Dita Botërore kundër Duhanit, 31 Maj 2022
Dita Botërore kundër Duhanit, 31 Maj 2022: “Kërcënimi i duhanit për mjedisin tonë”
Qysh se u shpall në vitin 1987, çdo 31 maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët organizojnë Ditën Botërore pa Duhan.
Qëllimi i kësaj dite është rritja e informimit dhe ndërgjegjësimit të popullatës lidhur me rreziqet që sjellë duhanpirja, si dhe ndërmarrja e politikave efektive me qëllim uljen e prodhimit dhe përdorimit të tij.
Fushata globale e këtij viti synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për ndikimin mjedisor të të gjithë ciklit të duhanit duke filluar nga kultivimi, prodhimi dhe shpërndarja e tij dhe deri te mbetjet toksike që gjeneron. Fushata do të synojë gjithashtu të ekspozojë përpjekjet e industrisë së duhanit për të pastruar reputacionin dhe për t’i bërë produktet e saj më tërheqëse duke i reklamuar ato si miqësore me mjedisin.
Përdorimi i duhanit është i dëmshëm në çdo fazë
Ndotja e ajrit të shkaktuar nga duhanpirja është gjëja e parë që na vjen në mendje, por cikli i jetës së duhanit është një proces jashtëzakonisht kompleks dhe me pasoja të rënda.
• Në të gjithë globin, rreth 3.5 milionë hektarë tokë shkatërrohen çdo vit për të kultivuar duhanin. Rritja e kërkesës kontribuon gjithashtu në shpyllëzimin e 200 000 hektarëve në vit dhe në degradimin e tokës.
• Prodhimi i duhanit e varfëron planetin me ujë, lëndë djegëse, fosile dhe burime metalike.
• Globalizimi i zinxhirit të furnizimit dhe shitjes do të thotë se industria e duhanit mbështetet shumë në mënyrat e transportit me burime intensive.
• 4.5 trilion bishta cigaresh të hedhura pa kriter çdo vit në të gjithë globin, çlirojnë mijëra kimikate në ajër, ujë dhe tokë.
• 600. 000. 000 pemë të prera në një vit për të bërë cigare
• 84 milion ton CO2 të emetuara nga prodhimi i cigareve, ekuivalente me 280.000 raketa të lëshuara në hapësirë
• 3,7 litra ujë përdoren për të bërë vetëm 1 cigare
Nevojiten politika më të forta
Konsumatorët janë bërë më të ndërgjegjshëm ndaj mjedisit dhe po zgjedhin produkte më të qëndrueshme. Ndër të tjera, korporatat e duhanit e kanë bërë sigurinë mjedisore një shtyllë integrale të strategjive të tyre, të përgjegjësisë sociale të korporatës (CSR) dhe kanë miratuar disa praktika të “larjes së gjelbër”. Këto përfshijnë pastrimin e plazheve dhe marketingun e produkteve të reja nën një qasje pozitiviste për të larguar vëmendjen e publikut nga veprimet e tyre të dëmshme mjedisore.
Fushata e këtij viti (2022) u bën thirrje qeverive dhe politikbërësve të forcojnë legjislacionin – përfshirë zbatimin dhe forcimin e skemave ekzistuese, për t’i bërë prodhuesit përgjegjës për kostot mjedisore dhe ekonomike të trajtimit të mbetjeve të duhanit. OBSH-ja rekomandon gjithashtu, që vendet të ndalojnë plotësisht reklamimin, promovimin dhe sponsorizimin e duhanit, në përputhje me Konventën Kuadër për Kontrollin e Duhanit (OBSH FCTC).
Të dhëna nga Shqipëria:
Në Shqipëri, sjelljet shëndetësore të rrezikshme tek adoleshentet vlerësohen nëpërmjet disa studimeve periodike të standartizuara që kryhen për këtë grup-moshë. Shqipëria është pjesë e disa studimeve që kryhen në shumicën e vendeve europiane në të njëjtën kohë. Zakonisht këto studime kryhen çdo 4-5 vjet. Studimet e kryera tek minorenët mbrojnë privatësinë e tyre duke u administruar në mënyre anonime. Studimet e kryera në këtë grup-moshë janë:
• Sjelljet e Shëndetshme tek Fëmijët e moshës shkollore 11, 13 dhe 15 vjeç (HBSC)
• Studimi global mbi duhanin te të rinjtë (GYTS)
Më poshtë jepen disa të dhëna bazuar në këto dy studime:
– Prevalenca e duhanpirjes aktuale tek të rinjtë 13-15 vjec është 4.4% (6.4% tek djemtë dhe 2.4% tek vajzat) (GYTS 2020)
[1] linku i profilit të Shqipërisë për studimin HBSC: http://www.hbsc.org/membership/countries/albania.html
[1] https://www.who.int/publications/m/item/2020-gyts-fact-sheet-albania
– Prevalenca e perdorimit të cigares elektronike tek të rinjtë 13-15 vjeç është 9.3% (14.2% tek djemtë dhe 4.1% tek vajzat) (GYTS 2020)
– Prevalenca e përdorimit aktual të produkteve të tjera të duhanit (shisha, puro, cigarillo, etj) është 18.4% tek djemtë dhe 7.6% tek vajzat (GYTS 2020).