Trajnim me temë “Për një verë të sigurt dhe të shëndetshme”
Departamenti i Promocionit të Shëndetit
Në datën 19 qershor 2014, Departamenti i Promocionit të Shëndetit organizoi në mjediset e Institutit të Shëndetit Publik trajnimin me temë: “Për një verë të sigurt dhe të shëndetshme”. Në këtë aktivitet morën pjesë 57 specialistë të edukimit dhe promocionit shëndetësor nga 28 Drejtori të Shëndetit Publik të rretheve: Tiranë, Elbasan, Lezhë, Pukë, Pogradec, Vlorë, Fier, Sarandë, Delvinë, Laç, Dibër, Tropojë, Bulqizë, Berat, Kuçovë, Tepelenë, Mirditë, Skrapar, Korçë, Krujë, Devoll, Ballsh, Has, Burrel, Përmet, Gramsh, Kavajë, Kolonjë.
Trajnimi synonte forcimin e kapaciteteve kombëtare në fushën e edukimit dhe promocionit shëndetësor, duke u fokusuar në promovimin e masave mbrojtëse ndaj të nxehtit dhe në rolin e edukatorëve të shëndetit në përcjelljen e mesazheve informuese dhe edukuese në komunitet.
Çështjet që u trajtuan ishin:
- Si të organizohen aktivitetet sensibilizuese gjatë stinës së verës
- Rrezet ultraviolet, fototipet e individëve, dhe produktet mbrojtëse për lëkurën
- Përfitimet dhe dëmet nga rrezet ultraviolet
- Këshillimi sipas grupeve të veçanta: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me probleme të shëndetit mendor
- Aksidentet rrugore gjatë stinës së nxehtë dhe mënyra e parandalimit të tyre
- Këshillim i përgjithshëm: Si të mbrohemi nga vapa në shtëpi, makinë, ambiente të jashtme, mal, det, etj.
Në fund të trajnimit, pjesëmarrësve iu ofruan modele aktivitetesh sensibilizuese gjatë stinës së nxehtë si dhe iu rekomandua të forcojnë bashkëpunimin me struktura të tjera shëndetësore, pushtetin lokal, OJF dhe biznese private në mënyrë që të realizojnë aktivitetet e tyre. Gjithashtu pjesëmarrësit u nxitën të përdorin faqen zyrtare të ISHP-së për të përdorur në mënyrë të standardizuar informacionin për popullatën.
Trajnimi ku konsiderua nga pjesëmarrësit si shumë i dobishëm dhe u kërkua që aktivitete të tilla të organizohen periodikisht në Institutin e Shëndetit Publik.