mes të moshuarve në Tiranë rezultojnë arsimi më i ulët dhe pamjaftueshmëria e të ardhurave, ndërsa mes faktorëve biologjikë më të rëndësishmit janë prania e më shumë se dy sëmundjeve kronike. Rrjetet e dobëta sociale dhe familjare rritin gjithashtu rrezikun.

Studimi dëshmon një proporcion shumë të ulët (më pak se 5%) të angazhimit të të moshuarve në jetën sociale (përfshirje në shoqata, klube e organizata të tjera me natura të ndryshme).

Një studim i vitit 2013, që përdorte metodologji të ngjashme tek te rinjtë e shkollave të mesme të Tiranës (14-18 vjeç), tregonte se rreth 1 në 3 prej tyre paraqisnin shenja të depresionit. Sërish rreziku është shumë i lartë mes femrave (figura 2). Studimi tregoi se të rinjtë kanë ende shumë vështirësi për të komunikuar me profesionistët për çështje të lidhura me depresionin.

Ka tregues në vendin tonë që dëshmojne se depresioni nuk menaxhohet mirë nga pikëpamja mjekësore në popullatë. Kështu, vërehet një nivel i lartë i përdorimit të anksiolitikëve*** pa kontrollin e mjekut (pa recetë), ndërkohë që përdorimi i medikamenteve antidepresive është minimal.

Programi i kontrollit bazë mjekësor 40-65 vjeç (i zgjeruar tashmë edhe në moshat 35-70 vjeç) përfshin mes të tjerash edhe një pyetësor të shkurtër për matjen e depresionit dhe kapjen e trajtimin e hershëm të tij nga mjekët e kujdesit parësor. Ndërkohe që programi po funksionon mjaft mirë me testet e tjera biologjike, nga një vlerësim i shpejtë pranë qendrave shëndetësore vërehet se shumica e personave nuk pranojnë ta kryejnë pyetësorin e depresionit, mesa duket për shkak të stigmës që e rrethon këtë sëmundje.

Ngelen prioritete të rëndësishme lufta kundër stigmës që rrethon depresionin, rritja e besimit mes komuniteteve dhe profesionistëve, integrimi i grupeve vulnerabël në shoqëri, shtimi i mundësive për një jetë më aktive etj.

Figura 1

(%)

Fig 1

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Figura 2

(%)

 

Fig 2

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shënime

*Për matjen e depresionit është përdorur shkalla CES-D. Janë kategorizuar si persona me shenja të depresionit gjithë ata me rezultat mbi 16 në këtë shkallë.

**Një pjesë e shkaqeve të rënies së prevalencës në kampionin e ndjekur në Tiranë është edhe vdekja e një pjese të personave me shenja të depresionit gjatë 5 viteve të ndjekjes.

***barna për mjekimin e ankthit