17 Nëntor 2013
Në kuadër të Ditës Botërore të Kujtesës së Viktimave të Trafikut Rrugor në 17 nëntor 2013, ora 10oo në Parkun Rinia, Departamenti i Promocionit dhe Edukimit të Shëndetit në bashkëpunim me Degën e Promocionit të DSHP Tiranë organizuan aktivitetin me temë:
‘’Lëvizja me rregulla, shpëton jetën’’
Qëllimi i këtij Aktiviteti ishte sensibilizimi i komunitetit për rritjen e shkallës së informimit dhe ndërgjegjësimit mbi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e zbatimit korrekt të rregullave të qarkullimit rrugor, për të patur sa më pak jetë të humbura dhe qytetarë të gjymtuar nga aksidentet rrugore.
Në këtë Ditë Kujtese, nxënësit pjesëmarrës dhanë mesazhin se sot duhet të ndalojmë jo vetëm për të kujtuar jetët e njerëzve që kemi humbur në aksidente rrugore, por dhe për të sensibilizuar opinionin publik se jeta na jepet vetëm një herë dhe, për të siguruar atë duhet të punojmë çdo ditë.
Në mjedisin e Parkut u ngritën çadra, u ekspozuan postera dhe banderola me tematikën e Ditës, si dhe piktura të krijuara nga nxënësit. Nxënësit pjesëmarrës të veshur me bluza me logon kushtuar kësaj dite “JO MË VIKTIMA NË RRUGË’’ dhanë mesazhe për kujdesin që duhet treguar gjatë lëvizjeve në trafik, demonstruan në grupe momente të lëvizjes në rrugë duke zbatuar rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe improvizuan momente të një aksidenti dhe dhënien e ndihmës së parë të ndihmuar nga vullnetarët e Kryqit të Kuq.
Pjesëmarrës ishin rreth njëqind nxënës të shkollave nëntëvjeçare dhe pesëdhjetë vullnetarë të Kryqit të Kuq Shqiptar, personeli i shërbimit shëndetësor në shkolla, instruktorë të ndihmës së parë, specialist të Departamentit, gazetarë etj.
Aktiviteti u pasqyrua nga shumë televizione publike e private.