18 shkurt 2020- Informacion i përditësuar për Koronavirusin COVID_19
Masat e marra dhe vlerësimi i riskut të virusit COVID – 2019 për popullatën në Shqipëri
Rreziku i infeksionit nga COVID – 2019 për popullatën në Shqipëri është aktualisht i ulët. Në vendin tonë deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me Koronavirus COVID-19, janë testuar 6 raste të cilat pas testimit kanë rezultuar negative.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, vazhdon të ketë një plan të përforcuar të masave ndaj shpërthimit epidemik të koronavirusit të ri, sipas të gjitha rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ECDC-së bazuar edhe në zbatimin e Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit, duke patur parasysh të gjthë skenarët për rrezikun e infeksionit nga koronavirusi i ri COVID – 2019 për popullatën në Shqipëri.
Mbështetur në survejancën e ngritur në pikat kufitare të të gjitha niveleve është kryer vlerësim i 189 shtetas nga periudha e shpalljes emergjence globale, të cilët kanë hyrë në Shqipëri nga momenti i vendosjes në ALERT dhe kanë pasur histori udhëtimi me Kinën, dhe asnjë nga këta udhëtarë nuk ka paraqitur shenja klinike të koronavirusit të ri në momentin e vlerësimit në nivel kufitar.
Sipas raportimeve të vazhdueshme të Task-Forcës dhe Komiteti Teknik për koronavirusin e ri COVID_19 ne vijojmë të kemi të përforcuar survejancën e infeksioneve respiratore dhe specifikisht të rasteve me vështirësi respiratore/sindromën e rëndë respiratore akute, si dhe sistemin e lajmërimit të shpejtë në një situatë shëndetësore jo të zakonshme, kjo e fundit mbështetur dhe në Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit, me qëllim zbulimin dhe ndjekjen në kohë të rasteve të dyshuara, izolimin dhe menaxhimin e tyre.
Në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik tashme kryhet diagnoza e plotë konfirmuese për koronavirusin COVID-19. Testimi për koronavirusi kryhet në laboratorin pranë ISHP, konkretisht në Laboratorin e Virologjisë me nivel biosigurie, i çertifikuar nga OBSH.
Analiza realizohet me teknikën PCR (teknologji molekulare). Realizimi i identifikimit dhe zbulimit të Koronavirusit COVID-19 në laboratorin e ISHP, vjen në kuadër të përforcimit dhe rritjes së kapaciteteve për zbulueshmërinë e koronavirusit të ri.
Nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive (QSUT), janë përcaktuar bokset /dhomat e izolimit funksionale, në se do të ketë raste të dyshuara për COVID_19 dhe janë marrë masa të shtuara mbi zvogëlimin e hyrje-daljeve në Shërbimet Infektive dhe Urgjencën Polivalente ( QSUT). Gjithashtu, janë vendosur/afishuar në mënyrë skematike procedurat e veshjes dhe zhveshjes së MMP-së në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive – QSUT (moshë pediatrike dhe të rritur), dhe në të gjitha hallkat e tjera të menaxhimit të rastit për parandalimin e kontrollit të infeksionit spitalor. Është pajisur Shërbimi i Sëmundjeve Infektive (QSUT) me të gjitha mjetet e mbrojtjes personale. Është përcaktuar ambienti karantinë, për ta përdorur atëherë kur do të jetë e nevojshme, si p.sh.: për kontaktet e shëndosha në fazën kur në vend do të konfirmohet rasti i parë me COVID_19, si dhe është kryer trajnimi paraprak i personelit shëndetësor që do të jetë pjesë e shërbimit në karantinë.
Po vijohet me trajnimin e personelit shëndetësor spitalor, si dhe në çdo nivel, nga personeli i NJVKSH – ve, si dhe ISHP – së. Gjithashtu janë kryer takime informuese dhe trajnuese me përfaqësues dhe specialistë të spitaleve jopublike për masat dhe parapërgatitjen e tyre, në rast se paraqiten pranë urgjencave të tyre raste të dyshuara me COVID_19.
Inspektorati Shëndetësor Shtetëror po kryen në mënyrë sistematike vlerësimin monitorimin mbi dezinfektimin dhe kushtet higjieno-sanitare të të gjitha pikave doganore të çdo niveli.
Është hartuar algoritmi i pritjes dhe transportit të rasteve të dyshuara nga vendndodhja e tyre drejt QSUT-së, në Shërbimin e Sëmundjeve infektive, nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore. Menaxhimi i transportit të rasteve do të kryhet nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore.
Ministria e Shëndetësisë rekomandon qytetarët të cilët kanë udhëtuar së fundmi në Kinë dhe kanë shenjat e mëposhtme: Kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje, të telefonojnë urgjencën kombëtare 127!
Situata ndërkombëtare sipas ECDC-së është si më poshtë:
Në nivel global, janë raportuar në total 73 328 raste të konfirmuara me COVID – 2019.
Azi: 72 788 raste të konfimuara
1872 vdekje
Afrikë 1 rast i konfirmuar
Amerikë: 23 raste të konfirmuara
Australi: 15 raste të konfirmuara
Europë: 47 raste të konfirmuara
1 vdekje
Tabela 1. Numri i rasteve të konfirmuara deri në datën 18 shkurt 2020 sipas shteteve (sipas ECDC): https://www.ecdc.europa.eu/en/novel-coronavirus-china
Shteti | Nr i rasteve të konfirmuara (18 shkurt 2020) |
Kina | 72 508 |
Japoni | 59 |
Republika e Koresë | 31 |
Vietnam | 16 |
Singapor | 77 |
Australi | 15 |
Malajzi | 22 |
Kamboxhia | 1 |
Tajland | 35 |
Taivan | 22 |
Nepal | 1 |
Indi | 3 |
Filipine | 3 |
Sri Lanka | 1 |
Rastet e tjera në një mjet transporti detar Japoni | 454 |
USA | 15 |
Kanada | 8 |
Finlanda | 1 |
Franca | 12 |
Gjermani | 16 |
Rusia | 2 |
Spanja | 2 |
Belgjika | 1 |
Suedia | 1 |
Anglia | 9 |
Italia | 3 |
Emiratet e Bashkuara Arabe | 9 |
Egjypt | 1 |
Total | 73 328 |
Grafiku 1. Shpërndarja e rasteve laboratorike të konfirmuara për COVID – 2019 sipas
kontinenteve (përveç Kinës), 18. 02.2020
Situata në Europë dhe në vendin tonë sipas ECDC–së është si më poshtë:
Europë: 47 raste të konfirmuara
1 vdekje
Shqipëri: Janë testuar 6 raste të dyshuara, të cilat kanë rezultuar negative
Grafiku 2. Shpërndarja e rasteve të konfirmuara në laborator të COVID – 2019 në vendet e BE, EEA dhe Mbretërinë e Bashkuar, 18 Shkurt 2020
Rekomandime dhe këshilla të OBSH – së
Gjatë shpërthimeve të mëparshme nga koronaviruset e tjerë (Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme “MERS” dhe Sindroma Respiratore Akute e Rëndë “SARS”) transmetimi nga njeriu te njeriu ndodhi përmes spërklave të përshtymës, kontaktit të drejtpërdrejtë human (fizik), apo kontaktit indirekt (nëpërmjet sipërfaqeve / objekteve të kontaminuara). Këto fakte sugjerojnë që mënyra e transmetimit të COVID – 2019 mund të jetë e ngjashme. Parimet themelore për të zvogëluar rrezikun e përgjithshëm të transmetimit të infeksioneve akute të frymëmarrjes përfshijnë masat e mëposhtme:
Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes.
Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose mjedisin e tyre.
Shmangia e kontaktit të pambrojtur me kafshët (qofshin ato shtëpiake apo të egra).
Personat me simptoma të infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes duhet të praktikojnë higjienën respiratore të lidhur me kollën (ruajtja e distancës, mbulimi me shami / letër ose rroba kur teshtijnë apo kolliten, larjen e duarve).
Brenda mjediseve të kujdesit shëndetësor, forconi praktikat standard të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.
Në rast të simptomave të lidhura me infeksionet respiratore qoftë gjatë udhëtimit, ashtu edhe pas tij, udhëtarët inkurajohen të kërkojnë kujdes mjekësor dhe të ndajnë historinë e tyre të udhëtimit me personelin shëndetësor.