1 DHJETOR
Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS
Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it organizohet çdo vit më 1 Dhjetor për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV/AIDS-in, dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie.
Kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi progresin e bërë deri më sot, për të rritur ndërgjegjësimin për sfidat që mbeten në vazhdimësi, për të mobilizuar të gjithë aktorët që së bashku të dyfishojnë përpjekjet për të siguruar suksesin në përmbushje të qëllimit të përfundimit të HIV/AIDS-it deri në vitin 2030
DITA (nga më të njohurat ndërkombëtarisht në kalendarin e shëndetit) është gjithashtu, një mundësi sensibilizimi për partnerët publikë dhe privatë për të përkujtuar ata që kanë humbur jetën, për të inkurajuar përparimin në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin ndaj HIV/AIDS-it në mbarë botën dhe për të festuar fitore të tilla si, rritja e aksesit të këtyre shërbimeve.
E themeluar në vitin 1988, Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it ishte dita e parë shëndetësore globale. Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it u propozua fillimisht në muajin gusht të vitit 1987 nga Thomas Netter dhe James Ë. Bunn, të dy zyrtarë të informimit publik për Programin Global të HIV/AIDS-it në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, në Gjenevë. Ata kishin ndarë idenë e tyre për ditën e HIV/AIDS-it me Dr. Jonathan Mann (Drejtor i Programit Global të HIV/AIDSit), i cili e kishte miratuar idenë dhe rekomandoi respektimin e Ditës Botërore të Luftës Kundër HIV/AIDS-it më 1 dhjetor të vitit 1988. Kombet e Bashkuara kanë ngritur një Program të Përbashkët për HIV/AIDS-in, i njohur si UNAIDS. Programi filloi veprimtarinë në vitin 1996 duke promovuar në mbarë botën aktivitete të lidhura me HIV/AIDS-in. Në vitet e para, temat e Ditës Botërore të Luftës Kundër HIV/AIDS-it ishin fokusuar vetëm te fëmijët dhe të rinjtë. Nga viti 1998 e deri më sot, Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it organizohet nën slogane të ndryshme
Cila është tema e Ditës Botërore të Luftës Kundër HIV/AIDS?
Për të shënuar ndikimin kryesor që kanë pasur komunitetet në forcimin e reagimit ndaj HIV-it, si dhe në shëndetin global në përgjithësi, tema e Ditës Botërore të HIV/AIDS 2023 është: ‘Lërini komunitetet të udhëheqin”.
FAKTE KRYESORE
- HIV-i mbetet një çështje e madhe globale e shëndetit publik, duke marrë 40.4 milionë [32.9-51.3 milionë] jetë deri më tani, me transmetim të vazhdueshëm në të gjitha vendet globalisht; me disa vende që raportojnë tendenca në rritje të infeksioneve të reja kur më parë ishin në rënie.
- Vlerësohet se në fund të vitit 2022 jetonin 39,0 milionë [33,1–45,7 milionë] njerëz me HIV, dy të tretat e të cilëve (25,6 milionë) janë në Rajonin Afrikan të OBSH-së.
- Në vitin 2022, 630 000 [480 000–880 000] njerëz vdiqën nga shkaqe të lidhura me HIV dhe 1.3 milion [1.0-1.7 milion] njerëz u infektuan me HIV.
- Nuk ka kurë për infeksionin HIV. Megjithatë, me aksesin në parandalimin, diagnostikimin, trajtimin dhe kujdesin efektiv të HIV-it, infeksioni HIV është bërë një gjendje shëndetësore kronike e menaxhueshme, duke u mundësuar njerëzve që jetojnë me HIV të bëjnë jetë të gjatë dhe të shëndetshme.
Shenja dhe simptoma
Simptomat e HIV-it ndryshojnë në varësi të fazës së infeksionit.
Sëmundja përhapet më lehtë në muajt e parë pasi një person është infektuar, por shumë prej tyre nuk janë në dijeni të statusit të tyre deri në fazat e mëvonshme. Në javët e para pas infektimit, njerëzit mund të mos përjetojnë simptoma. Të tjerët mund të kenë një sëmundje të ngjashme me gripin duke përfshirë:
- ethe
- dhimbje koke
- skuqje
- dhimbje të fytit.
Infeksioni në mënyrë progresive dobëson sistemin imunitar. Kjo mund të shkaktojë shenja dhe simptoma të tjera:
- nyjet limfatike të fryra
- humbje peshe
- ethe
- diarre
- kollë.
Pa trajtim, njerëzit me infeksionin HIV mund të zhvillojnë gjithashtu sëmundje të rënda:
- tuberkulozi (TB)
- meningjiti kriptokoksik
- infeksione të rënda bakteriale
- kancere
- HIV-i bën që infeksionet e tjera të përkeqësohen, si: hepatiti C, hepatiti B dhe mpox.
Transmetimi
HIV-i mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të një sërë lëngjesh trupore nga njerëzit që bashkëjetojnë me të, si: gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale. HIV-i gjithashtu, mund të transmetohet gjatë shtatzënisë dhe lindjes tek fëmija. Njerëzit nuk mund të infektohen përmes kontaktit të zakonshëm të përditshëm, si: puthja, përqafimi, shtrëngimi i duarve ose ndarja e sendeve personale, ushqimit ose ujit.
Faktorët e rrezikut
Sjelljet dhe kushtet që i vënë njerëzit në rrezik më të madh të kontraktimit të HIV-it përfshijnë:
- kryerja e seksit anal ose vaginal pa prezervativ;
- pasja e një infeksioni tjetër seksualisht të transmetueshëm (IST) si: sifilizi, herpesi, klamidia, gonorrea dhe vaginoza bakteriale;
- përfshirja në përdorimin e dëmshëm të alkoolit dhe drogës në kontekstin e sjelljes seksuale;
- ndarja e gjilpërave, shiringave dhe pajisjeve të tjera të injektimit dhe solucioneve të kontaminuara gjatë injektimit të drogës;
- marrjen e injeksioneve të pasigurta, transfuzionet e gjakut dhe transplantimin e indeve, dhe procedurat mjekësore që përfshijnë prerje ose shpime josterile;
- të përjetuarit e lëndimeve aksidentale me gjilpërë, përfshirë edhe midis punonjësve shëndetësorë.
Parandalimi
HIV-i është një sëmundje e parandalueshme.
Zvogëloni rrezikun e infektimit me HIV duke:
- Përdorur një prezervativ mashkullor ose femëror gjatë seksit
- Duke u testuar për HIV dhe infeksione seksualisht të transmetueshme
- Kryer një rrethprerjeje mjekësore vullnetare tek meshkujt
- Përdorur shërbime të reduktimit të dëmit për njerëzit që injektojnë dhe përdorin drogë.