31 Maj – Dita Botërore Pa Duhan
Më 31 maj 2023, OBSH-ja dhe përfaqësuesit e shëndetit publik në mbarë botën organizojnë Ditën Botërore Pa Duhan. Tema e këtij viti është: “Ne kemi nevojë për ushqim, jo duhan”. Fushata globale e vitit 2023 synon të rrisë ndërgjegjësimin rreth prodhimit të bimëve alternative dhe mundësive të marketingut për fermerët e duhanit, si dhe t’i inkurajojë ata të rritin kultura të qëndrueshme dhe ushqyese.
Ajo do të synojë gjithashtu të ekspozojë dhe delegjitimojë përpjekjet e industrisë së duhanit për kultivimin e kësaj kulture përkundër kulturave të tjera, duke kontribuar kështu në thellimin e krizës globale të ushqimit.
Kriza në rritje e ushqimit, përpos të tjerash, është nxitur nga konfliktet dhe luftërat, goditjet klimatike dhe ndikimet ekonomike dhe sociale të pandemisë COVID-19.
Në të gjithë globin, rreth 3.5 milionë hektarë tokë konvertohen për kultivimin e duhanit çdo vit. Rritja e duhanit kontribuon gjithashtu në shpyllëzimin e 200 000 hektarëve në vit.
Rritja e duhanit kërkon burime intensive, si dhe përdorim të madh të pesticideve dhe plehrave, të cilët kontribuojnë në degradimin e tokës.
Sipërfaqet e përdorura për rritjen e duhanit varfërohen nga pikëpamja e pjellorisë, shkretëtirëzohen – kanë një ndikim më shkatërrues në ekosistemet krahasuar me aktivitetet e tjera bujqësore si kultivimi i misrit, apo blegtorale si kullotja – dhe si rezultat, kanë një kapacitet më të ulët për rritjen e kulturave të tjera për ushqim.
Çdo fitim në para që do të realizohet nga duhani, nuk mund të kompensojë kurrsesi dëmin e shkaktuar ndaj prodhimit të qëndrueshëm të ushqimit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Në këtë sfond, ekziston një nevojë urgjente për të marrë masa ligjore për të reduktuar kultivimin e duhanit, për të ndihmuar fermerët të kalojnë në prodhimin e kulturave ushqimore dobiprurëse, si dhe për të mbështetur krijimin e mjeteve dhe mënyrave alternative të jetesës.
Industria e duhanit shpesh reklamon veten si një avokat për jetesën e fermerëve të duhanit. Kjo është shumë larg nga e vërteta. Trajtimi intensiv i insekticideve dhe kimikateve toksike gjatë kultivimit të duhanit kontribuon që shumë fermerë dhe familjet e tyre të vuajnë nga shëndeti i keq. Më tej, marrëveshjet e padrejta kontraktuale me kompanitë e duhanit i mbajnë fermerët të varfër dhe puna e fëmijëve që shpesh është endur në kultivimin e duhanit ndërhyn në të drejtën për arsimim dhe është shkelje e të drejtave të njeriut.
Nëntë nga dhjetë kultivuesit më të mëdhenj të duhanit janë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, dhe katër prej tyre përcaktohen si vende me deficit ushqimor me të ardhura të ulëta. Toka e përdorur për rritjen e duhanit mund të përdoret në mënyrë më efikase për të arritur Objektivin 2 të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara – Zero uri!
Fushata e këtij viti, 2023, u bën thirrje qeverive dhe politikëbërësve të forcojnë legjislacionin, të zhvillojnë politika dhe strategji të përshtatshme dhe të mundësojnë kushtet e tregut për fermerët e duhanit që të kalojnë në rritjen e kulturave ushqimore që do t’u siguronin atyre dhe familjeve të tyre një jetë më të mirë. Konventa Kuadër e OBSH-së për Kontrollin e Duhanit ofron parime specifike dhe opsione politikash për promovimin e alternativave ekonomikisht të qëndrueshme për punëtorët e duhanit, kultivuesit dhe shitësit individualë (të përshkruara në nenin 17) dhe për rritjen e mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit të njerëzve (neni 18 ).