15 Shkurt 2020- Informacion i përditësuar për Koronavirusin COVID_19

Nga sot në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, do të kryhet diagnoza e plotë konfirmuese për koronavirusin COVID-19. Testimi për koronavirusi kryhet në laboratorin pranë ISHP, konkretisht në Laboratorin e Virologjisë me nivel biosigurie, i çertifikuar nga OBSH.

Analiza realizohet me teknikën PCR (teknologji molekulare). Realizimi i identifikimit dhe zbulimit të Koronavirusit COVID-19 në laboratorin e ISHP, vjen në kuadër të përforcimit dhe rritjes së kapaciteteve për zbulueshmërinë e koronavirusit të ri.

 

 

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) ka vënë në zbatim një plan parapërgatitjeje të masave ndaj shpërthimit epidemik të koronavirusit të ri, sipas të gjitha rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ECDC-së bazuar edhe në zbatimin e Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit, duke patur parasysh të gjthë skenarët për rrezikun e infeksionit nga koronavirusi i ri COVID_19 për popullatën në Shqipëri.

 

Në Shqipëri deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me Koronavirus COVID-19, janë testuar 6 raste të cilat pas testimit kanë rezultuar negative. Mbështetur në survejancën e ngritur në pikat kufitare të të gjitha niveleve është kryer vlerësim i 180 shtetasve të cilët kanë hyrë në Shqipëri nga momenti i vendosjes në ALERT dhe kanë pasur histori udhëtimi me Kinën, nga të cilët vetëm 88 persona janë vlerësuar nga Aeroporti i Rinasit dhe asnjë nga këta udhëtarë nuk ka paraqitur shenja klinike të koronavirusit të ri në momentin e vlerësimit në nivel kufitar.

 

Sipas raportimit të Task-Forces dhe Komiteti Teknik për koronavirusin e ri COVID_19 ne vijojmë të kemi të përforcuar survejancën e infeksioneve respiratore dhe specifikisht të rasteve me vështirësi respiratore/sindromën e rëndë respiratore akute, si dhe sistemin e lajmërimit të shpejtë në një situatë shëndetësore jo të zakonshme, kjo e fundit mbështetur dhe në Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit (2005,OBSH), me qëllim zbulimin dhe ndjekjen në kohë të rasteve të dyshuara, izolimin dhe menaxhimin e tyre.

 

Është hartuar algoritmi i pritjes dhe transportit të rasteve të dyshuara nga vendndodhja e tyre drejt QSUT-së, në Shërbimin e Sëmundjeve infektive, nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore. Menaxhimi i transportit të rasteve do të kryhet nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore.

 

Nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive (QSUT), janë përcaktuar bokset /dhomat e izolimit funksionale, në se do të ketë raste të dyshuara për COVID_19 dhe janë marrë masa të shtuara mbi zvogëlimin e hyrje-daljeve në Shërbimet Infektive dhe Urgjencën Polivalente ( QSUT). Gjithashtu, janë vendosur/afishuar në mënyrë skematike procedurat e veshjes dhe zhveshjes së MMP-së në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive – QSUT (moshë pediatrike dhe të rritur), dhe në të gjitha hallkat e tjera të menaxhimit të rastit për parandalimin e kontrollit të infeksionit spitalor. Është pajisur Shërbimi i Sëmundjeve Infektive (QSUT) me të gjitha mjetet e mbrojtjes personale. Është përcaktuar ambienti karantinë, për ta përdorur atëherë kur do të jetë e nevojshme, si p.sh.: për kontaktet e shëndosha në fazën kur në vend do të konfirmohet rasti i parë me COVID_19, si dhe është kryer trajnimi paraprak i personelit shëndetësor që do të jetë pjesë e shërbimit në karantinë.

  

Po vijohet me trajnimin e personelit shëndetësor spitalor, si dhe në çdo nivel, nga personeli i NJVKSH – ve, si dhe ISHP – së. Deri tani janë trajnuar 475 punonjës shëndetësor. Gjithashtu janë kryer takime informuese dhe trajnuese me përfaqësues dhe specialistë të spitaleve jopublike për masat dhe parapërgatitjen e tyre, në rast se paraqiten pranë urgjencave të tyre raste të dyshuara me COVID_19.

 

Inspektorati Shëndetësor Shtetëror po kryen në mënyrë sistematike vlerësimin   monitorimin mbi dezinfektimin dhe kushtet higjieno-sanitare të të gjitha pikave doganore të çdo niveli.

 

Ministria e Shëndetësisë rekomandon qytetarët të cilët kanë udhëtuar së fundmi në Kinë dhe kanë shenjat e mëposhtme: Kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje,  të telefonojnë urgjencën kombëtare 127!

 

Shqipëria ka kapacitetet dhe është e përgatitur për një situate të mundshme të prekjes nga koronavirusi i ri dhe kjo është vlerësuar edhe në raportin e fundit mbi Indeksin Global të Sigurisë Shëndetësore i publikuar nga The Economist: Shqipëria renditet në vendin e 39 për sigurinë shëndetësore, ndër 195 vende të vlerësuara.

 

Situata ndërkombëtare sipas ECDC-së është si më poshtë:

 

  • Në nivel global, janë raportuar në total 67 104 raste të konfirmuara me COVID – 2019.
  • Azi:          66798 raste të konfimuara

1526 vdekje

  • Afrike 1 rast i konfirmuar
  • Amerikë: 23 raste të konfirmuara
  • Australi: 15 raste të konfirmuara

 

Tabela 1. Numri i rasteve të konfirmuara deri në datën 15 shkurt 2020 sipas shteteve (sipas ECDC):  https://www.ecdc.europa.eu/en/novel-coronavirus-china

 

Shteti Nr i rasteve të konfirmuara (15 shkurt 2020)
Kina 66559
Japoni 38
Republika e Koresë 28
Vietnam 16
Singapor 67
Australi 15
Malajzi 21
Kamboxhia 1
Tajland 34
Taivan 18
Nepal 1
Indi 3
Filipine 3
Sri Lanka 1
Rastet e tjera në një mjet transporti detar Japoni 221
USA 15
Kanada 8
Finlanda 1
Franca 11
Gjermani 16
Rusia 2
Spanja 2
Belgjika 1
Suedia 1
Anglia 9
Italia 3
Emiratet e Bashkuara Arabe 8
Egjypt 1
Total 67 104

 

 

 

Grafiku 1. Shpërndarja e rasteve laboratorike të konfirmuara për COVID2019 sipas

 kontinenteve (përveç Kinës), 15. 02.2020

  

 

  1. Situata në  Europë dhe në vendin tonë sipas ECDC–së është si më poshtë:      
  • Europë: 46 raste të konfirmuara
    • 1 vdekje
  • Shqipëri: Janë testuar 6 raste të dyshuara, të cilat kanë rezultuar negative

 

Grafiku 2. Shpërndarja e rasteve të konfirmuara në laborator të COVID2019 në vendet e    BE, EEA dhe Mbretërinë e Bashkuar, 15 Shkurt 2020

 

Rekomandime dhe këshilla të OBSH – së

 

Gjatë shpërthimeve të mëparshme nga koronaviruset e tjerë (Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme “MERS” dhe Sindroma Respiratore Akute e Rëndë “SARS”) transmetimi nga njeriu te njeriu ndodhi përmes spërklave të përshtymës, kontaktit të drejtpërdrejtë human (fizik), apo kontaktit indirekt (nëpërmjet sipërfaqeve / objekteve të kontaminuara). Këto fakte sugjerojnë që mënyra e transmetimit të COVID – 2019 mund të jetë e ngjashme. Parimet themelore për të zvogëluar rrezikun e përgjithshëm të transmetimit të infeksioneve akute të frymëmarrjes përfshijnë masat e mëposhtme:

 

  • Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes.
  • Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose mjedisin e tyre.
  • Shmangia e kontaktit të pambrojtur me kafshët (qofshin ato shtëpiake apo të egra).
  • Personat me simptoma të infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes duhet të praktikojnë higjienën respiratore të lidhur me kollën (ruajtja e distancës, mbulimi me shami / letër ose rroba kur teshtijnë apo kolliten, larjen e duarve).
  • Brenda mjediseve të kujdesit shëndetësor, forconi praktikat standard të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.

 

Në rast të simptomave të lidhura me infeksionet respiratore qoftë gjatë udhëtimit, ashtu edhe pas tij, udhëtarët inkurajohen të kërkojnë kujdes mjekësor dhe të ndajnë historinë e tyre të udhëtimit me personelin shëndetësor.