Tetori është caktuar si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ të kësaj sëmundjeje.
Ai organizohet çdo vit dhe synon të shpërndajë informacion në lidhje me shëndetin e gjirit, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë globin.
Mesazhi i këtij viti është:
Bëni zgjedhje të mira çdo ditë për shëndetin e gjirit tuaj!
Angazhimi në aktivitete fizike, ruajtja e një peshe normale të trupit, si dhe ushqyerja e shëndetshme ndihmojnë në parandalimin e kancerit të gjirit.
Çfarë ju vendosni të bëni sot, mund të ndikojë në shëndetin e ardhshëm të gjirit tuaj.
Prirjet e kancerit të gjirit në botë
Kanceri i gjirit është aktualisht në krye të listës së llojeve të kancerit te gratë në botë, si në vendet e zhvilluara ashtu edhe tek ato në zhvillim. Ekzistojnë diferenca të mëdha në sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë prej kancerit të gjirit në vende të ndryshme të botës, pavarësisht se kanceri i gjirit është kanceri që haset më shpesh te gratë në shumicën e këtyre vendeve.
Rritja e jetëgjatësisë, urbanizimi dhe adaptimi në rritje i një stili jetese perëndimore, janë ndër përcaktuesit e rëndësishëm në rritjen e incidencës së kancerit të gjirit në vendet në zhvillim.
Kanceri i gjirit prek të gjitha gratë, por rreziku rritet me rritjen e moshës. Përgjithësish preken moshat mbi 50 vjeç, por mund të shfaqet edhe në mosha fare të reja.
Bazuar në të Dhënat e Agjensisë Ndërkombëtare mbi Kërkimet mbi Kancerin në Botë (GLOBOCAN), i cili përllogarit një vlerësim të situatës reale në çdo vend të botës, ka vlerësuar se kanceri i gjirit ka incidencën më të lartë ndër llojet e kancerit që prekin gratë.
Shumica e vdekjeve nga kanceri i gjirit ndodh në vendet me të ardhura të ulëta e mesatare, ku shumica e grave me kancer të gjirit diagnostikohen në faza të vonshme, kryesisht për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit në zbulimin e hershëm dhe barrierave ndaj shërbimeve shëndetësore.
Aktualisht nuk ka njohuri të mjaftueshme mbi shkaqet e kancerit të gjirit, dhe zbulimi i hershëm i sëmundjes mbetet themeli i kontrollit të kancerit të gjirit. Kur kanceri i gjirit zbulohet herët, dhe nëse diagnoza dhe trajtimi adekuat janë në dispozicion, ka mundësi që kanceri i gjirit të shërohet.
Organizata Botërore e Shëndetësisë promovon kontrollin e kancerit të gjirit në kuadër të programeve kombëtare të kontrollit të kancerit. Strategjitë e rekomanduara për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme janë: rritja e ndërgjegjësimit për kapjen e hershme të shenjave dhe ekzaminimi klinik i gjirit. Depistimi nëpërmjet mamografisë është shumë i kushtueshëm dhe është rekomanduar për vendet me infrastrukturë të mirë shëndetësore që mund të përballojnë një program afatgjatë.
Disa fakte mbi prirjet e kancerit të gjirit në sistemin shëndetësor në Shqipëri
Në Shqipëri kanceri i gjirit është kanceri që haset më shpesh, sidomos te femrat mbi 50 vjeç. Vihet re një tendencë e prekjes nga kanceri i gjirit edhe të moshave të reja. Çdo vit, në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë (QSUT) janë hasur mesatarisht rreth 350 raste të reja me kancer gjiri me një prirje të lehtë rritjeje, me një kulm prej 443 rastesh në vitin 2013. Për t’u shënuar mbetet fakti që rastet me kancer gjiri paraqiten në faza të avancuara kur trajtimi bëhet shumë i vështirë dhe në disa raste i pamundur; rrjedhimisht dhe vdekshmëria është e lartë. Nga mesi i viteve 80 deri më sot, numri i vdekjeve në vit nga kanceri i gjirit është rritur më shumë se 3 herë.
Bazuar në të dhënat e Agjensisë Ndërkombëtare mbi Kërkimet mbi Kancerin, është vërejtur një rritje e shpejtë në numrin e kancerit të gjirit gjatë 25 viteve të fundit në Shqipëri. Por, ka një dallim mes këtyre të dhënave dhe statistikave kombëtare për Shqipërinë. Sipas GLOBOCAN vlerësohet se duhet të kemi më tepër raste të reja në vit me kancer gjiri, ku kanceri i gjirit pozicionohet në krye të listës së incidencës dhe vdekshmërisë nga kanceri, krahasuar me llojet e tjera të kancerit te gratë në Shqipëri.
Edhe shtrimet e ndërhyrjet kirurgjike duket se kanë ardhur duke u rritur, dhe ky është një tjetër tregues specifik i shpeshtësisë së kancerit të gjirit dhe i volumit të shërbimeve të ofruara.
Diametri i kancerit të gjirit në momentin e diagnozës është një tregues i rëndësishëm i lidhur me kapjen herët të këtij kanceri. Analiza e të dhënave për periudhën 2011-2013 dëshmon se ende nuk ka filluar të vërehet përmirësim në kapjen e kancerit të gjirit në kohën e duhur (niveli i kancerit të kapur me diametër deri 2 cm ka ngelur i njëjtë). Megjithatë duket se fushatat e ndërgjegjësimit dhe forcimi i kapaciteteve në kujdesin parësor kanë filluar të japin efekt duke pakësuar në minimum proporcionin e kancerit të gjirit të lënë shumë pas dore dhe të identifikuar në madhësinë mbi 5 cm.
Cilët janë faktorët e rrezikut për kancerin e gjirit
Shkaku i kancerit të gjirit, ashtu si i gjithë llojeve të kancerit në përgjithësi, nuk është shumë i njohur, por disa faktorë duken se rrisin rrezikun për këtë lloj kanceri. Këta faktorë grupohen në dy kategori: a) faktorë rreziku të pandryshueshëm të cilët janë të pranishëm dhe nuk mund të ndikohet për t’i ndryshuar b) faktorë rreziku të ndryshueshëm të cilët mund t’i mbajmë nën kontroll.
Ndër faktorët e rrezikut të pandryshueshëm/të pamodifikueshëm mund të përmendim:
- Gjininë/të qenit femër. Kanceri i gjirit shfaqet kryesisht te seksi femër. Gati 99% e llojeve të kancerit të gjirit ndodhin te femrat. Kanceri i gjirit zhvillohet dhe te meshkujt por është shumë i rrallë.
- Faktorin moshë. Rreziku për të pasur kancer gjiri rritet me rritjen e moshës dhe shumica e tyre ndodh në moshat mbi 50 vjeç. P.sh. në Angli raporti i rrezikut nga kanceri i gjirit rritet me rritjen e moshës në raport 1 në 2000 gra për moshat deri 29 vjeç, dhe 1 në 8 gra për moshat deri 90 vjeç.
- Faktorin gjenetik. Deri 10% e kancerit të gjirit mendohet të jetë pasojë e një defekti gjenetik në disa gjene që parandalojnë kancerin. Në disa familje me mutacione gjenetike të tilla, rreziku i hasjes së kancerit të gjirit mund të jetë deri në 80%. Këto lloje kanceri priren të zhvillohen te gratë e reja dhe shpesh mund të prekin të dy gjinjtë.
- Histori familjare me kancer të gjirit. Gratë të cilat kanë familjarë me lidhje të ngushta gjaku me kancer gjiri, kanë rrezik më të lartë për t’u prekur nga kanceri i gjirit sesa pjesa tjetër e popullatës. Rreziku i gruas pothuaj dyfishohet në rastet kur nëna apo motra ka pasur kancer gjiri. Ky rrezik gati trefishohet kur ka pasur dy raste të tilla në familjarët e afërt.
- Histori personale me kancer gjiri. Një grua me kancer në njërin gji ka një rrezik 3-4 herë më të lartë për të zhvilluar kancer të ri në gjirin tjetër apo në një pjesë tjetër të të njëjtit gji.
- Ind gjiri me densitet të lartë. Gratë me ind gjiri me densitet më të lartë kanë rrezik më të lartë për kancer gjiri. Nga ana tjetër, indi i ngjeshur i gjirit e bën më të vështirë kapjen e gjendjeve parakanceroze në mamografi.
- Menstruacion i hershëm apo menopauzë e vonshme. Femrat të cilat kanë pasur menstruacione të hershme (para moshës 12 vjeç) ose menopauzë të vonshme (më vonë se mosha 55 vjeç), kanë një rrezik lehtësisht më të lartë për kancer gjiri.
Faktorë të ndryshueshëm/të modifikueshëm janë:
- Lindja e fëmijëve. Gratë që nuk kanë pasur fëmijë ose që e kanë pasur fëmijën e parë pas moshës 30 vjeç, kanë një rrezik lehtësisht më të lartë për kancer gjiri.
- Ushqyerja me gji. Studimet dëshmojnë se ushqyerja me gji mund ta ulë lehtësisht rrezikun nga kanceri i gjirit, sidomos nëse vazhdon për 2 vjet apo më tepër. Ushqyerja me gji duket se ka një efekt mbrojtës; gratë që nuk ushqejnë fëmijën me gji janë më të rrezikuara.
- Konsumi i alkoolit dhe duhanit. Konsumi i alkoolit është i lidhur ngushtë me rrezikun e rritur për kancer gjiri. Ndërsa për lidhjen mes duhanit e kancerit të gjirit të dhënat janë jo të mjaftueshme dhe kontradiktore.
- Mbipesha, obeziteti dhe dieta me ushqime të pasura me yndyrna shtazore. Rritja e rrezikut për kancer gjiri është e lidhur edhe me mbipeshën. Kontrolli i dietës mund të mbajë në kontroll depozitimin e indit dhjamor dhe mund të parandalojë në këtë mënyrë një përqindje të llojeve të kancerit të gjirit
- Mungesa e aktivitetit fizik. Gjithmonë e më tepër janë duke u shtuar faktet që dëshmojnë se aktiviteti fizik sistematik dhe i moderuar ul rrezikun për kancer gjiri.
Faktorët e modifikueshëm për kancerin e gjirit janë kontribues të konsiderueshëm në barrën e përgjithshme të kësaj sëmundjeje. Një pjesë e vdekjeve nga kanceri i gjirit në mbarë botën i atribuohet pikërisht këtyre faktorëve. Mbajtja nën kontroll e faktorëve të modifikueshëm të rrezikut për kancer gjiri ka ndikim në uljen e incidencës së kancerit të gjirit.
Nga ana tjetër, megjithëse nuk mund të ndryshojmë faktorët e pamodifikueshëm, ne duhet të rrisim sensibilizimin e grave me faktorë rreziku të pamodifikueshëm për të qenë më të kujdesshme në kontrollet periodike për gjirin.
Si bëhet zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit
Kontrolli i faktorëve të rrezikut të modifikueshëm mund të ketë një impakt në reduktimin e rasteve me kancer të gjirit, por nuk mund të eliminojë shumicën e llojeve të kancerit të gjirit. Diagnoza e hershme për kapjen sa më herët të rasteve pa shenja të sëmundjes, mbetet një strategji e rëndësishme sidomos në vendet në zhvillim, si dhe në vendin tonë ku sëmundja diagnostikohet në faza të vonshme.
Strategjitë e rekomanduara për zbulimin e hershëm janë: 1) vetekzaminimi i gjirit 2) ekzaminimi klinik i gjirit 3) mamografia.
- Vetëkontrolli /vetekzaminimi mujor i gjirit
Vetëkontrolli/vetekzaminimi i gjirit bëhet nëpërmjet prekjes me duar për të vërejtur nëse ka ndonjë ndryshim të pazakontë në të. Është një veprim shumë i thjeshtë që çdo femër mund ta bëjë pa shumë mundim; lehtë, me lëvizje rrotulluese me dorë, kontrollohen me rradhë gjinjtë. Me dorën e majtë kontrollohet gjiri i djathtë dhe pastaj me dorën e djathtë kontrollohet gjiri i majtë, duke përfshirë edhe pjesën e sipërme të kraharorit dhe sqetullat.
Vetëkontrolli i gjirit ka rëndësinë e vet, gjithmonë nëse realizohet në mënyrë korrekte. Prandaj është e këshillueshmë që vetekzaminimi i gjirit fillimisht të mësohet nga personeli shëndetësor i trajnuar.
Vetëkontrolli i gjirit rekomandohet të bëhet 1 herë në muaj duke filluar nga mosha 20 vjeç. Periudha më e përshtatshme për një femër për të ekzaminuar gjinjtë e saj do të ishte 3-4 ditë mbas kalimit të menstruacioneve, pasi gjatë kësaj periudhe gjinjtë janë të dhimbshëm, të tendosur, dhe mund t’i ngatërrojnë. Një femër duhet ta kthejë në zakon kontrollin mujor të gjirit. Duke i kontrolluar gjinjtë rregullisht, një femër mëson sesi është pamja normale e tyre duke u bërë familjare me to. Kështu, ajo mund të vërejë menjëherë ndonjë gjë të pazakontë në gji dhe të shkojë te mjeku. Mjaft raste të kancerit të gjirit janë zbuluar nga vetë gratë, të cilat nëpërmjet prekjes së gjirit kanë vërejtur ndryshime të cilat i kanë detyruar të shkojnë te mjeku.
Një femër duhet të shkojë menjëherë te mjeku nëse vë re shenja jonormale si: zmadhim apo forcim të gjirit të pazakontë, gjëndra apo mavijosje në gji, rrudhosje apo gropëzim të lëkurës së gjirit, njëri gji është më i ulët se tjetri në mënyrë të pazakontë, tërheqje nga brenda e thithave të gjirit ose rrjedhje lëngu apo gjaku prej tyre, si dhe çdo gjë tjetër që nuk duket normale.
Por jo të gjitha gjëndrat që mund të dalin në gji janë kancer. Megjithatë, një femër duhet të drejtohet sa më shpejt te mjeku nëse vë re ndonjë ndryshim jonormal në gjinj. Vetëm mjeku mund të bëjë dallimin.
- Ekzaminimi klinik i gjirit
Ekzaminim klinik i gjirit është një vizitë e gjirit e kryer nga një personel mjekësor i trajnuar. Ekzaminimi klinik i gjirit mund të kapë disa lloje kanceri të gjirit në stade relativisht të hershme të zhvillimit të tij. Ekzaminim klinik i gjinjve rekomandohet të bëhet 1 herë në vit ose së paku çdo 2 vjet.
- Mamografia
Mamografia është një lloj radiografie e gjirit. Mamografia e kap kancerin e gjirit në faza shumë të hershme, atëhere kur ndryshimet nuk mund të shihen me sy apo të preken me dorë, afërsisht rreth 2-3 vjet përpara shfaqjes së shenjave.
Mamografia mund të kryhet në çdo kohë, por do të ishte gjithmonë e përshtatshme që të zgjidhej momenti kur gjinjtë nuk janë të fryrë apo të dhimbshëm p.sh. në fund të menstruacioneve, ose 3-4 ditë mbas tyre.
Nuk duhet ndonjë parapërgatitje e veçantë për të bërë mamografinë. Kur gratë shkojnë për mamografi, është mirë të veshin bluza me fund ose pantallon, në mënyrë që të lehtësojnë procedurat e ekzaminimit të gjirit. Gjithashtu, në ditën e ekzaminimit nuk këshillohet të përdoren deodorantë, pasi disa prej tyre përmbajnë substanca që mund të ndërhyjnë në leximin e mamografisë.
Për gratë që kanë kryer mamografi më parë, këshillohet të kenë filmat e tyre me vete për t’i konsultuar me radiologun.
Dy janë arsyet kryesore pse gratë hezitojnë të kryejnë mamografinë: frika nga rezultati i mamografisë/frika nga diagnoza, si dhe dhimbja gjatë procedurës së ekzaminimit.
Lidhur me frikën prej rezultatit të mamografisë, duhet ditur se në ditët e sotme kanceri i gjirit mund të trajtohet në pjesën më të madhe të rasteve, mjafton të diagnostikohet në kohë. Mamografia shpëton shumë jetë grash të cilat vdesin çdo vit nga kanceri i gjirit. Shumë gra janë në jetë sot për arsye se ato kanë bërë depistime të rregullta për kancer gjiri.
Është e vërtetë se për disa gra mamografia krijon një gjendje jorehatie për shkak të shtypjes së gjirit midis dy pllakave të aparatit të mamografisë. Por kjo shtypje apo dhimbje gjatë procedurës që perceptohet prej disa grave, mund të evitohet nëse femrat planifikojnë të kryejnë mamografinë në fund të periodave, ose 3-4 ditë mbas tyre. Kjo për arsye se para dhe gjatë menstruacioneve gjinjtë janë të tendosur dhe të dhimbshëm.
Kanceri i gjirit mund të shfaqet në çdo kohë, madje edhe nga një mamografi te tjetra. Prandaj mamografia nuk duhet bërë vetëm një herë në jetë, por në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë jetës. Është mjeku ai që sqaron se sa herë duhet të bëhet mamografia.
Rekomandime mbi moshën, rrezikun dhe shpeshtësinë e depistimit për kancerin e gjirit
- Gratë që nuk kanë asnjë faktor rreziku, kanë një rrezik mesatar për të zhvilluar kancer gjiri. Atyre ju rekomandohet:
Nëse janë 20-40 vjeç
- Ekzaminim klinik i gjirit te personeli mjekësor çdo tre vjet
- Vetëkontroll mujor i gjirit
Nëse janë 40-50 vjeç
- Ekzaminim klinik te personeli mjekësor çdo vit
- Vetëkontroll mujor i gjirit
Nëse janë 50-70 vjeç.
- Mamografi çdo 2 vjet
- Ekzaminim klinik te personeli mjekësor çdo vit
- Vetëkontroll mujor i gjirit
- Gratë që kanë disa faktorë rreziku (si histori familjare apo personale, probleme beninje të gjirit, fillim të hershëm dhe mbarim të vonshëm të menstruacioneve, moslindje ose lindje mbi moshën 30 vjeç, obezitet, ind të ngjeshur të gjirit dhe ekspozim ndaj rrezatimit terapeutik) kanë një rrezik më të larte se mesatarja për të zhvilluar kancer gjiri. Atyre ju rekomandohet:
- Ekzaminim klinik i gjirit te personeli mjekësor çdo vit
- Konsultë me specialistin e gjirit
- Mamografi (dhe EKO nëse është e nevojshme) çdo vit nga mosha 40 vjeç
- Vetëkontroll mujor i gjirit
- Grave që kanë faktorë gjenetikë (janë bartëse të difektit BRCA1 apo BRCA 2), kancer gjiri te një familjar mashkull, kancer gjiri dhe kancer vezoresh në të njëjtin person, në dy ose më shumë familjarë të ngushtë ju rekomandohet:
- Ekzaminim klinik i gjirit çdo gjashtë muaj
- Mamografi dhe/ose rezonancë magnetike çdo vit nga mosha 25 vjeç
- Konsultë me specialistin e gjirit dhe specialistin gjenetik
Si trajtohet
Kanceri i gjirit është ndër llojet e kancerit pothuaj tërësisht të trajtueshëm. Sot ekzistojnë mënyra të ndryshme të trajtimit si marrja e preparateve të ndryshme hormonale, kimioterapia, trajtimi kirurgjik etj. Fatmirësisht, pothuaj të gjitha mënyrat e trajtimit bashkëkohor ofrohen edhe në Shqipëri. Së fundmi kanë hyrë edhe preparate të cilat rrisin jetëgjatësinë për pacientët në faza të avancuara. Trajtimet e reja vonojnë progresin e sëmundjes shumë më mirë se preparatet e deritanishme, duke ofruar një mundësi të re për pacientët.
Kujdesi paliativ
Kujdes paliativ është trajtimi gjithëpërfshirës për personat që vuajnë nga sëmundje të cilat janë kërcënuese për jetën (si kanceri i gjirit në këtë rast). Kujdesit paliativ trajton vuajtjen fizike nga sëmundja, si dhe çështje që lidhen me të drejtën njerëzore për të patur një fund sa më cilësor të jetës në të gjitha aspektet si fizike, sociale, psikologjike e shpirtërore. Kujdesi paliativ nuk kufizohet vetëm në kujdesin ndaj të sëmurit, por edhe në nevojat e familjarëve.
Në Shqipëri ekzistojnë shërbime të kujdesit paliativ publik dhe jopublik që ju shërbejnë të sëmurave në shtëpi në faza të avancuara me kancer të gjirit. Këto shërbime janë të pajisura me staf multidisiplinar të trajnuar për të ofruar shërbim cilësor.