10 Shtator 2020 Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjes

Loading Events
  • This event has passed.
Description

10 Shtator 2020

Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjes

 

Vetëvrasja është një problem serioz në shëndetin publik. Ato në shumicën dërrmuese të rasteve janë të parandalueshme, mund të mblidhen të dhëna për to, si dhe mund të hartohen programe parandalimi dhe ndërhyrjeje. Për të qenë ndërhyrjet sa më efektive, është e domosdoshme të ketë një bashkëpunim multisektorial në hartimin e strategjive.

 

Kjo ditë na sjell në vëmendje se është detyrë e secilit në shoqëri, si pjesë e një komuniteti, të hedhë një vështrim tek ata që po kalojnë një periudhë të vështirë dhe t’i inkurajojë të flasin për problemet e tyre në mënyrë që të mund të shkohet drejt zgjidhjes. Krijimi i një bote ku ofrohet kujdes dhe mbështetje, ku ofrohet dëgjim pa pargjykim, mund të bëjë diferencën e madhe. Këto vlejnë veçanërisht për specialistët, të cilët duke pikasur individë me probleme në komunitet, mund të parandalojnë situata më komplekse, përfshirë vetëvrasjen. Individët që kanë përjetuar apo tentuar vetëvrasjen mund t’u mësojnë të tjerëve sesi fjalët dhe veprimet janë shumë të rëndësishme për ata, të cilët ndodhen në këtë situatë. Shpesh, këta individë pranojnë se në ato kohë të errëta, do donin shumë që dikush të fliste me ta e t’i shpëtonte.

 

Kush janë më të rrezikuarit?

 

Ndërsa lidhja ndërmjet vetëvrasjes dhe problemeve të shëndetit mendor (sidomos depresionit dhe çrregullimeve të përdorimit të alkoolit) është e njohur në vendet me të ardhura të larta, shumë vetëvrasje ndodhin papritur, në momente krize, kur individi ndien vështirësi për t’u përballur me streset e jetës, si: problemet financiare, problemet në marrëdhëniet sentimentale, sëmundje apo dhimbje kronike.

 

Po ashtu, përballja me konflikte, fatkeqësi natyrore, dhunë, abuzim, humbje apo izolim është e lidhur ngushtë me sjelljen vetëvrasëse. Shifrat e vetëvrasjeve janë të larta te grupet që përballen me diskriminim, si: refugjatët, emigrantët dhe migrantët; popullatat indigjene, individët gei, lezbike dhe transgjinorë dhe të burgosurit. Gjithsesi, faktori më i madh i rrezikut ngelet tentativa e mëparshme e vetëvrasjes.

 

Metodat e vetëvrasjes

 

Është vlerësuar se afërsisht 30% e vetëvrasjeve në nivel global ndodhin si pasojë e helmimit, kryesisht me pesticide, të cilat, më së shumti, ndodhin në zona rurale dhe në vendet me të ardhura të ulëta ose mesatare. Mënyra të tjera të përhapura të kryerjes së vetëvrasjes janë varja dhe armët e zjarrit. Njohja e mënyrave të sipërcituara dhe jo vetëm, i ndihmon specialistët të hartojnë strategji efektive të parandalimit.

 

Parandalimi dhe kontrolli

 

Vetëvrasja është e parandalueshme. Ka disa masa që mund të ndërmerren, në nivel popullate të përgjithshme, subpopullate, si dhe në nivel individual, që synojnë parandalimin e tentativave apo akteve vetëvrasëse.

Këto përfshijnë:

 

  • Reduktimin dhe kontrollin më të mirë mbi faktorët e rrezikut (pesticide, medikamente të caktuara, armë zjarri, etj), që mundësojnë vetëvrasjen
  • Raportimin nga mediat në mënyrë të përshtatshme.
  • Ndikimin me anë të strategjive për reduktimin e përdorimit të dëmshëm të alkoolit.
  • Identifikimin e hershëm, trajtimin dhe kujdesin për individët me probleme të shëndetit mendor; të përdorimit të substancave, dhimbjeve kronike dhe stresit akut.
  • Trajnimet për punonjës të sistemit shëndetësor, lidhur me vlerësimin dhe menaxhimin e sjelljes vetëvrasëse.
  • Kujdesi në vazhdimësi për individët të cilët kanë tentuar vetëvrasjen dhe mundësimi i mbështetjes komunitare për ta.

 

Vetëvrasja është një çështje komplekse, dhe si e tillë, përpjekjet për parandalimin e saj kërkojnë një koordinim dhe bashkëpunim ndërmjet shumë sektorëve të shoqërisë – përfshirë sistemin shëndetësor, arsimor, të punësimit, të biznesit, të drejtësisë, të ligjit, të mbrojtjes, atë bujqësor, politik, mediat etj. Këto përpjekje duhet të jenë të qarta, të integruara, frytdhënëse dhe me ndikim sa më afatgjatë.

 

Stigma (lidhur me problemet e shëndetit mendor dhe vetëvrasjen), nënkupton se shumë njerëz që po mendojnë t’i japin fund jetës së tyre apo që kanë tentuar edhe më parë, nuk e kërkojnë ndihmën për të cilën kanë nevojë apo në të kundërt, u refuzohet

Parandalimi lidhur me vetëvrasjen mund të mos ketë qenë aq shumë efektiv për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit për këtë problem madhor të shëndetit publik, si dhe për tabunë që ekziston në shumë shoqëri për të folur hapur për të. Aktualisht, vetëm pak vende në botë ( 28 syresh) kanë përfshirë parandalimin e vetëvrasjes në strategjitë e tyre kombëtare të shëndetit.

 

.

 

Statistika globale

 

  • Afërsisht 800.000 njerëz vdesin çdo vit për shkak të vetëvrasjes. Çdo 40 sekonda në botë vetëvritet një individ.

 

  • Numri i tentativave është shumë më i lartë dhe konsiderohet një faktor potencial rreziku

 

  • Vetëvrasja përbën shkakun e dytë të vdekjeve ndërmjet idividëve 15-29 vjeç dhe shkakun e tretë të vdekjeve për individët 15-44 vjeç.

 

  • Në nivel global, 78% e vetëvrasjeve ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta ose të mesme.

 

  • Helmimi, varja dhe armët e zjarrit janë ndër metodat më të përdorura të vetëvrasjes në nivel global.

 

Vetëvrasja është 4 herë më e lartë te meshkujt. Tentativat vetëvrasëse janë 3 herë më të larta te femrat. Po ashtu edhe mendimet suicidale (CDC), ose të pavlefshmërisë së jetës. Te meshkujt mënyra më e zakonshme është ajo me armë zjarri, ndërsa te femrat helmimi.

 

Vihet re një rritje e shifrave të vetëvrasjes mbi moshën 50 vjeç, sidomos te meshkujt – individët që jetojnë vetëm, janë të ve ose të divorcuar.

 

 

Start Date - End Date

Sep 09, 2020 - Sep 10, 2020

Start Time - End Time

10:00 pm - 9:59 pm

Share This