Dita Botërore e Psoriazës

Kushdo që jeton me sëmundjen e psoriazës meriton të ketë një kujdes shëndetësor cilësor, pavarësisht nga të ardhurat apo vendndodhja gjeografike.

Psoriaza është një patologji dermatologjike e lëkurës e përhapur në të gjithë botën. Ajo është sëmundje kronike autoimune e lëkurës, e thonjve dhe e artikulacioneve që nuk ka një shkak të njohur.

Ekzistojnë disa lloje të psoriazës më e zakonshmja prej të cilave është psoriaza pllakë. Psoriaza shkakton kruajtje dhe acarim, mund të jetë dhe e dhimbshme. Nuk ka ende një kurë për psoriazën, por trajtimi mund të lehtësojë simptomat.

Simptomat

Psoriaza shkakton njolla të kuqe në lëkurë, trashje, ashpërsim të saj, e shoqëruar me luspa të argjendta, që zakonisht gjenden në bërryla, gjunjë dhe skalp, që kruhen, ose ndjejnë dhimbje.

Psoriaza mund të shfaqet kudo: në qepalla, veshë, gojë, buzë, duar, këmbë, thonj.

Në raste të rënda, mund të përparojë duke mbuluar zona të mëdha të trupit dhe të shkaktojë një sërë simptomash të pakëndshme. Lëkura gjithashtu mund të jetë e thatë dhe e plasaritur, gjë që mund të çojë në rrjedhje gjaku. Thonjtë e duarve dhe këmbëve mund të bëhen të trashë dhe me gropa.

Psoriaza me pllaka

Psoriaza e pllakës është lloji më i zakonshëm i saj e cila mund të jetë me kruajtje dhe dhimbje. Ajo përbën 80% deri në 90% të rasteve dhe shkakton lezione të kuqe të lëkurës,si dhe luspa argjendi që mund të gjenden kudo në trup.

Edhe pse të rralla, këto mund të shfaqen edhe në brendësi të gojës, ose në organet gjenitale.

Shkaqet

Shkaku i saktë i psoriazës nuk dihet. Hulumtimet sugjerojnë, se psoriaza mund të jetë një sëmundje autoimune, megjithëse ende nuk është përcaktuar asnjë autoantigjen që mund të jetë përgjegjës.

Asnjë lloj psoriaze nuk është ngjitëse. Ju nuk mund ta merrni psoriazën nga dikush që e ka atë.

Faktorët e rrezikut

Shumë njerëz me psoriazë kanë një histori familjare të sëmundjes.

Ju keni 10% më shumë gjasa për të patur psoriazë, nëse njëri nga prindërit e ka atë. Rreziku është edhe më i lartë deri në 50%, nëse të dy prindërit e kanë atë.

Duhanpirësit kanë një rrezik më të lartë për psoriazë, pasi pirja e tij mund ta përkeqësojë atë.

Mjekimi

Aktualisht nuk ka një kurë për psoriazën, por trajtimi mund të ngadalësojë rritjen e qelizave të lëkurës dhe të lehtësojë dhimbjen, kruajtjen dhe parehatshmërinë.

Prevalenca

Çdokujt mund t’i shfaqet psoriaza, pavarësisht nga mosha. Psoriaza ka më shumë gjasa të shfaqet midis moshës 15-35 vjeç. Si tek meshkujt, ashtu dhe tek femrat ajo zhvillohet me të njëjtin ritëm.

Sipas Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Psoriazës (IFPA), gati 3% e popullsisë së botës ka një formë të psoriazës (mbi 125 milionë njerëz).

Organizata Botërore e Shëndetësisë vuri në dukje në vitin 2016, se prevalenca e raportuar e psoriazës në mbarë botën varion midis 0.09% dhe 11.43%, duke e bërë psoriazën një problem serioz global.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo prek rreth 7.4 milionë njerëz.

Shkencëtarët ende nuk e dinë, se çfarë saktësisht e shkakton psoriazën, ndërkohë dihet se sistemi imunitar dhe gjenetika luajnë rol të madh në zhvillimin e saj.

Flisni me mjekun

Nëse keni psoriazë, drejtohuni mjekut aq shpesh sa rekomandohet. Ai mund t’ju ndihmojnë të gjeni një plan trajtimi që do të funksionojë për ju.

Mjeku duhet të bëjë ekzaminime të rregullta për të shmangur rrezikun e komplikacioneve.