24-30 Janar 2016 Java Evropiane e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës

Loading Events
  • This event has passed.
Description

KANCERI I QAFËS SË MITRËS

Java Evropiane e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës është një fushatë sensibilizuese evropiane, e cila ka si qëllim të rrisë informimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin dhe kapjen e hershme të kancerit të qafës së mitrës te femrat.

Informacion i përgjithshëm mbi kancerin e qafës së mitrës

Kanceri i qafës së mitrës është një tumor që formohet në qafën e mitrës. Ai është kanceri i dytë më i zakonshëm te gratë sidomos në vendet në zhvillim, me rreth 445.000 raste të reja në vitin 2012. Kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje tërësisht e parandalueshme e megjithatë, ai mbetet shkak i rëndësishëm i vdekjes nga kanceri te gratë në mbarë botën. Në vitin 2012, rreth 270.000 gra kanë vdekur nga kanceri i qafës së mitrës në vendet në zhvillim. Në këto vende, mundësia e kufizuar për kontroll bën që sëmundja të identifikohet kur ka përparuar dhe janë shfaqur shenjat. Përveç kësaj, mundësitë për trajtim në fazë të vonshme janë të pakta, duke rezultuar në norma më të larta të vdekjes nga kanceri i qafës së mitrës në këto vende.

Si është situata e kancerit të qafës së mitrës në Shqipëri?

Në Shqipëri raportohen rreth 100 raste të reja çdo vit nga Shërbimi i Onkologjisë në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” dhe më shumë se 1/3 e tyre përfundojnë në vdekje. Më tepër se gjysma e rasteve diagnostikohen në stade të avancuara, kur trajtimi është shumë më pak efektiv dhe shumë i shtrenjtë. Tashmë është e njohur se kanceri i qafës së mitrës së bashku me kancerin e gjirit janë bërë kërcënim kryesor i shëndetit të grave në Shqipëri. Por, ka dy elemente që e bëjnë kancerin e qafës së mitrës një prioritet: a) mosha e re e shfaqjes krahasuar me llojet e tjera të kancerit, e rrjedhimisht nivel i lartë i viteve të jetës së humbur b) depistimi është shumë i favorshëm-më i favorshmi mes gjithë llojeve të kancerit.

Në Shqipëri, depistimi për kancerin e qafës së mitrës konsiderohet prioritet, por ende një pjesë e grave paraqiten në faza shumë të vonshme kur është vështirë të trajtohen. Prandaj, në paketën e rishikuar të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor janë përfshirë edhe shërbimet për parandalimin dhe kontrollin e kancerit të traktit riprodhues, përfshi ato për kancerin e qafës së mitrës. Ndërkohë ka përfunduar hartimi i udhërrëfyesit dhe i protokolleve për mënyrën si duhet punuar për kancerin e qafës së mitrës në shërbimet e kujdesit parësor.

Nga se shkaktohet kanceri i qafës së mitrës?

Shkaktari kryesor i gjendjes parakanceroze dhe kancerit të qafës së mitrës është infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me një ose më shumë lloje të virusit të papilomës humane HPV (Human Papiloma Virus). HPV-ja është infeksioni më i zakonshëm viral i traktit riprodhues. Ka më shumë se 100 lloje HPV-sh, por shumë prej tyre nuk shkaktojnë probleme. Vetëm një pjesë e vogël, kryesisht llojet 16 dhe 18, shkaktojnë kancer. Këto lloj HPV-sh mund të çojnë në dëmtime parakanceroze dhe më vonë në kancer të qafës së mitrës. Megjithatë, pothuajse të gjitha rastet e kancerit të qafës së mitrës janë të lidhura me infeksionin HPV.

HPV-ja është infeksioni më i zakonshëm që merret gjatë marrëdhënieve seksuale. Por ky infeksion mund të transmetohet edhe gjatë seksit jopenetrues, nëpërmjet kontaktit genital lëkurë me lëkurë. Shumica e grave dhe burrave seksualisht aktivë do të jenë të infektuar në një pikë gjatë jetës së tyre me HPV, disa edhe në mënyrë të përsëritur. Koha për marrjen e infeksionit HPV për gratë e burrat është pak pasi ata janë bërë seksualisht aktivë. HPV-ja mund edhe të mbetet e fshehur me vite pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje, por personat që e mbartin mbeten infektues për partnerët e tyre seksualë.

Ka gjithashtu evidenca që lidhin HPV-në me kancerin e anusit, vulvës, vaginës dhe penisit, edhe pse këto lloje kanceri janë më pak të shpeshta se kanceri i qafës së mitrës. Disa lloje të HPV-së (sidomos llojet 6 dhe 11) që nuk shkaktojnë kancer, mund të shkaktojnë lythat genitale që janë shumë të përhapura dhe shumë infektive. 

Si infeksioni HPV çon në kancerin e qafës së mitrës?

Te shumica e grave dhe burrave që infektohen me HPV, këto infeksione zhduken vetvetiu pa asnjë ndërhyrje brenda pak muajve, dhe rreth 90% e tyre brenda 2 vjetëve. Por edhe pse shumica e infeksioneve HPV kalojnë vetë, një pakicë e tyre, kryesisht llojet 16 e 18 të HPV-së, të njohura edhe si lloje me rrezik të lartë, vazhdojnë të qëndrojnë gjatë. Te gratë, kjo mund të çojë në fazën parakanceroze të qafës së mitrës, dhe nëse nuk trajtohet mund të përparojë në kancer invaziv të qafës së mitrës. Te gratë me sistem imunitar normal, kjo periudhë e zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës zgjat 15 deri në 20 vjet, ndërsa te gratë me sistem imunitar të dobësuar (si p.sh. ato me infeksion HIV të patrajtuar) mund të marrë vetëm 5 deri 10 vjet.

Për më tepër lexoni materialin në pdf : këtu

Start Date - End Date

Jan 23, 2016 - Jan 30, 2016

Start Time - End Time

11:00 pm - 11:00 am

Event Location

Adresa: Tirane Albania

Organizer

Organizer

Phone

Tel: 374 756 Fax: 370 058

Share This