Informacion për shkallën e përhapjes së COVID – 19 dhe masat e marra në vendin tonë
14 shkurt 2020
- Situata ndërkombëtare sipas ECDC-së është si më poshtë:
- Në nivel global, janë raportuar në total 64 544 raste të konfirmuara me COVID – 2019.
- Azi: 64 240 raste të konfimuara
1383 vdekje
- Amerikë: 22 raste të konfirmuara
- Australi: 15 raste të konfirmuara
Tabela 1. Numri i rasteve të konfirmuara deri në datën 14 shkurt 2020 sipas shteteve (sipas ECDC): https://www.ecdc.europa.eu/en/novel-coronavirus-china
Shteti | Nr i rasteve të konfirmuara (14 shkurt 2020) |
Kina | 64021 |
Japoni | 30 |
Republika e Koresë | 28 |
Vietnam | 16 |
Singapor | 58 |
Australi | 15 |
Malajzi | 19 |
Kamboxhia | 1 |
Tajland | 33 |
Taivan | 18 |
Nepal | 1 |
Indi | 3 |
Filipine | 3 |
Sri Lanka | 1 |
Rastet e tjera në një mjet transporti detar Japoni | 221 |
USA | 15 |
Kanada | 7 |
Finlanda | 1 |
Franca | 11 |
Gjermani | 16 |
Rusia | 2 |
Spanja | 2 |
Belgjika | 1 |
Suedia | 1 |
Anglia | 9 |
Italia | 3 |
Emiratet e Bashkuara Arabe | 8 |
Total | 64 544 |
Grafiku 1. Shpërndarja e rasteve laboratorike të konfirmuara për COVID – 2019 sipas kontinenteve (përveç Kinës), 14. 02.2020
- Situata në Europë dhe në vendin tonë sipas ECDC–së është si më poshtë:
- Europë: 46 raste të konfirmuara
- Shqipëri: Janë testuar 6 raste të dyshuara, të cilat kanë rezultuar negative
Grafiku 2. Shpërndarja e rasteve të konfirmuara në laborator të COVID – 2019 në vendet e BE, EEA dhe Mbretërinë e Bashkuar, 14 Shkurt 2020
- Cili është rreziku i infeksionit të virusit COVID – 2019 për popullatën në Shqipëri?
Rreziku i infeksionit nga COVID – 2019 për popullatën në Shqipëri është aktualisht i ulët. Ky vlerësim bazohet në faktorët e mëposhtëm:
- Probabiliteti i infeksionit për popullatën në Shqipëri konsiderohet shumë i ulët. Deri më tani nuk ka patur asnjë rast të importuar në vendin tonë. Megjithëse ka patur raste të importuara, të raportuara nga shtatë vende të Bashkimit Europian (BE) / EEA dhe nga Mbretëria e Bashkuar, gjithsesi numri i përgjithshëm i rasteve të raportuara në rajonin europian mbetet i ulët dhe janë vendosur masat e kontrollit. Sidoqoftë, ekzistojnë paqartësi në lidhje me transmetimin dhe rastet e lehta ose asimptomatike.
- Nëse do të kemi raste të importuara, atëherë rreziku do të jetë i ulët në të moderuar si pasojë e masave të kontrollit dhe efektivitetit të zbatimit të tyre.
- Nëse do të kishim transmetim brenda vendit, atëherë ndikimi i këtij infeksioni për popullsinë në Shqipëri do të jetë i lartë. Megjithëse informacioni për shkallën se sa të rënda janë rastet dhe efektivitetin e masave të kontrollit mbetet shumë i kufizuar, të dhënat e deritanishme tregojnë se vdekshmëria është 2-3%, dhe përqindja e pranimeve në njësitë e kujdesit reanimator për rastet e pneumonisë është 23%.
- Masat e marra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri në vend
Si në të gjitha vendet e Europës, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) ka përgatitur një plan parapërgatitjeje të masave ndaj shpërthimit epidemik të koronavirusit të ri, sipas të gjitha rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ECDC-së bazuar edhe në zbatimin e Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit, duke patur parasysh të gjthë skenarët për rrezikun e infeksionit nga koronavirusi i ri COVID – 2019 për popullatën në Shqipëri. Duhet të theksojmë që, aktualisht ky rrezik mbetet i ulët.
Masat e përgatitura kanë filluar me ngritjen e Task-Forcës për koordinimin e ndërhyrjeve të domosdoshme të parandalimit dhe më tej të kontrollit të sëmundjes nga koronavirusi i ri 2019-nCoV, e cila përbëhet nga drejtues institucionesh dhe ekspertë kryesorë të fushës të MSHMS-së, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit dhe të tjera {Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QMUK), Shërbimi Infektiv QSUT, Shërbimi Infektiv Pediatri, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH) dhe pika aeroportuale Rinas, Operatori Qendror, Operatori Rajonal Tiranë, SUSM, Drejtoria e Kufirit dhe Zyra Rajonale e OBSH-së në Tiranë etj.}.
Krahas Task-Forcës është ngritur edhe komiteti teknik për koronavirusin i ri COVID – 2019 i cili përbëhet nga ekspertë, që diskutojnë çështjet teknike të ngritura në Task-Forcë apo çështje të tjera të lidhura me këtë virus. Ky komitet përditëson dhe rivlerëson masat e marra hap pas hapi, nga niveli i përforcimit të survejancës, udhëzuesve dhe protokolleve të zbulimit dhe menaxhimit në kohë, si dhe marrjes së masave për ndërhyrje, deri në koordinimin në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar .
Masat e marra deri tani nga MSHMS-ja sipas rekomandimeve të OBSH-së
Masa në drejtim të survejancës dhe diagnozës
- Kemi përforcuar survejancën e infeksioneve respiratore dhe specifikisht të rasteve me vështirësi respiratore/sindromën e rëndë respiratore akute, si dhe sistemin e lajmërimit të shpejtë në një situatë shëndetësore jo të zakonshme, kjo e fundit mbështetur dhe në Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit (2005,OBSH), me qëllim zbulimin dhe ndjekjen në kohë të rasteve të dyshuara, izolimin dhe menaxhimin e tyre.
- Është vendosur në zbatim Udhëzuesi i bazuar në ngjarje me qëllim kapjen e shpejtë, kontrollin më të mirë dhe marrjen e masave në kohën e duhur për çdo ngjarje me ndikim në shëndet publik, të çfarëdolloj origjine
- Është përgatitur përkufizimi i rastit për n-CoV2019 dhe udhëzuesi i survejancës për rastet specifike të n-CoV2019, duke e përshtatur atë sipas OBSH-së dhe ECDC-së. Çdo rast i dyshuar, i mundshëm ose i konfirmuar me COVID – 2019 raportohet menjëherë pranë Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) përkatëse, dhe më pas, menjëherë pranë ISHP-së me formularin rutinë të njoftimit dhe specifik të raportimit. Kjo procedurë kryhet menjëherë brenda 24 orëve. Janë përgatitur skedat e marrjes së mostrave, si dhe janë bërë gati terrenet përkatëse së bashku me udhëzuesin e marrjes së mostrës.
- Kemi përgatitur udhëzues të hetimit të shpejtë të rasteve të dyshuara dhe kontakteve të tyre, dhe po testojmë në terren kohëzgjatjen e hetimit të kontakteve duke përdorur si shembull gripin. Çdo rast i dyshimtë hetohet nga ana epidemiologjike sipas udhëzimit përkatës dhe plotësimit të skedës përkatëse të hetimit, me qëllim ndjekjen e kontakteve të rastit të dyshuar, të mundshëm ose të konfirmuar me COVID – 2019.
- Janë vendosur kapacitetet laboratorike për diagnozën e COVID – 2019 duke siguruar kitet përkatëse, mbështetjen e OBSH-së, CDC-së, MEDILAB secure dhe Institutit të Virolologjisë, Charite, Berlin, Gjermani. Aktualisht, ISHP-ja mund të përcaktojë diagnozën konfirmuese për COVID – 2019.
- Është përgatitur skeda e raportimit pranë OBSH-së sipas Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit (2005, OBSH) dhe është kryer trajnimi dhe përgatitja e skedave për raportimin pranë TESSy sipas ECDC-së, në kuadër të integrimit europian.
- Janë kryer nga ISHP-ja takime /trajnuese me Shërbimin Epidemiologjik dhe Shëndetin Mjedisor të Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor në nivel kombëtar, mbi forcimin e survejancës sindromike ALERT, survejancës së sindromës së rëndë respiratore, shpërndarjen e udhëzuesëve dhe protokolleve të përkufizimit të rastit, të ndjekjes së kontakteve mbi masat në nivel kufitar, mbi masat për kontrollin e infeksionit, si dhe në lidhje me kohën dhe mënyrën e zbatimit të tyre për parandalimin e infeksionit të COVID – 2019. (deri tani janë trajnuar rreth 200 specialistë, epidemiologë dhe ndihmës epidemiologë).
Masa në drejtim të menaxhimit të rastit dhe vlerësimit të kapaciteteve në këtë drejtim
- Është hartuar algoritmi i pritjes dhe transportit të rasteve të dyshuara nga vendndodhja e tyre drejt QSUT-së, në Shërbimin e Sëmundjeve infektive (moshë adulte dhe pediatrike) nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore (vendosja e algoritmit në ambientet e QKUM-së dhe në ambulancë). Menaxhimi i transportit të rasteve do të kryhet nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore.
- Janë përgatitur pyetësorët dhe informacionet për depistimin, informimin e personave kur kontaktohet qendra kombëtare e urgjencës për të ndihmuar personat e kthyer nga Kina, apo persona që kanë shqetësim për koronavrusin e ri.
- Po kryhet shpërndarja e algoritmit të pritjes dhe transportit të rasteve të dyshuara me COVID – 2019 në të gjithë spitalet jopublike (vendosja e algoritmit në ambulancë dhe urgjencën e spitaleve jopublike).
- Janë hartuar udhëzues në drejtim të menaxhimit klinik të rasteve nga Shërbimet e Sëmundjeve Infektive në QSUT.
- Nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive (QSUT), janë përcaktuar bokset /dhomat e izolimit funksionale, në se do të ketë raste të dyshuara për COVID – 2019 dhe janë marrë masa të shtuara mbi zvogëlimin e hyrje-daljeve në Shërbimet Infektive dhe Urgjencën Polivalente ( QSUT). Gjithashtu, janë vendosur/afishuar në mënyrë skematike procedurat e veshjes dhe zhveshjes së MMP-së në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive – QSUT (moshë pediatrike dhe të rritur), dhe në të gjitha hallkat e tjera të menaxhimit të rastit për parandalimin e kontrollit të infeksionit spitalor
- Është pajisur Shërbimi i Sëmundjeve Infektive (QSUT) me të gjitha mjetet e mbrojtjes personale.
- Menaxhimi klinik i rasteve të dyshuara për COVID – 2019 do të kryhet në QSUT – Shërbimet e Sëmundjeve Infektive, deri në një fazë të dytë vlerësimi.
- ISHP-ja ka kryer vlerësimin e kapaciteteve mbi përballimin e situatës në spitalet e QSUT-së: Shërbimi i Sëmundjeve infektive, Urgjencën Polivalente, Reanimacion Qendror, Reanimacion Neurologji, Reanimacion Pediatri dhe SUSM, në lidhje me menxhimin klinik të rasteve.
- Është kryer njoftimi i Urgjencave rajonale dhe Qendrave të shërbimit 24h, që në se do t‘ju paraqiten raste të dyshuara COVID – 2019 duhet t‘i vlerësojnë ato paraprakisht; sipas përkufizimit të rastit të zbatohet algoritmi i pritjes dhe transportit të rasteve të dyshuara për menaxhimin e tyre në këtë fazë pranë Shërbimeve të Sëmundjeve Infektive (QSUT).
- Deri më tani 5 raste të dyshuara për COVID – 2019 me historik udhëtimi me Kinën janë menaxhuar më së miri, konform udhëzuesve në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive (QSUT)
Masa në drejtim të kontrollit të infeksioneve
- Është kryer shpërndarja e stokut ekzistues të MMP-së nga ISHP –ja për QSUT, Aeroportin e Rinasit (ISHSH), Spitalin “Sh.Ndroqi”, QKUM dhe Operatorin Qendror (Spitalet rajonale) për t’u patur në kushte urgjence ndaj rasteve që mund të paraqiten në urgjencat e spitaleve rajonale, dhe pse menaxhimi klinik i tyre deri në këtë fazë do të kryhet nga QSUT-ja
- Është parashikuar krijimi i një stoku prej 2000 kompletesh të Mjeteve Mbrojtëse Personale për të gjitha nivelet e pritjes, transportit, hetimit epidemiologjik dhe menaxhimit klinik të rasteve sipas parashikimve për “rastet e importuara”, bazuar në udhëzuesin e ECDC-së.
- Është përcaktuar ambienti karantinë, për ta përdorur atëherë kur do të jetë e nevojshme, si p.sh.: për kontaktet e shëndosha në fazën kur në vend do të konfirmohet rasti i parë me COVID – 2019, si dhe është kryer trajnimi paraprak i personelit shëndetësor që do të jetë pjesë e shërbimit në karantinë.
- Janë siguruar mjetet dezinfektuese (pompa apo hipoklorit natriumi) për ambulancat dhe mjediset spitalore.
- Është përgatitur udhëzuesi i vetëkarantimit dhe kujdesit në këtë rast, sipas OBSH-së. Kemi aplikuar procesin e vetëkarantinimit për 14 ditë, të të gjithë rasteve që plotësojnë kriteret e rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si dhe duke u mbështetur në kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve infektive në përgjithësi.
- Kemi përcaktuar në çdo spital rajonal dhe në QKUM një ambulancë e cila do të jetë e pajisur me komplete të Mjeteve Mbrojtëse Personale, dhe në të njëjtën kohë të jenë në gatishmëri për transportin e rasteve sipas algoritmit drejt QSUT-së.
- Janë hartuar udhëzues specifikë për kontrollin e infeksioneve në spitale për koronavirusin e ri dhe janë adaptuar ata aktual në drejtim të kontrollit të infeksioneve respiratore, përdorimit të maskave, veshjes dhe zhveshjes së Mjeteve Mbrojtëse Personale nga Instituti i Shëndetit Publik.
- Është hartuar udhëzuesi i kontrollit të infeksionit gjatë transportit të rasteve me koronavirusin e ri nga ISHP-ja.
- Po bëhen përpjekje për të përforcuar higjienën e duarve, higjienën personale dhe ambientale në sistemin parashkollor, atë arsimor 9 –vjeçar, të mesëm etj.
Masa në drejtim të përforcimit të kontrollit në pikat kufitare
- Instituti i Shëndetit Publik në koordinim me Inspektoratin Shëndetësor Shtetëror, Autoritetin Portual në Durrës dhe Operatorin shëndetësor ka përgatitur dhe vënë në zbatim listën e pyetjeve mbi kontrollin e udhëtarëve për rastet e dyshimta me sëmundje infektive (për të evidentuar specifikisht COVID – 2019) për çdo pikë kufitare të të gjitha niveleve tokësore, detare dhe ajrore; ku merren të dhënat e sakta në të njëtën kohë mbi vendbanimin, vendnisjen e udhëtimit dhe transitit, por dhe të dhëna klinike mbi infeksionin respirator apo shenja klinike me mbizotërim të temperaturës dhe rrufës.
- Është hartuar protokolli mbi Sëmundjen e shkaktuar nga COVID – 2019 dhe rregullat e njoftimit dhe ndjekjes së rasteve të dyshuara në aeroplan, aeroport, porte, pika kufitare tokësore duke përshtatur atë të SARS-it, si dhe udhëzues të tjerë.
- Është hartuar skeda e udhëtarit për çdo nivel të pikave kufitare detare, tokësore dhe ajrore nga e cila merren të dhëna demografike: vendbanim, emër, mbiemër, nr e kontaktit, vendnisjen dhe transitin e udhëtarit. Informacion i shpejtë në dy gjuhë, që është në proces për të gjitha linjat e udhëtimit.
- Në të gjitha pikat kufitare tokësore dhe detare, është tentuar të ketë një mjedis të veçantë për qëndrimin e përkohshëm të rastit të dyshuar duke zbatuar algoritmin e pritjes dhe transportit të rasteve të dyshuara.
- Në aeroportin “Nënë Tereza” dhe atë të portit të Durrësit ka mjedise të caktuara për izolimin, si dhe karantinën e përkohshme.
- Janë kryer trajnime në pikat kufitare me personelin e shëndetit publik dhe të pikave kufitare.
- Inspektorati Shëndetësor Shtetëror po kryen në mënyrë sistematike vlerësimin monitorimin mbi dezinfektimin dhe kushtet higjieno-sanitare të të gjitha pikave doganore të çdo niveli.
Masa në drejtim të ndërhyrjeve të tjera në drejtim të parandalimit apo të kufizimit të epidemisë nëse do të ndodhë
- Janë kryer trajnime mbi risfreskimin e njohurive të specialistëve të QKUM – së në nivel qendror dhe rajonal, mbi kontrollin dhe parandalimin e infeksionit, si dhe mbi veshjet dhe zhveshjet e Mjeteve Mbrojtëse Personale për kontrollin dhe parandalimin e infeksionit, nëse përballemi me një rast të mundshëm / të dyshuar / apo të konfirmuar.
- Janë kryer takime me drejtuesit e Operatorëve shëndetësor në nivel kombëtar në lidhje me parapërgatitjen dhe masat për parandalimin e përhapjes së virusit në vend.
- Po kryhet trajnimi i personelit shëndetësor spitalor, si dhe në çdo nivel, nga personeli i NJVKSH – ve, si dhe ISHP – së.
- Janë kryer takime informuese dhe trajnuese me përfaqësues dhe specialistë të spitaleve jopublike për masat dhe parapërgatitjen e tyre, në rast se paraqiten pranë urgjencave të tyre raste të dyshuara me COVID – 2019.
Masa në drejtim të informimit, edukimit të popullatës dhe komunikimit të rrezikut
- Përditësohet çdo ditë nga ISHP – ja informacioni në lidhje me koronavirusin e ri në botë dhe Evropë.
- Përditësohen çdo ditë informacionet në lidhje me zbatimin e masave.
- Janë përgatitur një seri posterash, fletëpalosjesh nga MSHMS – ja.
- MSHMS – ja dhe ISHP – ja po kryejnë fushatë informuese dhe promovuese të kontrollit të infeksionit apo higjienës duke shfrytëzuar median sociale, si dhe internetin.
- Janë përgatitur informacione lidhur me koronavirusin e ri dhe komunikimin e rrezikut.
- Janë përgatitur informacione mbi masat e higjienës personale dhe kujdesit shëndetësor të popullatës.
- Janë shpërndarë rekomandime dhe këshilla ndaj kujdesit në lidhje me minimizimin e udhëtimeve drejt vendeve të burimit të infeksionit.
- Janë koordinuar biseda në televizione ose radio për të informuar publikun.
- Rekomandime dhe këshilla të OBSH – së
Gjatë shpërthimeve të mëparshme nga koronaviruset e tjerë (Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme “MERS” dhe Sindroma Respiratore Akute e Rëndë “SARS”) transmetimi nga njeriu te njeriu ndodhi përmes spërklave të përshtymës, kontaktit të drejtpërdrejtë human (fizik), apo kontaktit indirekt (nëpërmjet sipërfaqeve / objekteve të kontaminuara). Këto fakte sugjerojnë që mënyra e transmetimit të COVID – 2019 mund të jetë e ngjashme. Parimet themelore për të zvogëluar rrezikun e përgjithshëm të transmetimit të infeksioneve akute të frymëmarrjes përfshijnë masat e mëposhtme:
- Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes.
- Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose mjedisin e tyre.
- Shmangia e kontaktit të pambrojtur me kafshët (qofshin ato shtëpiake apo të egra).
- Personat me simptoma të infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes duhet të praktikojnë higjienën respiratore të lidhur me kollën (ruajtja e distancës, mbulimi me shami / letër ose rroba kur teshtijnë apo kolliten, larjen e duarve).
- Brenda mjediseve të kujdesit shëndetësor, forconi praktikat standard të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.
Në rast të simptomave të lidhura me infeksionet respiratore qoftë gjatë udhëtimit, ashtu edhe pas tij, udhëtarët inkurajohen të kërkojnë kujdes mjekësor dhe të ndajnë historinë e tyre të udhëtimit me personelin shëndetësor.