Dita Botërore e Lindjeve të Parakohshme
Sipas përkufizimit të përdorur gjerësisht nga OBSH-ja, çdo foshnjë e lindur para përfundimit të javës së 37-të të shtatzënisë konsiderohet lindje parakohshme.
Në përgjithësi, sa më herët të lindë një foshnjë, aq më shumë kujdes intensiv kërkon, dhe aq më shumë probleme shëndetësore mund të ketë gjatë gjithë jetës. Në vendet e pazhvilluara, shkalla e mbijetesës për foshnjat e lindura parakohe është më e ulët, se sa në vendet e zhvilluara. Në nivel global, rreth 13 milionë foshnja lindin para kohe çdo vit. Komplikacionet e lindjeve të parakohshme janë shkaku kryesor i vdekjes tek fëmijët nën 5 vjeç. 75% e këtyre vdekjeve mund të parandaloheshin, nëse do të përdoreshin ndërhyrjet aktuale.
Dita Botërore e Lindjeve të Parakohshme mbahet çdo vit më 17 nëntor. Kjo ditë ka synim të rrisë ndërgjegjësimin për lindjet e parakohshme që përfshijnë: fatalitetet e lidhura me prematuritetin, si dhe mënyrat për t’i parandaluar ato.
Ngjyra vjollcë simbolizon ndjeshmërinë, prandaj shërben si shenjë dalluese për foshnjat që lindin para kohe. Një tjetër simbol i Ditës Botërore të Lindjeve të Parakohshme është linja e 10 çorapeve të vogla ngjyrë vjollcë që simbolizon faktin, se në mbarë botën, një në dhjetë foshnja lind para kohe.
Tema për këtë vit është: “Aksesi – në kujdesin shëndetësor cilësor, pasi mbi 13 milionë foshnja lindin para kohe çdo vit”.
Kjo temë tërheq vëmendjen në shkallë globale për lindjet e parakohshme dhe nevojën kritike për akses universal në kujdesin shëndetësor cilësor. Foshnjat e lindura parakohe, pavarësisht se ku, kur ose si lindin, meritojnë të njëjtin kujdes shëndetësor.
Kjo tematikë shërben gjithashtu, edhe si thirrje për veprim për përmirësimin e kujdesit shëndetësor të nënës, duke theksuar se si nënat, ashtu edhe foshnjat duhet të marrin mbështetjen dhe kujdesin shëndetësor në kohën e duhur. Sigurimi i aksesit të barabartë në kujdesin shëndetësor cilësor është çelësi për uljen e vdekjeve të parakohshme dhe aftësive të kufizuara të parandalueshme, për t’i dhënë çdo foshnje një fillim të drejtë në jetë.