6 Shkurt 2020- Informacion i përditësuar për Koronavirusin

 

Situata aktuale ndërkombëtare

 

Situata ndërkombëtare sipas ECDC-së e datës 6 shkurt 2020-të është si më poshtë: 

  • Në nivel global, janë raportuar në total 28 284 raste të konfirmuara me 2019 –
  • Në Kinë:  28 057raste të konfimuara

            563 vdekje

  • Jashtë Kinës: 227 raste të konfirmuara

1 vdekje në Filipine

26 shtete të përfshira

Tabela më poshtë paraqet numrin e rasteve të konfirmuara deri në datën 6 shkurt 2020 sipas shteteve (sipas ECDC):  https://www.ecdc.europa.eu/en/novel-coronavirus-china

 

Shteti Nr i rasteve të konfirmuara (6 shkurt 2020)
Kina 28 057
Japoni 45
Republika e Koresë 23
Vietnam 10
Singapor 28
Australi 14
Malajzi 12
Kamboxhia 1
Tajland 25
Taivan 11
Nepal 1
Indi 3
Filipine 3
Sri Lanka 1
USA 12
Kanada 5
Finlanda 1
Franca 6
Gjermani 12
Rusia 2
Spanja 1
Belgjika 1
Suedia 1
Anglia 2
Italia 2
Emiratet e Bashkuara Arabe 5
Total 28 284

 

Masat e marra në vendin tonë për parandalimin e koronavirusit të ri

 

Në kuadër të masave për koronavirusin në vendin tonë Task- Forca e strukturave shëndetësore dhe ekspertëve mblidhet çdo ditë dhe raporton për vijimin e masave të marra për parandalimin dhe kontrollin e koronavirusit. Deri tani në vendin tonë nuk ka asnjë rast të prekur me koronavirus dhe rreziku për depërtimin e virusit në Shqipëri vazhdon të mbetet i ulët.

Në çdo pikë kufitare janë ngritur dhoma të posaçme për monitorimin e rasteve te dyshuara. Eshtë përcaktuar rruga që ndjek çdo person që dyshohet që është i kontaminuar. Çdo rast i dyshuar, i mundshëm ose i konfirmuar me CoV e ri, do raportohet menjëherë pranë NJVKSH përkatese dhe me pas prej NJVKSH ose direkt pranë ISHP me formularin rutinë të njoftimit. Kjo procedurë duhet të kryhet menjëherë dhe brenda 24 orëve menaxhimi i transportit të rasteve do të kryhet nga Urgjenca Mjekësore Kombëtare. Çdo rast do të hetohet sipas udhëzimit përkatës, me qëllimin ndjekjen e kontakteve të rastit të dyshuar, të mundshëm ose të konfirmuar me 2019 n-CoV.

Janë marrë masat në Spitalin Infektiv në QSUT, me dhomat e izolimit të cilat janë pajisura me mjetet përkatëse që nga pjesa e aparateve respiratore të monitorimit edhe sistemin e gazrave mjekësor, si dhe mjetet personale mbrojtëse. Edhe pse rreziku mbetet  i ulët, MSHMS po forcon masat paraprake.

Janë marrë masat në Institutin e Shëndetit Publik për furnizimin me kite reagentë për kryerjen e analizës së koronaviruseve. Deri tani janë testuar gjithsej katër raste, të cilat kanë rezultuar negative ndaj koronavirusit.

Po vijohet me trajnimet me strukturat shëndetësore, me përfaqësues të QKUM dhe NjVKSH në vend mbi parapërgatitjen për masat e kontrollit të infeksionit 2019 – nCoV (koronavirusi i ri).

Eshtë menduar organizimini karantinës nëse do të jetë e nevojshme.

Eshtë rritur shkëmbimi i informacionit (dhe behet në kohë reale) mes strukturave të Ministrise së Shëndetësisë, si ISHP, ISHSH, QSUT dhe Spitali “Shefqet Ndroqi”. Mes ketyre strukturave ka një koordinim të masave bazuar mbi rekomandimet e OBSH.

Ministria e Shëndetësisë rekomandon qytetarët të cilët kanë udhëtuar së fundmi në Kinë dhe kanë shenjat e mëposhtme: Kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje, të telefonojnë urgjencën kombëtare 127!

 

 

 

Rekomandime dhe këshilla nga OBSH

Gjatë shpërthimeve të mëparshme nga koronaviruset e tjerë (Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme (MERS) dhe Sindroma Respiratore Akute e Rëndë  (SARS), transmetimi nga njeriu te njeriu ndodhi përmes spërklave të përshtymës, kontaktit të drejtpërdrejtë human (fizik), apo kontaktit indirekt (nëpërmjet sipërfaqeve/objekteve të kontaminuara). Këto fakte sugjerojnë që mënyra e transmetimit të 2019-nCoV mund të jetë e ngjashme. Parimet themelore për të zvogëluar rrezikun e përgjithshëm të transmetimit të infeksioneve akute të frymëmarrjes përfshijnë masat e mëposhtme:

  • Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes.
  • Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose mjedisin e tyre.
  • Shmangia e kontaktit të pambrojtur me kafshët (qofshin ato shtëpiake ashtu edhe të egra).
  • Personat me simptoma të infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes  duhet të praktikojnë higjenën respiratore të lidhur me kollën (ruajtja e distancës,  mbulimi me shami/letër ose rroba kur teshtijnë apo kolliten, larje e duarve)
  • Brenda mjediseve të kujdesit shëndetësor, forconi praktikat standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.

 

Në rast të simptomave të lidhura me infeksionet respiratore qoftë gjatë udhëtimit ashtu edhe pas tij, udhëtarët inkurajohen të kërkojnë kujdes mjekësor dhe të ndajnë historinë e tyre të udhëtimit me personelin shëndetësor.