Diabeti, edukim dhe parandalim
Tiranë 14 Nëntor 2013 – Drejtori i ISHP, Z. Arjan Bregu mori pjesë sot në konferencën e shtypit, në ditën botërore të diabetit, të organizuar nga Shoqata e Diabetit në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, etj. Konferenca u zhvillua pranë Muzeut Historik Kombëtar ku merrnin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, IKSSH, OBSH,Shoqatës së Diabetit,etj.
Drejtori i ISHP, Z. Arjan Bregu, e vuri theksin te diabeti si një sëmundje kronike me kosto të lartë sociale, shëndetësore dhe ekonomike. Diabeti ka kosto të lartë sociale pasi ai ndikon jo vetëm jetën e personit që vuan, por të gjithë familjes apo shoqërisë.
Gjithashtu theksoi se, diabeti ka kosto të lartë shëndetësore, pasi është një sëmundje që po nuk u zbulua dhe u mjekua në kohë dhe në mënyrë të rregullt, ai shkakton ndërlikime serioze si, sëmundje kardiovaskulare, verbim, sëmundje të veshkave, amputime të këmbëve, etj. Por, diabeti ka edhe kosto ekonomike sepse diabetiku ka nevojë për medikamente, trajtime dhe ekzaminime që shpesh janë të kushtueshme. Mosha më e prekur nga diabeti është grupmosha 40-65 vjec që përbën gati 40% të rasteve, por diabeti tip 2 po haset gjithnjë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç, të cilat janë mosha aktive për punë. Këmbanat po bien sepse forma e diabetit 2 po takohet edhe tek fëmijët.
Diabeti e rrit koston e jetës së diabetikut me të paktën 25%. Tek personat me diabet, rreziku për sëmundje kardiovaskulare është 2-4 herë më i lartë se tek personat pa diabet, ose amputimet e këmbës janë 10 herë më të shpeshta se tek personat pa diabet.
Ndaj ISHP, ka filluar trajnimet për ngritjen e kapaciteteve të mjekut të familjes lidhur me parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, nëpërmjet depistimit të faktorëve të rrezikut ku edhe diabeti është një nga këta faktorë.
Më pas u bënë matje falas të glicemisë, konsulta me mjekë specialistë dhe leksione të hapura si për personelin shëndetësor edhe për popullsinë,materiale informative,etj.