Informacion

Mbi realizimin e aktiviteteve të planifikuara për Javën Europiane të Sensibilizimit kundër Kancerit të Qafës së Mitrës, 24-30 janar 2016

Në kuadër të Javës Europiane të Sensibilizimit kundër Kancerit të Qafës së Mitrës, Departamenti i Promocionit në bashkëpunim edhe me Departamentin e Epidemiologjisë dhe Sistemeve Shëndetësore, Departamentin e Sëmundjeve Infektive,  si dhe me partnerë të tjerë si ASHR dhe ACPD, realizuan një sërë aktivitetesh.

 

Një nga këto aktivitete ishte trajnimi i stafit të Kabineteve të Promocionit të rretheve, i cili u realizua në mjediset e Institutit të Shëndetit Publik. Trajnimi kishte për qëllim të njihte stafin e këtyre kabineteve me informacionin e përditësuar lidhur me parandalimin dhe kontrollin e kancerit të qafës së mitrës si dhe mënyrat e organizimit të aktiviteteve sensibilizuese në nivel lokal.

Në pjesën e parë të trajnimit u dha informacion mbi situatën aktuale në botë dhe në Shqipëri lidhur me kancerin e qafës së mitrës, shkaktarët si dhe grupet e rriskut. Në pjesën e dytë lektorët u fokusuan në detaj në principet dhe teknikat e depistimit, metodat e depistimit dhe kapjes së herëshme, diagnozën dhe trajtimin e pre-kancerit të qafës së mitrës. Një vend të rëndësishëm zuri edhe prezantimi i informacionit mbi elementët e organizimit të një programi kombëtar të kapjes së herëshme dhe depistimit të kancerit të qafës së mitrës. Gjithashtu, u trajtuan shkurtimisht edhe  elementë që lidheshin me sistemin e referimit dhe kujdesin paliativ.

Vendin kryesor e zuri informacioni mbi mënyrat e parandalimit të kancerit të qafës së mitrës, duke dhënë informacion të detajuar mbi dy rrugët kryesore të parandalimit: vaksinimi kundër HPVsë si dhe kontrollet periodike nëpërmjet testit HPV dhe Pap testit.

Edukimi, këshillimi dhe metodat e punës edukativo shëndetësore në komunitet lidhur me kapjen e herëshme të kancerit të qafës së mitrës ishin pjesa e  rëndësishme e këtij trajnimi.

Në fund të trajnimit u diskutuan dhe u planifikuan aktivitetet lokale që do të kryeshi në çdo rreth në kuadër të kësaj jave.

Aktivitete të tjera ishin edhe takimet informative në disa nga shkollat e mesme dhe universitete të qytetit të Tiranës në bashkëpunim edhe me partnerë të tjerë si ASHR dhe ACPD. Këto takime synonin të adresonin dy target grupe: nxënësit e studentët si dhe mësueset. Një arsye tjetër për përzgjedhjen e këtij target grupi ishte edhe përcjellja e informacionit në familjet e tyre, shoqëri edhe më gjerë. Duke dashur të arrinim një grup sa më të gjerë pjesmarrësish, një pjesë e takimeve u organizuan në palestrat e shkollave.

Fillimisht mjekët specialistë prezantuan një material mbi situatën aktuale të kancerit të qafës së mitrës, shkaktarin dhe mënyrat e transmetimit të virusit HPV (shkaktarit kryesor të kancerit të qafës së mitrës) si dhe grupet e rriskut. Edhe këtu u dha informacion më i detajuar mbi dy rrugët kryesore të parandalimit: vaksinimi kundër HPV-së si dhe kontrollet periodike nëpërmjet testit HPV dhe Pap testit. Në fund të prezantimit u zhvillua një seancë pyetje-përgjigje, ku specialistët ju dhanë përgjigje pyetjeve të nxënësve.

Këto aktivitete u organizuan në Unversitetin Europian të Tiranës, shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi”, shkollën e mesme “Andon Zako Çajupi” si dhe shkollën e mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”.

Sigurisht një nga target grupet kryesore që u përzgjodh për tu arritur ishin edhe gratë. Për këtë arsye u zhvillua një takim ndërgjegjësues me gratë, në një nga repartet fasone të Kompleksit “Xhura”, në Tiranë, në bashkëpunim  me ASHR dhe ACPD. Takimi u organizua në formën e një bisede. Në fund të takimit pjesmarrëseve ju shpërndanë materiale informative lidhur me kancerin e qafës së mitrës.

Për më tepër lexoni materialin në pdf : këtu