Departamenti i Promocionit të Shëndetit
Në datat 8-9 shtator 2014, Departamenti i Promocionit të Shëndetit organizoi në mjediset e Institutit të Shëndetit Publik trajnimin me temë: “Roli i punonjësve shëndetësorë në zbatimin e ligjit anti-duhan”. Ditën e parë në aktivitet morën pjesë 74 punonjës të shërbimit shëndetësor në shkolla të qytetit të Tiranës, kurse ditën e dytë morën pjesë 61 specialistë të edukimit dhe promocionit shëndetësor nga 24 Drejtori të Shëndetit Publik të rretheve: Tiranë, Elbasan, Lezhë, Pukë, Gjirokastër, Durrës, Has, Lushnjë, Pogradec, Fier, Shkodër, Sarandë, , Dibër, Mirëditë, Bulqizë, Kuçovë, Skrapar, Korçë, Krujë, Burrel, Përmet, Librazhd, Gramsh, Kavajë.
Trajnimi synonte njohjen e Ligjit Nr. 76/2014, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 9636, datë 6.11.2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, të ndryshuar”, si dhe roli i punonjësve shëndetësor në zbatimin e tij. Në të dyja ditët ishin të ftuar inspektorë nga Inspektorati Shëndetësor Shtetëror, të cilët prezantuan ndryshimet ligjore të miratuara kohët e fundit.
Çështjet që u trajtuan gjatë dy ditëve ishin:
- Efektet e duhanit në shëndetin e popullatës
- Rreziqet e duhanpirjes pasive
- Mjediset ku ndalohet duhanpirja
- Njohja me ndryshimeve ligjore
- Roli i punonjësve të shërbimit shëndetësor në shkolla për zbatimin e ligjit anti-duhan
- Roli i specialistëve të promocionit në zbatimin e ligjit anti-duhan
Në fund të trajnimit, pjesëmarrësve iu ofruan modele aktivitetesh sensibilizuese për zbatimin e ligjit antiduhan si dhe të ditëve të tjera të shëndetit dhe iu rekomandua të forcojnë bashkëpunimin me struktura të tjera shëndetësore, pushtetin lokal, OJF dhe biznese private në mënyrë që të realizojnë aktivitetet e tyre. Gjithashtu pjesëmarrësit u nxitën të përdorin faqen zyrtare të ISHP-së për të përdorur në mënyrë të standardizuar informacionin për popullatën.
Trajnimi u konsiderua nga pjesëmarrësit si shumë i dobishëm dhe u kërkua që aktivitete të tilla të organizohen periodikisht në Institutin e Shëndetit Publik.
Aktiviteti i organizua nga:
- Gentiana Qirjako
- Roland Shuperka
- Jeta Lakrori