2 Mars 2020, Informacion i përditësuar/ Situata e Gripit

 

 

Në javën 08 të 2020 vërehet se prirja e infeksioneve respiratore paraqitet e qëndrueshme. Bazuar në të dhënat e Buletinit të Gripit të Institutit të Shëndetit Publik, infeksionet respiratore kanë aktivitet sezonal normal.

Gjithashtu referuar të dhënave nga Buletini, deri tani, 322 mostra  janë konfirmuar  me viruse të gripit.

 

Nga të dhënat e raportimit sipas survejancës së infeksioneve akute respiratore të sipërme dhe të poshtme të sistemit ALERT, survejancës sentinel të sëmundjeve të ngjashme me Gripin (ILI) në rrethin e Tiranës, dhe survejancës së infeksioneve respiratore akute të rënda (SRRA) në spitalet kryesore në të gjithë vendin si dhe raportimit rutinë, vërejmë se prirja e infeksioneve respiratore paraqitet e qëndrueshme në javën 08/2020, me aktivitet sezonal normal me intensitet të lartë.

 

Vazhdon qarkullimi i viruseve të tipit A dhe B të gripit. Që nga fillimi i sezonit deri tani, në total mbizotëron virusi i tipit A, nëntipi A/H3. Virusi i tipit A ka mbizotëruar çdo javë deri në javën 05 ndërsa që nga java 06 vërehet mbizotërim i virusit të tipit B.

 

Në vendin tonë në javën e 08 të vitit 2020 vërehet një prirje në rënie e numrit të infeksioneve Respiratore të Sipërme dhe të Poshtëme dhe ky numër është 19% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Në javën 08/2020 aktiviteti i IRA paraqet: prirje të qëndrueshme, aktivitet gjeografik të përhapur,  intensitet të lartë, impakt mesatar.

 

Prej javës 43 (21-27 Tetor 2019) deri në javën 08 (17 – 23 Shkurt 2020) janë grumbulluar 899 mostra nazofaringeale nga qendrat e survejancës ILI dhe SRRA apo STRRA. Përpara pranimit në laborator kryhet rregullisht monitorimi i cilësisë së mostrës sipas protokolleve standarte. Të gjitha mostrat e ardhura janë testuar me metodën molekulare të Real-Time RT PCR.

Nga testimi i tyre në 322 (37.5%) mostra janë identifikuar viruset e gripit, nga të cilat: 199 (20.4%) virusi i tipit A dhe 142 (17.1%) virusi i tipit B. Nga 199 viruset e tipit A 75 (37.7%) janë të nëntipit A/H1pdm09 dhe 114 (57.3%) të nëntipit A/H3 ndersa 10 (5%) janë në procesin e nëntipizimit. 

 

MSHMS dhe ISHP u bëjnë apel qytetarëve të mbrojnë veten dhe të tjerët duke ndjekur këshillat si më poshtë:

  • Lani duart rregullisht
  • Pastroni hundët me shami njëpërdorimshme
  • Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini
  • Evitoni ambientet e mbipopulluara dhe me shumë njerëz
  • Ruani një temperaturë të qendrueshme brenda banesave tuaja.
  • Ajrosini vazhdimisht ambientet ku rrini.

 

Kur jeni të sëmurë:

  • Qëndroni në shtëpi, kufizoni daljen në ambiente të ftohta.
  • Konsumoni ushqime të ngrohta
  • Pini sa më shumë lëngje
  • Kufizoni kontaktet direkte dhe indirekte (nëpërmjet objekteve)
  • Mos e nënvlerësoni gripin. Sa herë nuk ndjeheni mirë, konsultohuni me mjekun.