10 Tetor 2015,Dita Botërore e Shëndetit Mendor
- This event has passed.
Description
Dita Botërore e Shëndetit Mendor
10 Tetor 2015
Dita Botërore e Shëndetit Mendor është në 10 tetor të çdo viti, me një objektiv të përgjithshëm rritjen e ndërgjegjësimit lidhur me çështjet e shëndetit mendor në të gjithë botën, si dhe mobilizimin e përpjekjeve në mbështetje të shëndetit mendor.
Kjo ditë ofron mundësinë për të gjithë aktorët që punojnë në kontekstin e shëndetit mendor që të diskutojnë lidhur me punën dhe me atë që duhet bërë, në mënyrë që shëndeti mendor të jetë një realitet për të gjithë njerëzit pa përjashtim.
Slogani për vitin 2015 është “Dinjiteti në shëndetin mendor”
Studimet dëshmojnë se respektimi i identitetit të individit ka një impakt të rëndësishëm në promovimin e shëndetit mendor; për sa kohë që veprimet dëmtojnë dinjitetin dhe nuk respektojnë individin dhe historinë e tij, ato mund të shkaktojnë probleme edhe më të mëdha. Respektimi i integritetit dhe dinjitetit nuk është vetëm obligim etik por edhe një ndihmë për procesin e shërimit. Dinjiteti i personave me demencë për shembull, mund të dhunohet me anë të një sërë praktikash diskriminuese. Mbrojtja e ofruar nga kujdesi me në qendër individin është shumë e rëndësishme për këtë, dhe udhërrëfyesit praktikë theksojnë vlerësimin e kujdesshëm të nevojave të individit. Mjetet e vlerësimit joverbal përfshijnë vëzhgimin e ndryshimeve psikologjike dhe të sjelljes për personat me probleme të shëndetit mendor.
Për ofruesit e shërbimeve të kujdesit shëndetësor rekomandohet që:
- Të sigurohen që të gjithë përdoruesit e shërbimeve të jenë efektivisht të përfshirë.
- Të zhvillohen qasje ku përfshihen të afërmit dhe familjarët e këtyre personave.
- Të sigurohen që përdoruesit e shërbimeve dhe të afërmit/familjarët e tyre të jenë të mirëinformuar dhe që informacioni të jetë i aksesueshëm.
- Të promovojnë përfshirjen sociale, si në kontekstet e kujdesit intensiv ashtu edhe në vendosjen e urave me komunitetin.
Kur një individ ka probleme të shëndetit mendor shtohet mundësia që të trajtohet me më pak respekt dhe dinjitet. Abuzimi, i çfarëdo lloji qoftë, është një dhunim i konsiderueshëm i të drejtave të njeriut.
Disa autorë propozojnë si mënyrë për mbrojtjen e dinjitetit në shëndetin mendor, respektimin e të drejtave të njeriut nëpërmjet advokacisë, reformave ligjore thelbësore, reformave të shërbimeve që përfshijnë burime të përshtatshme, heqjes së barrierave për marrjen e shërbimeve dhe zgjerimit të kujdesit të bazuar në komunitet (në mënyrë që të fuqizohet përfshirja sociale). Kjo qasje nënkupton që është e rëndësishme të shihet përtej identifikimit të problemit të shëndetit mendor dhe përtej të qenit problem mjekësor, si dhe njohjen e aspekteve sociale, ekonomike dhe sociale të lidhura me sëmundjen mendore.
Nuk ka shëndet pa shëndet mendor, prandaj mbështetja dhe shërbimet e personalizuara janë dizenjuar duke synuar pavarësinë, mirëqenien dhe dinjitetin. Çdo person që merr shërbime duhet të ketë zgjedhje dhe kontroll, pavarësisht kontekstit të kujdesit.
Personalizimi është kthyer në një koncept kyç për sa i përket trajtimit të problemeve të shëndetit mendor. Me qëllim mbrojtjen e dinjitetit të personave me probleme të shëndetit mendor, personalizimi shkon përtej kujdesit social.
Trajtimi te përdoruesit e shërbimeve në shëndetin mendor konsiderohet si një udhëtim personal, me qëllimin e gjetjes së një jete të kuptimtë me ose pa simptomat e problemet e vazhdueshme të shëndetit mendor.
Trajtimi është një mënyrë për të jetuar një jetë e cila ka kënaqësi, shpresë dhe kontribute me gjithë kufizimet e shkaktuara nga sëmundja mendore. Trajtimi përfshin zhvillimin e një kuptimi dhe qëllimi të ri në jetë, përtej efekteve shkatërruese nga diagnostikimi me një problem të shëndetit mendor.
Dinjiteti është i lidhur ngushtë me koncepte të tilla si respekti për veten, vetëvlerësimi dhe identiteti. Po ashtu, ai lidhet me sensin e identitetit personal dhe pranimit të vetes, sidomos në aftësimin e një personi për t’u angazhaur në procesin e trajtimit. Ekspertët kanë sugjeruar disa komponentë të rëndësishëm për sa i përket procesit të trajtimit si:
- Gjetja dhe ruajtja e shpresës
- Rikrijimi i identitetit pozitiv
- Gjetja e kuptimit të jetës
- Marrja e përgjegjësive në jetë