15 QERSHOR
“DITA BOTËRORE E NDËRGJEGJËSIMIT NDAJ ABUZIMIT TË TË MOSHUARVE”
15 Qershor, Dita Botërore e Ndërgjegjësimit ndaj Abuzimit të të Moshuarve është (e njëjta datë çdo vit) ditë ndërkombëtare e OKB-së.
Rritja e jetëgjatësisë ka çuar në një rritje globale të popullsisë të të moshuarve. Abuzimi ndaj tyre është një problem serioz që prek shëndetin dhe të drejtat e njeriut, madje mund të shkaktojë vdekjen, prandaj është jetike të rritet ndërgjegjësimi dhe të parandalohet sa herë, dhe kudo që të jetë e mundur.
Abuzimi tek të moshuarit është keqtrajtimi i një personi të moshuar që ushtrohet nga dikush me të cilin ai ka një marrëdhënie besimi si p.sh.: një partner, anëtar i familjes, mik ose kujdestar.
Abuzimi me të moshuarit është global dhe vjen në shumë forma si: ai fizik, emocional, seksual, financiar gjithashtu dhe neglizhimi. Të moshuarit meritojnë të njëjtin dinjitet dhe respekt si të gjithë njerëzit e grup-moshave të tjera.
Ndonjëherë familja, miqtë dhe kujdestarët mund të mos e kuptojnë, se veprimet e tyre mund të përbëjnë abuzim ndaj të moshuarve.
Të moshuarit janë veçanërisht të prekshëm ndaj abuzimit dhe paaftësisë për të mbrojtur veten dhe për të marrë ndihmë. Frika dhe dobësia mund të jenë barriera kryesore për të kërkuar dhe marrë ndihmë. Nganjëherë zbulimi i abuzimit tek të moshuarit nuk është i lehtë, disa janë izoluar pasi i kanë mbijetuar atij. Në disa institucione abuzimi nuk vihet re ose mbulohet, madje në disa raste të moshuarve nuk u jepet përparësi as nga autoritetet për këtë çështje.
Prej 2019 deri në 2030, numri i personave të moshës 60 vjeç e lart parashikohet të rritet me 38%, nga 1 miliard në 1.4 miliardë, duke tejkaluar numrin e të rinjve në nivel global, dhe kjo rritje do të jetë më e madhja dhe më e shpejta në botën në zhvillim.
Abuzimi me të moshuarit është një problem që ekziston si në vendet në zhvillim, ashtu edhe në vendet e zhvilluara, por raportohet më pak në nivel global. Normat ose vlerësimet e prevalencës ekzistojnë vetëm në vende të zgjedhura të zhvilluara — duke filluar nga 1% në 10%. Megjithëse shkalla e keqtrajtimit të të moshuarve është e panjohur, rëndësia e tij sociale dhe morale është e dukshme. Si i tillë, ai kërkon një përgjigje globale të shumanshme e cila fokusohet në mbrojtjen e të drejtave të të moshuarve.
Qasjet për të përcaktuar, zbuluar dhe trajtuar abuzimin ndaj të moshuarve duhet të vendosen brenda një konteksti kulturor dhe të konsiderohen krahas faktorëve të rrezikut kulturor.
P.sh.: në disa shoqëri tradicionale të vejat më të moshuara u nënshtrohen martesave të detyruara; në të tjera gratë e moshuara që izolohen, akuzohen për magji. Nga pikëpamja shëndetësore dhe sociale si sektori i kujdesit shëndetësor parësor, ashtu edhe ai i shërbimit social nuk janë të pajisur mirë për të identifikuar dhe trajtuar problemin, ndaj abuzimi me të moshuarit do të vazhdojë të anashkalohet.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, nëpërmjet fushatave synon të ndryshojë narrativën rreth moshimit dhe plakjes, dhe të ndihmojë në krijimin e një bote për të gjitha moshat.
A e dini ?
- Rreth 1 në 6 persona 60 vjeç e lart kanë përjetuar një formë abuzimi në mjediset e komunitetit gjatë vitit të kaluar.
- Normat e abuzimit me të moshuarit janë të larta në institucione të tilla si: shtëpitë e të moshuarve dhe objektet e kujdesit afatgjat, 2 në 3 pjesëtar të stafit, raportohen se kanë kryer abuzime vitin e kaluar.
- Normat e abuzimit me të moshuarit janë rritur gjatë pandemisë COVID-19.
- Abuzimi me të moshuarit mund të çojë në lëndime të rënda fizike dhe pasoja psikologjike afatgjata.
- Abuzimi me të moshuarit parashikohet të rritet, pasi shumë vende po përjetojnë plakje të shpejtë të popullsisë.
- Popullsia globale e njerëzve të moshës 60 vjeç e lart do të dyfishohet nga 900 milionë në 2015-ën në rreth 2 miliardë në 2050-ën.