ISHP dhe Ministria e Shëndetësisë, aktivitet sensibilizues në Institutin e të Miturve në qytetin e Kavajës
Me rastin e Ditës Botërore të Luftës Kundër Trafikut dhe Varësisë nga Droga, më datë 26 qershor, Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Drejtorinë e Burgjeve dhe shoqatën “Aksion Plus” zhvilloi një aktivitet në Institutin e të Miturve në qytetin e Kavajës. Tema e aktivitetit sensibilizues me 39 të miturit të burgosur dhe të paraburgosur në këtë institucion ishte “Një mesazh shpresëdhënës: Çrregullimet nga përdorimi i drogave parandalohen dhe trajtohen”. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Milva Ekonomi, specialisti për varësinë ndaj substancave në Ministrinë e Shëndetësisë, Sokol Morina, specialistet e Departamentit të Promocionit në Institutin e Shëndetit Publik, Jonida Haxhiu, Andia Meksi dhe Aulona Zotaj si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Burgjeve, Drejtoria e Policisë së qytetit të Kavajës etj.
Aktiviteti i organizua në një formë bashkëbisedimi ku të miturit i informuan rreth substancave narkotike, varësisë që ato krijojnë tek përdoruesit dhe pasojat shëndetësore dhe sociale.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Milva Ekonomi, i bëri thirrje të miturve që të qëndrojnë larg substancave narkotike. Ajo u shpreh që “Në moshën e re të gjithë janë subjekt i çdo lloj rrezikshmërie. Prandaj edhe ne kemi ardhur këtu tek ju që të bashkëbisedojmë në lidhje me atë se çfarë shkakton përdorimi i drogave. Sot vihet re një solidaritet i madh në luftën kundër substancave narkotike. Të gjithë bashkë ne duhet të dimë pasojat dhe mënyrën se si duhet të dalim nga një situatë e tillë. E rëndësishme është që të kemi parasysh se çrregullimet nga përdorimi i drogave parandalohen dhe trajtohen”.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO), të paktën 15.3 milionë persona në të gjithë botën kanë probleme si rrjedhojë e përdorimit të drogave. Në vitin 2004, OBSH vlerësoi se 0,7 % e barrës globale të sëmundjeve ndodh si pasojë e përdorimit të kokainës dhe opioideve dhe se në disa shtete kosto sociale nga përdorimi i substancave të paligjshme ishte diku në 2% e GDP. Në Shqipëri, nuk kemi të dhëna të matshme në lidhje me numrin e përgjithshëm të përdoruesve. Sipas studimeve të ekspertëve në këtë fushë (ISHP, 2011), gjykohet se, numri i personave të cilët kanë përdorur të paktën një herë substanca psikoaktive të paligjshme variojnë midis 40.000- 60.000. Ndërsa numri i personave të cilët kanë pasur probleme si pasojë e përdorimit dhe abuzimit me substanca të paligjshme (PDU) në të gjithë vendin është diku te 5000-7500. Nga këta, numri i përdoruesve intravenoz varion midis 4000-6000.