Sot, me datë 30.10.2013 u zhvillua një takim në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) me pjesëmarrjen e Drejtorit, Shefave të Departamenteve dhe Dr. Mihály Kökény, ish-Ministër i Mirëqenies në Hungari dhe aktualisht këshilltar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.Në takim ishin të pranishëm gjithashtu edhe kolegë të nderuar nga Kosova si Dr. Haxhi Kamberi (Drejtor i spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë) dhe Dr. Naim Jerliu (specialist i Institutit të Shëndetit Publik në Prishtinë).Në këtë takim, Drejtori i ISHP-së, Dr. Arjan Bregu, paraqiti strategjinë dhe objektivat e institucionit për vitet në vazhdim, me fokus të vecantë mbi prioritetet e përcaktuara edhe nga Qeveria Shqiptare. Nga ky këndvështrim, si prioritet i dorës së parë për ISHP-në është ofrimi i informacionit dhe fakteve shkencore për Ministrinë e Shëndetësisë në mënyrë që të hartohen strategji, politika dhe programe racionale dhe të bazuara në evidencë. Prandaj, ngritja dhe funksionimi i një sistemi unik të informacionit shëndetësor mbetet një sfidë dhe prioritet madhor për të ardhmen e afërt, sipas këndvështrimit të Dr. Arjan Bregut.Një sfidë tjetër e rëndësishme që u diskuua në këtë takim nga Drejtori i ISHP-së është edhe kontrolli dhe parandalimi i sëmundjeve jo të transmetueshme të cilat kanë njohur një rritje graduale në vendin tonë gjatë dy dekadave të fundit. Pjesëmarrësit në takim diskutuan edhe për një sërë problemesh dhe sfidash të tjera madhore të cilat kërkojnë zgjidhje graduale nga ISHP-ja si dhe institutcione të tjera shëndetësore në vendin tonë. Dr. Mihály Kökény do të vazhdojë agendën e takimeve të tij në Shqipëri me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe disa institutcioneve të tjera shëndetësore.