Konferenca Kombëtare
Konferenca Ndërkombëtare “Sistemet e Monitorimit dhe Survejancës në Shëndet Publik” dhe takimi vjetor i IANPHI-t
Me datë 24-25 Prill 2014 u organizua Konferenca Ndërkombëtare e Shëndetit Publik. Tema kryesore e trajtuar në këtë konferencë lidhej me Sistemet e survejancës dhe të monitorimit shëndetësor – temë e cila është padyshim prioritare dhe e një rëndësie të veçantë për sistemin shëndetësor Shqiptar.
Kjo konferencë u organizua së bashku me takimin vjetor të IANPHI-t (Shoqata Ndërkombëtare e Instituteve të Shëndetit Publik), takim të cilin këtë vit patëm privilegjin që ta zhvillonim në Tiranë në sajë të këmbënguljes sonë dhe bonsensit të partnerëve tanë të shkëlqyer ndërkombëtarë. Nga kjo pikëpamje, në këtë konferencë patëm nderin dhe privilegjin e pranisë së shumë autoriteteve të padiskutueshme, ekspertëve dhe profesionistëve të shkëlqyer ndërkombëtarë që janë njëkohësisht edhe drejtorë të instituteve të shëndetit publik në shumë vende të Bashkimit Europian në të cilin Shqipëria aspiron të aderojë. Prandaj, praktikat dhe përvojat e kolegëve të Europës Perëndimore janë të një rëndësie të dorës së parë dhe në dy ditët e takimit u përfitua shumë nga prezantimet dhe punimet e profesionistëve ndërkombëtarë që përfaqësojnë dhe mbulojnë një spektër shumë të gjerë ekspertize sidomos lidhur me sistemet e informacionit shëndetësor në përgjithësi, si dhe sistemet e survejancës dhe monitorimit shëndetësor në veçanti.
Problematikat kryesore që u diskutuan përmblidhen shkurtimisht më poshtë:
- Forcimi i sistemeve ekzistuese të survejancës dhe monitorimit shëndetësor në vendin tonë është i lidhur pazgjidhshmërisht me nevojën e rimodelimit dhe të ristrukturimit tërësor në funksion dhe në përshtatje me sfidat dhe problemet aktuale të sistemit shëndetësor, si dhe me proceset e pashmangshme të zhvillimit teknologjik në vendin tonë – në përputhje dhe në varësi të ngushtë me reformat tërësore të parashtruara në programin e Qeverisë Shqiptare.
- Mbi këtë truall, Instituti i Shëndetit Publik është duke rimodeluar rolin e tij drejt një institucioni kyç i cili do të shërbejë si gjenerator i evidencës shkencore, fakteve dhe informacionit shkencor të cilat do t’i mundësojnë Ministrisë së Shëndetësisë hartimin, zbatimin dhe monitorimin e strategjive, politikave dhe programeve racionale dhe të bazuara në evidencë – si parakusht themelor për përmirësimin gradual dhe të qëndrueshëm të gjendjes shëndetësore të popullatës si dhe të rritjes së efektivitetit dhe të performancës së sistemit shëndetësor në vendin tonë.
- Produkti final i të gjitha aktiviteteve të lidhura me sistemet e survejancës dhe të monitorimit shëndetësor duhet të materializohet në hartimin e raporteve shkencore në kohë reale të cilat informojnë mbi shëndetin e popullatës dhe shërbejnë si evidencë e domosdoshme për ndërhyrje të menjëhershme dhe efektive për të kontrolluar dhe parandaluar sëmundshmërinë në komunitet. Gjithsesi, programet dhe aktivitetet ndërhyrëse duhet të ndërmerren bazuar edhe ne situatën aktuale dhe në kapacitetet ekzistuese të sistemit shëndetësor në Shqipëri.
Artikullin e plotë mund ta shkarkoni në formatin .pdf: këtu