Java Europiane e Vaksinimit është një inciativë e vendeve të rajonit Europian e koordinuar nga zyra e OBSH në Danimarkë në bashkëpunim me UNICEF dhe Qendrën Europiane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve e cila trajton probleme që lidhen me vaksinimin. Kjo iniciative europiane ka filluar në vitin 2005 dhe në këtë vit ne jemi në 10 vjetorin e saj. Vendi ynë ka marrë pjesë çdo vit në këtë iniciativë duke organizuar aktivitete të ndryshme.
Këtë vit, kjo javë fokusohet në nevojën për rinovimin e angazhimeve ndaj imunizmimit në nivel politik, profesional dhe personal.
Gjatë kësaj jave, vendet e rajonit bashkohen në slloganin – Parandaloni! Mbroni! Vaksinoni! – dhe zhvillojnë aktivitete për të informuar dhe angazhuar personat përgjegjës në sfidat në lidhje me imunizimin.
Kjo iniciativë ka për qëllim të sigurojë vaksinimin universal dhe ndërgjegjësimin për të rritur suksesin e programeve të imunizimit duke përfshirë të gjithë individët sidomos ata që nuk janë vaksinuar apo nuk kanë marrë të gjitha vaksinat e duhura.
Vaksinimi shpëton më shumë jetë se çdo ndërhyrje tjetër në shëndet publik e megjithatë ende gjate viteve te fundit u shfaqën 31 685 raste me fruth në Europë, një rritje kjo 348 herë më shumë krahasuar me vitin 2007. Kosto e këtyre shpërthimeve epidemike si në njerëz ashtu dhe në vlera monetare është shumë e lartë.
Vendi ynë prej disa vitesh ka eliminuar qarkullimin e brendshëm të Fruthit dhe Rubeolës. Po ashtu në vazhdojmë të mbajmë satusin pa Polio në vendin tonë. Për të ruajtur këto arritje kryhen përpjekje në drejtim të sigurimit të një mbulese vaksinale të fëmijëve 0-14 vjec, të lartë, përreth 97%, evidentimit të cdo rasti të dyshuar në kohë reale nëpërmjet survejancave sindromike dhe laboratorike, si dhe njohjes së situatës në rajon e me tej duke patur plane të gatshme të emergjencës, rritjes së vëmendjes për reduktimin në maksimum të fëmijëve të pavaksinuar.
Që nga vitit 2000 jane shtuar 5 vaksina të reja si dhe vaksina të kombinuara dhe është përmirësuar sistemi i rujatjes dhe transportit të vaksinave në cdo cep të vendit.
Këtë vit aktivitetet tona synojnë në rritjen e njohurive të punonjësve shëndetësorë dhe përcjelljen e informacionit për prindërit duke përmirësuar mënyrat e komunikimit në lidhje me imunizimin dhe vaksinat
Objektivat e këtyre aktiviteteve këtë vit janë:
- Rritja e njohurive të punonjësve shëndetësorë mbi sëmundjet, vaksinat dhe imunizimin;
- Rritja e njohurive të tyre mbi komunikimin me prindërit rreth sigurisë së vaksinave dhe imunizimit.
- Përcaktimi i një grupi trajnuesish midis punonjësve shëndetësorë në komunikimin mbi sigurinë e vaksinave.