25 NËNTOR 2023

“Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave”

Dhuna ndaj grave është një shkelje e të drejtave të njeriut dhe një problem global i shëndetit publik me përmasa epidemike. Dhuna ndaj grave njihet njëherazi si shkak dhe si pasojë e pabarazisë gjinore, dhe si një pengesë e madhe për gëzimin nga gratë dhe vajzat e të drejtave të njeriut dhe për pjesëmarrjen e tyre të plotë në shoqëri dhe ekonomi.
Tematika për këtë vit është:
“BASHKOHUNI! Investoni për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave”.

Në nivel global, vlerësohet se rreth 736 milionë gra – pothuajse një në tre – i janë nënshtruar dhunës fizike dhe/ose seksuale nga partneri intim, dhunës seksuale nga jopartneri, ose të dyja të paktën një herë në jetën e tyre (30% e grave të moshës 15 vjeç e lart). Kjo shifër nuk përfshin ngacmimet seksuale. Pasojat fizike, seksuale dhe mendore të menjëhershme dhe afatgjata për ato mund të jenë shkatërruese, duke përfshirë dhe vdekjen.

Kjo plagë është intensifikuar dhe përkeqësuar në mjedise të ndryshme, duke përfshirë:

-vendin e punës,
-hapësirat në internet,
-efektet post-pandemike,
-konfliktet,
-ndryshimet klimatike.

Zgjidhja qëndron në përgjigjet e fuqishme, duke përfshirë investimet në parandalim. Megjithatë, në mënyrë alarmante, të dhënat se sa shumë kombet po angazhohen për të luftuar dhunën ndaj grave dhe vajzave mbeten jashtëzakonisht të pakta.
Për shembull: vetëm 5% e ndihmës qeveritare është e përqendruar në trajtimin e dhunës ndaj
grave dhe vajzave, dhe më pak se 0.2% drejtohet për parandalimin e saj.

-Bashkohuni me 16 ditët tona të aktivizmit!

16 Ditët e Aktivizimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore është një fushatë ndërkombëtare vjetore, që fillon më 25 nëntor me “Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave” dhe përfundon më 10 dhjetor me “Ditën e të Drejtave të Njeriut”. Fushata e vitit 2023 “Investoni për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave” ju bën thirrje qytetarëve të tregojnë se sa shumë kujdesen për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe gjithashtu qeverive në mbarë botën të tregojnë se si po investojnë në parandalimin e dhunës me bazë gjinore. Bashkohuni me lëvizjen globale me nismën ”Asnjë justifikim” – që bën thirrje për investime
urgjente për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave.

MBROJTJA E GRAVE DHE VAJZAVE NUK ËSHTË SHPENZIM, POR INVESTIM.
Dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet kryesisht e pa raportuar për shkak të mosndëshkimit, heshtjes, stigmës dhe turpit që e rrethon.
Në përgjithësi, ai manifestohet në forma fizike, seksuale dhe psikologjike, duke përfshirë:
-dhunën nga partneri intim (rrahje, abuzim psikologjik, përdhunim martesor, feminicid);
-dhunën dhe ngacmimin seksual (përdhunimi, aktet seksuale të detyruara, abuzimi seksual
i fëmijëve, martesa e detyruar, ngacmimi në rrugë, ndjekja, ngacmimi kibernetik);
-trafikimin e qenieve njerëzore (skllavëria, shfrytëzimi seksual);
– martesën e fëmijëve.

Në nivel global, një në tri gra përjeton dhunë fizike ose seksuale, kryesisht nga një partner intim. Shkalla e depresionit, çrregullimeve të ankthit, shtatzënive të padëshirueshme, infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe HIV janë më të larta tek gratë që kanë përjetuar dhunë, në krahasim me gratë që nuk kanë përjetuar dhunë, si dhe shumë probleme të tjera shëndetësore që mund të zgjasin pas përfundimit të dhunës. Dhuna ndikon negativisht në mirëqenien e përgjithshme të grave dhe i pengon ato të marrin pjesë plotësisht në shoqëri. Ajo ndikon në familjet e tyre, komunitetin dhe vendin në përgjithësi. Ajo ka kosto të jashtëzakonshme, nga sforcime më të mëdha në kujdesin shëndetësor, deri te shpenzimet ligjore dhe humbjet në produktivitet.

A e dini se?
– Më shumë se pesë gra ose vajza vriten çdo orë nga dikush në familjen e tyre.
– Pothuajse një në tre gra i janë nënshtruar dhunës fizike dhe/ose seksuale të paktën një
herë në jetën e tyre.
– 86% e grave dhe vajzave jetojnë në vende pa mbrojtje ligjore kundër dhunës me bazë
gjinore.

Pavarësisht nga përmasat e problemit dhe këto tendenca shqetësuese, angazhimet financiare për
parandalimin e dhunës mbeten të kufizuara. Investimi në parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave është thelbësor për arritjen e barazisë gjinore deri në vitin 2030, në përputhje me objektivat Fushatës “BASHKOHUNI” (UNITE). Çdo përpjekje e investuar në parandalimin e dhunës ndaj grave si : duke i dhënë atyre informacion në lidhje me shërbimet, linjat e ndihmës locale, apo duke biseduar me dikë që është
trajnuar për t’i ndihmuar, është një hap drejt një bote më të sigurt, më të barabartë dhe të begatë.

#thuajjo #bashkohu #asnjëjustifikim