Trajnim i personelit shëndetësor të rrethit Delvinë, mbi shëndetin seksual dhe riprodhues

 

Instituti i Shëndetit Publik, në vazhdim të zbatimit të funksionit të tij për fuqizimin e kapaciteteve lokale, dhe me kërkesë të Drejtorisë së Shëndetit Publik, Delvinë, organizoi aktivitete trajnuese mbi shëndetin seksual dhe riprodhues me personelin e shërbimit shëndetësor të këtij rrethi.

Qëllimi i trajnimit ishte të pajiste personelin shëndetësor me njohuri bazë shkencore të rifreskuara mbi komponentët e shëndetit riprodhues si edhe me çështje të tjera që lidheshin me edukimin e komunitetit për të rritur ndërgjegjësimin mbi problematika të lidhura me të.

Bazuar në programin dy ditor të akredituar të trajnimit, në këtë seminar u trajtua nga një temë për secilën prej komponentëve të shëndetit riprodhues, përfshirë dhe dhunën me bazë gjinore si dhe fertilitetin i cili nuk ishte trajtuar më parë.

U organizuan gjithësej dy aktivitete trajnuese; trajnimi i parë u organizua në datat 19- 20 korrik dhe trajnimi i dytë në 21-22 korrik, 2016.

Në këto trajnime u përfshinë mjek dhe personel i mesëm shëndetësor i qendrave shëndetësore të fshatrave dhe të qytetit, por edhe një pjesë e stafit shëndetësor të spitalit, për shkak se puna e tyre e përditëshme është e lidhur me fushën e shëndetin riprodhues.

Programi ishte i ndërtuar në mënyrë interaktive me prezantime, punë në grupe, shfaqje video, demostrim praktik, luajtje roli, etj, me qëllim që pjesmarrësit jo vetëm të merrnin njohuri bashkëkohore por njëkohësisht të pajiseshin edhe me aftësi praktike.

Pjesëmarrësit demostruan praktikisht seanca këshillimi për planifikimin familjar, ekzaminimin klinik dhe vetëekzaminimin e gjirit, etj, për tu aftësuar ti aplikojnë këto teknika gjatë praktikës së punës së tyre të përditshme.

Në fund të trajnimit pjesmarrësve ju shpërndanë edhe materiale të ndryshme informative për ti përdorur gjatë punës së tyre edukativo shëndetësore, si fletë palosje, broshura, volante, revista, etj.

 

 

 


Trajnim i personelit shëndetësor të rrethit Delvinë