Si të mbrojmë shëndetin nga i ftohti
I ftohti dhe temperaturat e ulëta, mund të shkaktojnë probleme shëndetësore tek grupe të ndryshme të popullatës. I ftohti i madh që ndodh gjate periudhës së dimrit sidomos në disa zona të vendit, përbën një kërcënim për shëndetin sidomos te të moshuarit, fëmijët dhe njerëzit më sëmundje kronike të cilët janë më të prekshëm dhe më në rrezik të marrjes së infeksioneve. Por edhe më të rinjtë, të shëndetshëm mund të vuajnë pasoja shëndetësore, ndonjëherë edhe të rënda kur ekspozohen ndaj temperaturave shumë të ulëta.
Disa nga sëmundjet që mund të shfaqen ose përkeqësohen si pasojë e të ftohtit në dimër janë:
- Sëmundje të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes: skuqje apo dhimbje deri në infeksion të bajameve, veshëve, hundës dhe sinuseve (sinuzite).
- Sëmundje të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes: Gripi dhe viroza të ndryshme, acarim i astmës deri në infeksione të mushkërisë.
- Dhimbje koke si pasojë e spazmave/ngushtimit të enëve të gjakut në kokë.
- Rritje e tensionit arterial dhe përkeqësim të tij tek të sëmurët kronikë.
- Shtrëngime gjoksi deri në infarkte të zemrës.
- Probleme të qarkullimit të gjakut si: morthi, scleroderma, etj.
- Fraktura, ndrydhje dhe dëmtime të tjera si pasojë e rrëshqitjeve në akull.
- Ngrirjet e ekstremiteteve deri në amputime të tyre
Dimri dhe temperaturat e ftohta mund të dëmtojnë shëndetin tuaj por ju mund ti parandaloni ato nëse ndiqni këshillat si:
- Vishuni ngrohtë dhe përdorni shall, doreza dhe kapuç kur jeni në ambiente të jashtme dhe të ftohta.
- Evitoni të qëndroni gjatë në ambiente të jashtme në ditët e ftohta, me erë dhe sidomos kur jeni të lagur.
- Evitoni të dilni jashtë në orët e para të mëngjesit dhe orët e vona të darkës.
- Ecni me kujdes e me hapa të vegjël dhe duart jashtë xhepave.
- Ushqehuni me ushqime të ngrohta e të lëngshme të përbëra nga mishi, bishtajoret, perimet, drithërat, por edhe fruta që përmbajnë vitamina dhe minerale.
- Pini sa më shumë ujë dhe lëngje, sidomos nëse jeni të sëmurë dhe qëndroni vazhdimisht në shtëpi.
- Qëndroni në ambiente të ngrohta dhe të ajrosura herë pas here. Temperatura ideale për ambientin e brendshëm është 20-23° C, dhe ajrosja duhet të bëhet disa herë për të sigurua lagështinë e duhur për rrugët e frymëmarrjes dhe për të ulur përqendrimin e mikrobeve në shtëpi. Sigurohuni gjithashtu që dyert dhe dritaret të jenë të izoluara sa më mirë. Edhe mbingrohjet e shtëpisë mund të jenë të dëmshme ashtu si dhe ngrohjet me dru apo gaz, që mund të çlirojnë gazra të dëmshme për organizmin. Ndaj duhet që ambientet e brendshme të ajrosen mirë disa herë gjatë ditës, dhe të siguroheni që nuk keni rrjedhje gazrash.
Kujdesi për foshnjat dhe fëmijët:
Sa më të vegjël ata, aq më shumë rrezikojnë nga uljet e temperaturës dhe sëmundjet, ndaj evitoni në maksimum daljet dhe siguroni një temperaturë konstante në shtëpi. Të porsalindurit deri në 6 muajsh, rrezikojnë më shumë nga i ftohti, pasi përgjigjja e organizmit të tyre nëpërmjet termo- rregullimit, dhe aftësia e tyre për të komunikuar, ende nuk janë zhvilluar plotësisht. Për këtë arsye, prindërit duhet të kontrollojnë herë pas here këmbët, duart e veçanërisht fytyrën. Foshnjat rekomandohen të pinë rregullisht gji, sa herë të dëshirojnë, dhe nëse kanë filluar edhe ushqimet plotësuese, të mos harrohet dhënia e lëngjeve, për të garantuar hidrim të mirë të tyre.
Nëse duhet t’a nxirrni foshnjën, kini parasysh:
- Mbulojeni mirë duke e veshur me disa shtresa rrobash, dhe vendosini gjithnjë një kapele në kokë, pasi rreth 30% e humbjes së energjisë vjen nga koka.
- mbajeni larg vendeve të lagështa dhe me korente ajri.
- mos e mbani foshnjën në mbajtëse si të “kangurit”, pasi qarkullimi i gjakut ngadalësohet, dhe kjo favorizon ngrirjen e këmbëve.
- rekomandohet që foshnja të transportohet në një karrocë apo mbajtëse si shtrat, në mënyrë që të mund të lëvizë lehtësisht, duke pasur një qarkullim të rregullt gjaku.
- merrni gjithnjë me vete pije apo ushqime të ngrohta, ndërresa dhe mbulesa rezervë.
- Nëse foshnjat nën 6 muajsh sëmuren, drejtohuni menjëherë tek mjeku.
Për të gjitha llojet e sëmundjeve kronike në mot të ftohtë është mire të:
- Qëndroni në kontroll të vazhdueshëm me mjekun tuaj.
- Merrni në mënyrë të rregullt medikamentet tuaja.
- Kryeni vaksinat kundër gripit nën konsultimin me mjekun tuaj.
- Rregolloni temperaturën e ambientit ku qëndroni, ti ajrosni ato disa herë gjatë ditës për të siguruar lagështinë e duhur në mënyrë që të ulet përqëndrimi i mikrobeve në shtëpi.
- Merrni ushqime dhe pije të ngrohta, si supra,etj (të paktën 1 litër ½ lëngje) duke shmangur alkoolin sepse ai nuk ndihmon kundër të ftohtit, përkundrazi favorizon humbjen e nxehtësisë së prodhuar nga trupi.