24 Shkurt 2020, Informacion i përditësuar/ Situata e Gripit

Në javën 07 të 2020 vërehet një prirje në rënie e numrit të infeksioneve Respiratore të Sipërme dhe të Poshtëme. Bazuar në të dhënat e Buletinit të Gripit të Institutit të Shëndetit Publik,  infeksionet respiratore kanë aktivitet sezonal normal.

Gjithashtu referuar të dhënave nga Buletini , deri tani,  322 mostra  janë konfirmuar  me viruse të gripit.

 

Nga të dhënat e raportimit sipas survejancës së infeksioneve akute respiratore të sipërme dhe të poshtme të sistemit ALERT, survejancës sentinel të sëmundjeve të ngjashme me Gripin (ILI) në rrethin e Tiranës, dhe survejancës së infeksioneve respiratore akute të rënda (SRRA) në spitalet kryesore në të gjithë vendin si dhe raportimit rutinë, vërejmë se prirja e infeksioneve respiratore paraqet rënie në javën 07/2020, me aktivitet sezonal normal me intensitet të lartë.

Vazhdon qarkullimi i viruseve të tipit A dhe B të gripit. Që nga fillimi i sezonit deri tani, në total mbizotëron virusi i tipit A, nëntipi A/H3. Virusi i tipit A ka mbizotëruar çdo javë deri në javën 05 ndërsa në javët 06 dhe 07 vërehet mbizotërim i virusit të tipit B.

Në javën e 07 të vitit 2020 vërehet një prirje në rënie e numrit të infeksioneve Respiratore të Sipërme dhe të Poshtëme dhe ky numër është 19% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Prej javës 43 (21-27 Tetor 2019) deri nw javwn 07 (10 – 16 Shkurt 2020) jane grumbulluar 899 mostra nazofaringeale nga qendrat e survejancës ILI dhe SRRA apo STRRA. Nga testimi i tyre në 322 (35.8%) mostra janë identifikuar viruset e gripit, nga të cilat: 180 (20%) virusi i tipit A dhe 142 (15.8%) virusi i tipit B. Nga 180 viruset e tipit A 70 (38.9%) janë të nëntipit A/H1pdm09 dhe 97 (53.9%) të nëntipit A/H3 ndersa 13 (7.2%) janë në procesin e nëntipizimit.

 

MSHMS dhe ISHP u bëjnë apel qytetarëve të mbrojnë veten dhe të tjerët duke ndjekur këshillat si më poshtë:

  • Lani duart rregullisht
  • Pastroni hundët me shami njëpërdorimshme
  • Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini
  • Evitoni ambientet e mbipopulluara dhe me shumë njerëz
  • Ruani një temperaturë të qendrueshme brenda banesave tuaja.
  • Ajrosini vazhdimisht ambientet ku rrini.

Kur jeni të sëmurë:

  • Qëndroni në shtëpi, kufizoni daljen në ambiente të ftohta.
  • Konsumoni ushqime të ngrohta
  • Pini sa më shumë lëngje
  • Kufizoni kontaktet direkte dhe indirekte (nëpërmjet objekteve)
  • Mos e nënvlerësoni gripin. Sa herë nuk ndjeheni mirë, konsultohuni me mjekun.